Ekspozohet në Tiranë fustani popullor i Nënë Terezës

Kultura

Ekspozohet në Tiranë fustani popullor i Nënë Terezës

Më: 19 tetor 2016 Në ora: 14:39
Veshja popullorr

Në kuadër të ditës së Lumturimit të Nënë Terezës, Bashkia e Tiranës dhe Agjencia për Zhvillim Rajonal 2 Tirane çelën në Muzeun Historik Kombëtar ekspozitën, “Trashëgimi kulturore nga vendi i Nene Terezës”, ku për herë të parë ekspozohet për publikun, kostumi popullor i shenjtores shqiptare.

Bëhet fjalë për një kostum me motive karakteristike të qytetit të Prizrenit (vendi i origjinës së nënës së Nënë Terezës), që ajo e mbante në moshën 16-17 vjeçare. Kostumi përbëhet nga këmisha, copë e mëndafshtë e endur nga gratë e Prizrenit, jeleku i qëndisur nga mjeshtra qëndistarë të këtij qyteti, shalli dhe dimitet.

Pjesë e kësaj ekspozite janë edhe 54 objekte të tjera, pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore nga dy qendrat më të zhvilluara politike-ekonomike-tregtare dhe kulturore shqiptare të shek. XIX dhe fillimi i shek. XX, respektivisht Shkodrës (vendlindja e babait të Nene Terezës) dhe Prizrenit (vendlindja e nënës së Nënë Terezës). Në çeljen e kësaj ekspozite morri pjesë edhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, i cili theksoi se është privilegj për Tiranën që të presë sot ekspozitën kushtuar Nënë Terezës dhe ku paraqitet për herë të një nga objektet e saja, siç është fustani tradicional popullor. Ai theksoi se kjo ekspozitë duhet të shërbejë edhe për të ndërgjegjësuar qytetarët me ndjenjat humane dhe sakrificën e Nënë Terezës për të ndihmuar të pamundurit.

“Nga ana tjetër, kjo është një ditë e madhe, ku nëpërmjet kësaj ekspozite bën vetëm pikënisjen e një reflektimi qytetar që duhet të ketë gjithsecili, reflektim i cili duhet të mbështetet në tre linja që kjo grua e madhe, kjo nënë e botës i kishte të përditshme në punën e saj; mirësia, paqja dhe mbi të gjitha dashuria dhe ky qytet ka nevojë për këto tre elementë, ka nevojë për këto tre kolona, në mënyrë që të bëhet një qytet i jetueshëm dhe një qytet i të gjithëve”, tha Seferi në hapjen e kësaj ekspozite.

Ai bëri të ditur se në kuadër edhe të këtij misioni, Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë sërisht nismën “Tirana dhuron”, ku qytetarë të ndryshëm mund të dhurojnë sendet e tyre për ata që sot kanë nevojë për ndihmën e shoqërisë.

“Edhe Bashkia e Tiranës, pikërisht duke u nisur nga ky frymëzim ka bërë një nismë dhe tashmë e ka kthyer në traditë, nismën “Tirana dhuron” . Në çdo qoshe të Tiranës, në çdo vend, sot për shembull janë vullnetarët, janë njerëzit përkatës të cilët mundësojnë mbledhjen e shumë sendeve personale për të cilat ne nuk kemi nevojë por mbi të gjitha bëjnë të mundur organizimin që gjithsecili nga ne mund të japë përveç sendeve, por mund të japë edhe kohën e tij për njerëzit që kanë nevojë”, u shpreh Seferi.

Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat