Shkollat të kontribuojnë në ngritjen e cilësisë së të folurit dhe të shkruarit në gjuhën amtare shqipe

Kultura

Shkollat të kontribuojnë në ngritjen e cilësisë së të folurit dhe të shkruarit në gjuhën amtare shqipe

Nga: Ejup Berisha Më: 5 nëntor 2022 Në ora: 11:03
Ejup Berisha

Njeriu në fazat e hershme të fëmijërisë së tij mëson të flasë, por kjo e folur ende nuk është e kultivuar sa duhet, është e pakompletuar dhe e papërsosur. Kjo është kështu për shkak të moshës joadekuate të fëmijës, por edhe për faktin se atij në atë fazë të hershme të jetës dhe moshës së tij, i duhen vetëm shprehje gjuhësore bazë, të kufizuara, më të domosdoshmet të llojit: dua, nuk dua, më pëlqen, dua të pi, nuk dua të ha etj. Kompletimi i të folurit vjen në kohën kur fëmijët nisin shkollën nga ajo fillore, më pas të mesmen dhe më vonë vazhdojnë me shkollimin e lartë në fakultet. Do të thotë se rolin e kompletimit dhe të përsosjes së të folurit, e më pas edhe të shkruarit te fëmijët e kanë shkollat si institucione kompetente arsimimi dhe edukimi. Këto jo vetëm që duhet ta kompletojnë të folurit dhe të shkruarit të fëmijëve, por edhe duhet të përsosin të folurit dhe të shkruarit sipas standardeve dhe rregullave të gjuhës shqipe. Pra shkollat sa i përket njohjes së gjuhës amtare duhet të japin kontribut, jo vetëm në aspekt sasior, por këto duhet të ndihmojnë edhe në ngritjen e cilësisë, për një njohje sa më të mirë të gjuhës standarde shqipe.

Nuk mund të kuptojmë gjendja e sotme, edhe pse kemi shkollat tona, kemi kuadër të mjaftueshëm arsimor me shkollim të lartë të drejtimeve të ndryshme arsimore, megjithatë cilësia e të folurit dhe të shkruarit të nxënësve shqiptarë ende mbetet tejet e ulët. Kjo nuk mund të arsyetohet dhe të justifikohet me asgjë. Atëherë duhet gjetur shkaktarët se pse nuk kemi ende shkathtësitë e duhura për të folurit dhe të shkruarit të gjuhës amtare në mesin e shqiptarëve. Tani nuk është si më parë kur njerëzit përndiqeshin, persekutoheshin dhe keqtrajtoheshin, kur të njëjtët kërkonin arsimim në gjuhën amtare. Sot kjo situatë nuk ekziston më. Në këtë kohë kemi mundësi të shumta, janë resurset humane, janë institucionet kompetente dhe nuk ka mungesë kuadri të arsimuar. Këta së bashku duhet ta luajnë rolin e tyre parësor në arsimimin dhe edukimin e mirëfilltë dhe më cilësor të gjeneratave të reja. Dy janë funksionet parësore të institucioneve tona edukativo-arsimore: Që t’i mësojnë të flasin dhe të shkruajnë gjuhën amtare nxënësit tanë, të cilët më vonë do të bëhen qytetarë të arsimuar të këtij vendi. Pra tani nuk duhet të flitet vetëm për sasi të arsimimit dhe edukimit, por edhe për cilësi. Qytetarët shqiptarë duhet të kenë ngritje në aspekt cilësor, kur bëhet fjalë për shkollimin dhe edukimin tonë. Si të kërkohet nga pala tjetër respektimi i të drejtës për përdorimin më të gjerë të gjuhës amtare, kur shumica e shqiptarëve nuk dinë ta shkruajnë dhe ta flasin gjuhën amtare.

Pra edhe kur të paraqitemi me kërkesën për përdorimin e plotë, zyrtar të gjuhës shqipe, duhet të dëshmojmë se kemi jo vetëm sasi, por se e kemi arritur edhe cilësinë në këtë drejtim. Kjo do të thotë se me meritë të plotë duhet të kërkohet kudo përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Këtu në këtë proces, duhet përsëritur, rëndësi parësore kanë shkollat e niveleve të ndryshme. Synimi duhet të jetë ngritja e cilësisë së të folurit dhe të shkruarit, duke mos e kursyer mundin, resurset dhe kuadrot që sot janë në dispozicion.

Është e paqartë se si në kohërat e mëhershme, edhe pse nuk kishte mundësi dhe mungonin resurset e domosdoshme për përdorimin e gjuhës amtare, e lere më për përsosjen apo për ngritjen e cilësisë gjuhësore, megjithatë kishim përdorim më të drejtë të shqipes dhe respektim të standardit të gjuhës shqipe.

Kjo ndodhi pasi ata pak shqiptarë që më herët kanë mësuar e studiuar shqipen, kanë pasur vullnet, që jo vetëm ta mësojnë, por edhe ta përsosin cilësinë e të folurit dhe të shkruarit në gjuhën amtare shqipe, po ashtu patën një përkushtim të mirëfilltë dhe dëshirën për të përdorur drejt e pa gabime gjuhën shqipe.

Po të bëhen gjërat që u thanë më lartë, edhe Agjencia e Zbatimit të Gjuhës, do ta ketë më të lehtë të ndihmojë procesin e zbatimin e plotë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ky institucion tanimë ka drejtues të përkryer, kompetent si dhe ekipin e duhur, që angazhohet dhe punon për arritjen e këtyre qëllimeve. Në këtë Agjenci nuk mungon vullneti e as përkushtimi në punën e përditshme të saj, për të krijuar kushtet, që gjuha shqipe të jetë në përdorim zyrtar në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike, kudo ku jemi ne, aty ku flitet shqip.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat