Babai dhe tre vëllezërit

Kultura

Babai dhe tre vëllezërit

Nga: Agim Xh. Dëshnica Më: 12 tetor 2022 Në ora: 11:56
Agim Xh. Dëshnica

Një nga përrallat me qeros, e dëgjuar nga Berti, në një fshat në bregun e majtë të lumit Seman, fillonte, paksa me trishtim, veçse si përherë, mbaronte me gëzim kështu:

“Na qe mos na qe, një burrë i moshuar nga Paftali i Shpiragut me gruan e tij nga Velabishti. Ata na kishin tre djem të martuar. Nuset të trija ishin nga Çorrogunji i Skraparit.

Çdo të hënë ai burrë mali shkonte në pyll, hipur mbi kalë. Pasi e ngarkonte me dru shkoze, kthehej në këmbë në shtëpi. Një ditë nuk u ndje mirë. Zuri shtratin, u bëri zë djemëve dhe u tha:

-O bijtë e mi të dashur, po ju lë ketë amanet: pas meje mos u ndani. Edhe nëse ndaheni, më i madhi të marri kalin, i dyti, samarin, i treti, frerin.

Erdhi një kohë, kur plaku mbylli sytë dhe djemtë u ndanë. I madhi mori kalin e u nis për në pazarin e Roskovecit. Rrugës hasi me një tregtar.

-Nga vete, or djalë? - e pyeti tregtari.

- Ja, deri në Roskovec, dua të blej një samar për kalin.

Po ta gjej unë samarin, ty, në qoftë se di përralla më shumë se unë, ama përndryshe ta marrë kalin. Hajt, fillo ti i pari! .

-Jo, të takon ty, se je më i madh.

Dhe tregtari tha:

bëra drekën, thirra burra e gra, djem e vajza nga qyteti e fshatrat, as qenë as mace, nuk lash pa thirrur. Poqa gjysmën pulës që s’bënte vezë. U ngopën. sa s’plasën të gjithë. Gjysmën tjetër e mbajta pë drekë e darka të tjera . Tashti, trego ti!

-Jo, unë nuk di përralla të tilla.

Tregtari ia mori kalin.

Djali i madh u kthye në shtëpi kokulur. E pyetën vëllezërit:

-A e shite shtrenjtë?

-Shtrejtë, o po, shtrejtë! Dhe u tregoi ç’i kishte ndodhur.

- U nis, vëllai i dytë. Mori samarin në krah e iku. U takua, po me atë tregtar.

- Or çun, nga po vete?

-Kam dalë për të blerë një kalë.

- Po dite përralla më shumë se unë, ta gjejë unë kalin. Po nuk dite sa unë, ta marrë edhe samarin..

- Rrëfe ti i pari! -i tha vëllai i dytë- nga ato përrallat e tua.

- Shtrova darkën, thirra burra e gra, djem e vajza nga qyteti e fshatrat, qenë e mace e maçokë. Poqa një gjysëm pulë, gjysma tepëroi. U zjeva dhe një vezë, u ngopën së ngrëni sa s’plasën nga i pari tek i fundit. Hajt, trego dhe ti.

- Unë s’di anjë përrallë si kjo..

U kthye edhe vëllai i dytë në shtëpi, i ngrysur. E pyetën vëllezëritt:

- E, ore, e shite shtrenjtë?

- Shtrejtë, shtrejtë, e shita. -iu përgjigj ai dy vëllezërve dhe u tregoi ç’i kishte ndodhur.

Herët në mëngjes, më i vogli, Qerosi hodhi frerin mbi sup, u nis e për dy sahat mbërriti në Pazarin e Roskovecit

Atje kaloi tregtari i hipur në kalë.

-Pazar i mbarë!- i thirri tregtari më të voglit, sa e pa.

- Edhe ti mbarë paç-i tha Qerosi.

Sytë e tregtarit u rrudhën, tek iu mbërthyhen qerosit.

-Or, çun çfarë dashke të shesësh këtu sot ti?- e pyeti.

- Ja, këtë frerin se dua të blej një kalë me samar.

- Ta gjej unë menjëherë, kalin dhe samarin, po deshe, nëse di përralla më shumë se unë. Po dite më shumë, ta japë kalin me samar, frenin dhe tri hejbe me flori. --Hajt, fillo ti!

- Jooo, fillo ti!

Tregatari nisi:

- Unë shtrova një darkë, thirra burra

e gra, djem e vajza, qenë, mace e maçokë, nga fshatrat e qytetet afër e larg, skuqa një vezë, gjysma teproi. E ruajta për ndonjë davet tjetër.

A ke më zotni?

-Jo, ç’të kem, rrefena ti ndonjë.

Pas tregtarit filloi Qerosi:

- Pata dy ara buzë kënetës së Tërbufit. Te njëra korra grurë, te tjetra mbolla duhan. Pastaj grurin e shiva në lëmin e duhanit, duhanin te lëmi i grurit. Grurin e karshtisa me egjër e fara duhani. Tërë bereqetin e mbarta matanë tri kodrave në bregun e detit me karvanin e milingonave. Në liman ngarkova kaiken prej lëvozhge arre. Hipa dhe vet në kaike. Ika tutje larg në det. Atje fryu era për kiamet, ma anoi kaiken. Vu era-vu-vu. era vu-vu, era vu-vu... Për pak desh u mbyta me kaiken e mallin.. Kërceva për qiell e rashë ne breg mbi shkëmbinj shëndosh e mirë. Andej hodha litarin në cep të kaikes. Hiq tërhiq-s’ka, hiq tërhiq—s’ka. U bëra zë tre brumbujve. Hiq- tërhiq, hiq -tërhiq dhe kaiken e hipa në malin e Tomorit. Atje, pasi e ndava grurin nga farat e duhanit nisa të mbjell gjysmat e kokrave të grurit e gjysmat e farave të duhanit, në nji pllajë mbuluar me dëborë. Dy gjysmat e tjera i lash për nesër. Rashë e fjeta nën dëborë. Më zurii gjumi rehat. Kur zgjova në mengjes kisha vapë. Më ra ndër mend se pata harruar të mbillja spinaq, presh, lakra, domate ,kunguj...

- Or, çun! A ka më kjo përrallë?!

- Prit! Duro!, S’kam rrëfyer as çerrekun...

-Mjaft! Mjaft! Se plasa!! Fitove ti! Merre kalin, samarin e frerin. Merr edhe tri hejbet plot me flori e m’u hiq sysh!

Qerosi më spari mori hejbet, pastaj frerin, samarin dhe i hipi kalit. Sapo mbërriti në shtëpi, i tha vëllait të madh:

-Na një hejbe plot me flori.

I tha të mesmit:

- Merre dhe ti hejben me flori. Hejbja e tretë ashtë e imja. Kali me samarin e frerin, tashti janë tonat përsëri..

E kështu tre vëllezërit nuk u ndanë!

U gëzua plaka nga fshati Velabisht. U gëzuan edhe tri nuset nga Çorogunji i Skrapari.”

Leon Tolstoi

KADIU I DREJTË

Mbreti Baukas i Algjerisë deshi të mësonte nëse qenë të vërteta ato që thuheshin se në një nga qytetet ishte një kadi i zoti, që gjente pa vështirësi se kush kishte të drejtë e kush qe fajtor. Asnjë nuk mund të dredhonte para tij. Ndaj, mbreti Baukas u vesh si tregtar, i hipi kalit dhe mori udhën për ta njohur kadiun. Në portën e qytetit një lypësar i kërkoi mbretit lëmoshë. Baukasi i dha dhe deshi të vazhdonte rrugën, por lypësari u qep pas qyrkut të tij.

- Ç’kërkon tjetër prej meje? - e pyeti Baukasi. - Nuk u kënaqe me aq?

- Jo, u kënaqa, - iu përgjigj lypësari, - por bëmë edhe një të mirë! Merrmë në vithe të kalit deri në sheshin e qytetit, që të mos më shkelin kuajt e devetë e të tjerëve!

Baukasi pranoi. E mori mbi kalë. Kur mbërritën te sheshi, ndaloi. Por, lypësari, për çudi, prapë nuk u tund nga vendi.

Baukasi i tha:

- Arritëm, ç’pret më, zbrit!

- Pse të zbres? - ia ktheu lypësari. - Kali është imi! Ti të zbresësh, jo unë! Nëse nuk pranon me të urtë, atëherë shkojmë te kadiu!

Turma e kureshtarëve u mblodh përqark tyre, për të dëgjuar zënkën që u ndez papritur. Shumë vetë thërrisnin:

- Te kadiu, te kadiu! Ai ua zgjidh davanë!

Të dy u nisën drejt kadiut. Gjykata qe përplot me njerëz. Kadiu i thërriste me radhë ata, që gjykoheshin. Të parët ishin një fshatar dhe dijetari i njohur nga qyteti, për çështjen e një gruaje.

Kur i pyeti kadiu ata, mori këto përgjigje:

- Gruaja është imja! - tha fshatari.

- Jo, ky gënjen! - foli shkurt dijetari. - Imja është, çne e këtij firauni!

Kadiu i dëgjoi, heshti dhe iu përgjigj të dyve:

- Mirë, ju mora vesh! Lëreni gruan këtu dhe ejani nesër!

Pas tyre, hyri kasapi tok me shitësin e bulmetit. I pari - i ndotur me njolla gjaku. I dyti - i lerosur me yndyrna. Kasapi mbante në dorë një qese me para, shitësi i bulmetit - dorën e kasapit.

- Te ky bleva gjalpë! - tha kasapi. - Kur nxora paratë për ta paguar, më kapi dorën dhe deshi të ma zhvaste gjithë qesen! Ja, edhe tani s’po ma lëshon, siç e sheh edhe zotrote! Ndaj erdhëm tek ju! Qesja me paratë është imja! Ç’domethënë kjo gjë, mor jahu!

Shitësi i bulmetit tha:

- S’janë aspak të vërteta këto që thotë ky! - Kasapi erdhi në dyqan të blinte gjalpë. Kur ia mbusha poçen plot, ai kërkoi t’ia këmbeja florinjtë me para letër. Dhe kur unë i nxora ato, ai m’u vërvit, m’i mori dhe desh t’ia mbathte! Çudi e madhe! E kapa nga dora dhe e solla në gjyq.

Kadiu heshti dhe ua ktheu:

- I lini paratë këtu dhe ejani nesër!

Kur erdhi radha e Baukasit dhe e lypësarit, Baukasi tregoi ç’kishte ngjarë.

Kadiu pyeti lypësarin:

- Hë, po ti ç’thua?

- Gënjen ky! - iu përgjigj lypësari. - Unë po shkoja kaluar përmes qytetit, zotnia ishte ulur në një qosh. Më pa dhe m’u lut ta merrja në vithe. E mora, ç’t’i bëja, më erdhi keq, dhe e çova tek deshi. Por, më polli belaja! Nuk pranoi të zbriste! Më tha se kali qenkësh i tij! Tobe jarabi! S’është aspak e vërtetë!

Kadiu heshti u mendua pak dhe tha:

- Ma lini kalin këtu dhe ejani nesër!

Ditën tjetër u mblodhën më shumë vetë, për të dëgjuar vendimet e kadiut.

Të parët hynë dijetari dhe fshatari.

- Merre gruan tënde, - i tha kadiu dijetarit, - kurse fshatari të ndëshkohet me pesëdhjetë shkopinj bythëvet!

Pastaj kadiu kërkoi kasapin.

Paratë janë të tuat! - i tha, e duke e kthyer vështrimin nga shitësi i bulmetit, urdhëroi që edhe ai të ndëshkohej me pesëdhjetë shkopinj.

Së fundi, kadiu u bëri zë t’i afroheshin Baukasit e lypësarit.

Pyeti Baukasin:

- A mund ta njohësh kalin ti, në mes të njëzet kuajve të tjerë?

- Po! Menjëherë!

Pyeti lypësarin:

- Po ti?

- Edhe unë!

- Ec me mua! - i tha kadiu Baukasit.

Të dy hynë brenda në stallën e kuajve. Baukasi vajti pranë kalit të vet, që rrinte ndërmjet njëzet kuajve. Pastaj kadiu thirri në stallë lypësarin dhe e urdhëroi t’i rrëfente kalin. Lypësari e njohu dhe ia tregoi. Kadiu u kthye në vendin e tij.

- Kali është yti! - i tha Baukasit. - Shko e merre! Lypësari të ndëshkohet me pesëdhjetë shkopinj bythëvet!

Kadiu, pasi mbaroi punë, u nis të shkonte në shtëpi, ndërsa Baukasi e ndoqi pas.

- Si është puna, nuk të pëlqeu vendimi im? - e pyeti kadiu.

- Përkundrazi, mbeta shumë i kënaqur! - iu përgjigj Baukasi. - Por, doja të dija qysh e gjete se gruaja ishte e dijetarit, qysh e gjete se paratë qenë të kasapit dhe se kali është imi?

- Për gruan gjykova kështu! - iu përgjigj kadiu. - E thirra në mëngjes atë dhe i thashë: „Mbushe kallamarin me bojë shkrimi!“ Ajo e mori, e lau me shkathtësi dhe e mbushi me bojë, pa derdhur jashtë asnjë pikë. E, pra, mesa dukej, me atë punë qe mësuar. Nëse do të ishte e fshatarit, nuk mund ta mbushte me lehtësi. Pra, dijetari kishte thënë të vërtetën. Për paratë, e mora vesh kështu. I hodha ato qysh mbrëmë në një tas me ujë. Sot në mëngjes i pashë me kujdes. A kishte sado pak yndyrë sipër ujit? Po të ishin të shitësit të bulmetit, do të kishin njolla me yndyrë. Ndërsa nuk u dukën kurrfarë njollash yndyre. Kjo do të thoshte se kasapi kishte thënë të vërtetën. Për kalin çështja qe pak e ngatërruar. Pas teje edhe lypësari e njohu kalin ndërmjet njëzet kuajve. Por, ç’është e verteta, unë ju mora në stallë, jo për t’ju hetuar juve, por për të parë se cilin prej jush do të njihte vetë kali. Kur i shkove ti pranë, ai ktheu kokën drejt teje dhe t’u afrua ta përkëdhelje. Kurse kur iu qas lypësari kalit, ai tendosi veshët i zemëruar dhe kërceu mbi këmbët e prapme. Ndaj u binda se i zoti i kalit ishe ti.

Atëherë Baukasi tha:

- Unë nuk jam tregtar, por mbreti Baukas. Erdha këtu për të parë dhe dëgjuar, se a ishin të vërteta ato që thuheshin për ty! Tani u binda se qenke kadi i mençur dhe i drejtë. Kërko ç’të duash dhe eja me mua, unë të gradoj në çast!

Kadiu u përgjigj:

- Qenke lodhur kot, madhëri! Unë nuk i dëshiroj gradimet dhe as paratë..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat