Java e Bibliotekës këtë vit trajton të drejtën e autorit

Kultura

Java e Bibliotekës këtë vit trajton të drejtën e autorit

Më: 11 prill 2017 Në ora: 09:28
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku

(E plotësuar) - Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” të martën ka filluar edicioni i 15 i Javës së bibliotekës, që këtë vit për temë ka “E drejta e autorit dhe biblioteka”.

Me këtë rast u tha se task-forca kundër piraterisë deri diku tash ka bërë një punë shumë të mirë, po u kërkuar më shumë punë në këtë drejtim, derisa një brengë tjetër u shfaq edhe plagjiatura, për të cilën u tha se është kancer, i cili shkatërron themelet e besueshmërisë së institucioneve edukative.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, tha se veprimtaria e Javës së bibliotekës ka një lidhje me idenë e ndërgjegjësimit publik për bibliotekat.

Gajraku: Ka një lidhje me idenë e ndërgjegjësimit publik për bibliotekat

“Java e bibliotekës, veprimtaria e saj e ka një lidhje me idenë e ndërgjegjësimit publik për bibliotekat, si t’i motivojmë njerëzit për të lexuar, si t’i mbështesim që ata t’i përdorin bibliotekat, si t’i transformojmë bibliotekat, si t’i bëjmë bibliotekat një mjedis banimi ku jo vetëm lexohet, studiohet e hulumtohet, por edhe krijohet. Si të krijohen miq të bibliotekës që jo vetëm japin pasurinë e tyre, por kërkojnë edhe nga të tjerët që ta japin atë”, tha ai.

Sipas tij, qëllimi i Javës së bibliotekës është mbledhja e një rrjeti të gjerë të njerëzve, akademikëve, mësimdhënësve, lexuesve, qeveritarëve.

Gajraku: Qëllimi i javës është për të mbledhur një rrjet më të gjerë të njerëzve

“Qëllimi i javës nuk është për të mbledhur komunitetin bibliotekarë në vetvete, këshillin e tyre, por një rrjet të gjerë njerëzish, akademikë, mësimdhënës, lexues, qeveritarë, krijues të politikave dhe financues me të cilët bibliotekarët duhet të zbulojnë vlerën më të thellë të investimit në bibliotekë. Dhe për më shumë për një kthesë të sigurt të të menduarit dhe të të vlerësuarit të punës sonë atë që e kërkojmë gjatë gjithë kohës, duhet t’i japim shembullin ne që punojmë në biblioteka. Në kontekstin tonë Java e bibliotekës së Kosovës jo vullnetshëm po lëmë anash aktivitete relaksuese e kreative si një ftesë për librin e bibliotekat dhe ata që i përdorin ato, për të mbërthyer një veprimtari të natyrës akademike që përkon me nevojat që kanë bibliotekat për të sanuar dhe korrigjuar devijimet që mund t’i kenë, sepse ne nuk mund të sillemi me bibliotekat sipas parimit naiv po bëjmë sa po mundemi, çfarë po dimë dhe sa po dimë”, tha ai.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se bibliotekat janë themelet e një shteti të shëndetshëm dhe burim më i plotë i kërkimit të informacionit.

Image

Mustafa: Bibliotekat janë themelet e një shteti

“Bibliotekat, siç dihet, janë themelet e një shteti të shëndetshëm, bibliotekat u japin njerëzve mundësinë të përjetojnë ide të reja, të bëjnë kërkime shkencore, të mbledhin dhe të shpërndajnë përshtypjet të mrekullueshme prej përfitimit që kanë gjatë përdorimit të tyre. Bibliotekat, po ashtu, reflektojnë diversitetin e karakterit, nevojat dhe pritjet e njerëzve, hulumtuesve, profesorëve, studentëve, nxënësve dhe këto janë pritjet që ne i kemi dhe që i realizojmë nëpër biblioteka. Biblioteka, po ashtu, është një burim më i plotë i kërkimit të informacionit, informacion ky i domosdoshëm për neve, i nevojshëm për njerëzimin si në aspektin profesional, po ashtu edhe për familjarë dhe për zyrtarë”, tha ai.

Ndërsa, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, tha se mbrojtja e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe të drejtës së autorit janë thelbësore për zhvillimin e një ekonomie.

Ai shtoi se sa herë që viziton dyqanet e mëdha sheh një lloj përzierje të mallit legjitim dhe mallit të falsifikuar, që sipas tij Kosova duhet të arrijë pikën ku malli i falsifikuar është përjashtim, e jo diçka e zakonshme.

Image

Delawie: Kosova është një treg i vogël

“Kosova është një treg i vogël dhe deri tash ia ka dalë që t’i ikë pak a shumë atij radari global për çështje që kanë të bëjnë me të drejtën e pronësisë intelektuale, por sa herë që vizitoj dyqanet e mëdha këtu e shoh një farë lloj përzierje të mallit legjitim dhe mallit të falsifikuar. Kosova duhet të arrijë pikën ku malli i falsifikuar është përjashtim jo diçka e zakonshme. Task-forca kundër piraterisë deri diku tash ka bërë një punë shumë të mirë, megjithatë dëshiroj që t’i shoh duke u përqendruar dhe duke e shtuar vëmendjen edhe më shumë, si dhe dëshiroj të shohë më shumë palë të përfshirë në këto çështje”, tha ai.

Ai tha se plagjiatura është kancer, i cili shkatërron themelet e besueshmërisë së institucioneve edukative, andaj u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të punojnë më shumë në këtë çështje, për të siguruar kualitet më të lartë të arsimit.

Delawie: Plagjiatura, kancer që shkatërron themelet e institucioneve edukative

“Çështja e dytë, për të cilën dua të flas ka të bëjë me të drejtat e pronësisë intelektuale në mjedisin akademik. Integriteti akademik përbënë thelbin e botës akademike, mbajtja e standardeve akademike, rreptësisë në hulumtime dhe botime është thelbësore për zhvillimin e sistemit shkollor të klasit botëror, është çështje morale dhe po ashtu çështje etike. Plagjiati në klasa prej studentëve e deri te mësimdhënësit përbën kancer që i shkatërron themelet dhe besueshmërinë në institucionet edukative. I nxis të gjitha institucionet akademike të Kosovës që të punojnë më me mund në këtë çështje, sepse duhet ta merrni seriozisht këtë punë në mënyrë që të siguroni cilësi të arsimit”, tha ai.

Këshilli i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, i ka ndarë çmimin “Pjetër Bogdani” Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kontributin e çmueshëm në zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Po ashtu, u nda mirënjohje edhe për Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, për grupin “Koha”, për familjen e Esat Mekuli.

Java e Bibliotekës në Kosovë me temën “E drejta e autorit dhe biblioteka” që nga sot do të zgjasë deri më 15 prill.

Nis “Java e Bibliotekës”

Nga sot deri më 15 prill do të shënohet “Java e Bibliotekës”.

Me rastin e shënimit të kësaj jave, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka organizuar disa aktivitete si: ligjërata, ekspozita dhe promovime librash.

Në hapjen e “Javës së Bibliotekës do të marr pjesë edhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat