Skënderbeu edhe në Paris

Kultura

Skënderbeu edhe në Paris

Më: 8 qershor 2016 Në ora: 17:15
Skenderbeu

Një statujë në nder të Gjergj Kastriot Skënderbeut do të plotësojë sheshin me emrin e tij në Paris. I ndodhur në zonën 19 të kryeqytetit francez, sheshi “Skanderbeg” mori këtë emër në vitin 1967, ndërsa prej afro 50 vitesh vuan mungesën e një statuje në nder të heroit kombëtar.

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Restaurimeve, Agim Rada, prej kohësh ka nisur punën për të paraqitur figurën e heroit me të gjitha komponentët, e për të mbërritur në bocetin final, ai thotë se i janë dashur të bëjë dhjetëra të tillë. 

“Për të arritur këtë ide, që të mos jetë thjesht një luftëtar me një shpatë në dorë, si një njeri që ka mundur turqit. Ka qenë prijës dhe unë jam munduar ta paraqes si udhëheqës”,  shprehet Agim Rada, drejtor i Qendrës Kombëtare të Restaurimeve.

Skënderbeu i ‘Parisit’ do të ketë kokën lart, pasi skulptori synon të paraqesë vizionin e tij largpamës, ndërsa nuk do të mungojnë edhe elementë të krishterimit si kryqi dhe shqiponja, simbol i stemës së Kastriotëve. 

"Po të shikoni me kujdes shpata sinjifikon kryqin, që mbrohet nga kjo mburojë me shqiponjë. Edhe mbrapa kësaj është figura e Skënderbeut, me njërën dorë që nuk e ka agresive, kurse dora tjetër që mban mburojën është agresive, është si kthetër, ndërsa tregon që ne jemi në mbrojtje nuk jemi në sulm”, shprehet Rada. 

Statuja do të jetë e lartë rreth 5 metra, ndërsa mendohet se do të jetë gati rreth muajit nëntor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat