Ai kishte virtyte njerëzore

Kultura

Ai kishte virtyte njerëzore

Nga: Zymer Mehani Më: 23 gusht 2023 Në ora: 12:42
Zymer Mehani

Gjithçka flitej e përflitej për të, ashtu siç është zakon te ne. Kujt t'i besohej? Askujt! Shumë "miq" të tij shpifnin për të e gënjenin. Vetëm të vërtetën nuk e thoshin. Kështu bartnin thashethëna e shpifje disa hipokritë e biramelë, por, megjithatë, askush s'u besonte, e aq më pak, s'u besoja as unë.

Me gjallje të tij, vendi ku paraqitej ai, vizitohej gjithnjë e më shumë, jo se e donin, por për përfitime nga më të ndryshmet prej tij. Kështu gjithkund, por edhe te ne veprojnë njësoj hipokritët, ngase u shkon për shtati.

Kur e takonin atë, e përqafonin fuqishëm dhe ia shtrëngonin dorën si me darë, duke i zgjatur e stërgjatur duart, ngase ishin të disponuar "ta përqafonin" aq gjatë, sa s'ia këputnin edhe qafën!... Duart u rriteshin e u zgjateshin në pafundësi.

Vallë, ç'ishte gjithë ky "respekt" ndaj tij?!... Përpiqesha ta kuptoja duke e studiuar çdo detaj, por rezultati  s'doli pozitiv.

Gjithçka ishin në gjendje të thoshin e të trillonin, kur ai nuk ishte prezent, e ne atyre s'u besonim kurrë...

-Ai s'ka ndonjë shkollë të përfunduar, është pa fakultet,-thoshte njëri.

-Po, ai kurrë s'e fut dorën në xhep për t'na qerasë,-ia priste tjetri. Atyre s'u mungonte brutaliteti për ta fyer e përgojuar atë. Gjithfarë emrash përmendnin lidhur me të.

A ishte e mundur kjo dhe pse?!...

Dora e ngritur në lartësinë e syve u bë përshëndetje e këtyre, sa herë takoheshin me të. Kush e di, ndoshta gjithkujt u drejtohen në këtë mënyrë!

E ai që ishte lis mali, i tëri i brumosur me edukatë dhe përplot virtyte njerëzore, i shikonte këta, qetë-qetë dhe sikur e verifikonte "besnikërinë" e secilit veç e veç.

Jam i sigurt se sytë e tij, edhe nga kopërtina e librit, edhe nga pllakata e zbehtë, edhe... janë në gjendje t'i kuptojnë mendimet e këtyre, t'i verifikojnë dhe t'i çmojnë "ndjenjat" e këtyre dhe shkallën e "besnikrisë dhe të sinqeritetit" të këtyre (të hipokritëve).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat