Ndërron jetë mjeshtri i Cirkut Kombëtar, Fatos Roshi

Kultura

Ndërron jetë mjeshtri i Cirkut Kombëtar, Fatos Roshi

Më: 5 janar 2017 Në ora: 13:35
Fatos Roshi

Ka ndërruar jetë sot, Fatos Roshi, mjeshtër i Cirkut Kombëtar. Ceremonia e përcjelljes do të organizohet në Cirkun Kombëtar ditën e premte, datë 06.01.2017 nga ora 9:00-11:00, siç njoftoi institucioni.

Fatos Vehbi Roshi është lindur në Tiranë më 30. 04. 1956. Karrierën artistike e ka filluar në vitin 1963 pranë Ansamblit Akrobatik dhe është aktivizuar për herë të parë në shfaqjen ‘‘Fluturime Akrobatike’’ në vitin 1964 me numërat ‘‘Biçikleta mbi piedestal’’ dhe ‘‘Katërshe akrobatike’’.

Gjatë viteve në vijim u aktivizua dhe u kualifikua si artist amator deri në gusht të vitit 1972, vit në të cilin u emërua akrobat profesionist.

Në tetor 1975 ishte për specializim një vjeçar në RP të Kinës nga ku u kthye me një bagazh të jashtëzakonshëm dhe i plotësuar profesionalisht në profilin e ekuilibrit dhe të numërave të shpejtësisë.

Në vitet 1976-84 u largua nga rradhët e cirkut për arsye politike dhe punoi në Kombinatin e Tekstileve si mekanik. Në vitin 1984 rifilloi marrëdhëniet e punës si akrobat në Cirkun e Tiranës.

Në vitet 1984-86 ka kryer studimet e larta në Institutin e Kulturës Fizike ‘‘Vojo Kushi’’.

Gjatë karrierës artistike është shquar në realizimin e numërave të nivelit bashkëkohor në profilet e akrobacisë, ekuilibrit, kllounatës dhe prestigjatorit.

Gjatë gjithë viteve të angazhimit në trupën e cirkut është karakterizuar nga thjeshtësia, inisiativa dhe përkushtimi për t’i shërbyer me devotshmëri artit të cirkut.

Vlerësimin për arritjet e ka marrë në të gjitha qytetet e fshatrat anembanë Shqipërisë ku ka dhënë shfaqje.

Gëzon respektin dhe simpatinë e kolektivit të cirkut, rezultat ky i një jete dhe veprimtarie tejet aktive prej gati 40 vjetësh në Cirkun shqiptar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat