Spektakël madhështor në "Art Center Blue Sky"

Kultura

Spektakël madhështor në "Art Center Blue Sky"

Ramazan Çeka Nga Ramazan Çeka Më 6 janar 2018 Në ora: 14:51
Shkodra shtron sofrën bujare 2017

Në mbylljen e veprimtarive të çdo viti, të cilat përkojnë me festa shumë të rëndësishme siç janë Krishtlindjet dhe Viti i Ri në gjithë Shqipërinë organizohen mbrëmje dhe shtrohen sofra për të kaluar në mënyrë sa më festive të gjithë së bashku, për t'u takuar me miq, shokë e dashamirë, me njëri-tjetrin, larg ceremonive zyrtare, por me këngë, me valle, me humor, e mbi të gjitha me urimet për familjet, e në mënyrë të veçantë për një të atdhme sa më të bukur për fëmijët e tyre. Këto janë sofrat e gëzimit në çdo cep të Shqipërisë, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Europë, në Amerikë, e deri në Australi.

Shqiptarët bëhen së bashku si në një dasëm të madhe kudo që janë, duke kënduar shqip, duke kërcyer vallet shqiptare, e mbi të gjitha duke uruar njëri-tjetrin me përshëndetjet më të bukura që na ka trashëguar gjuha jonë e bukur shqipe.

Unë që po bëj këtë shkrim kam përjetuar shumë nga këto sofra, brenda dhe jashtë Atdheut, por natyrisht ajo që mua më ngroh dhe më entuziazmon më shumë është "Sofra Shkodrane", sofra e qytetit tim të mrekullueshëm, sofra e këngëve dhe humorit, sofra e një qyteti bujar që ka 17 vite që shtrohet, ashtu siç thonë shkodranët "tuj ja lanë vedit mrekullinë". Dhe e dini pse, ashtu siç thotë një këngë e mjeshtrit të madh Bujar Qamili "Qejfi bahet me shkodranë".

U shtrua pra kështu "Sofra Shkodrane" nën kujdesin e Agjensisë së Spektakleve "Jehona e Shkodrës" me producent z.Xhelal Halili në një ndër qendrat më prestigjioze të kulturës e artit në Shkodër, në "Art Center Blue Sky" ku kishte me qindra pjesëmarrës që nuk mund ta humbnin këtë rast, pasi spektakli kishte në gjirin e vet artistë të mrekullueshëm të këngës, si: Bujar Qamili e Mukades Çnga, "Mjeshtra të mëdhenj", Eduart Jubani, Eli Fara, Shaban Gjekaj, Hajro Pepaj, Rezarta Smaja, Klodiana Vata, Anisa Smajlaj, Lirim Gjonbiba, Shaqir Cërvadiku, Fidaim Aliu, si dhe grupi polofonik "Bilbilat" i Mallakastrës.

Tavolinat e shtruara në sallën gjigande në këtë qendër, dukej sikur formonin një sofër të madhe, pasi të gjithë pjesëmarrësit në çdo moment këndonin së bashku, kërcenin së bashku, gëzonin së bashku si një sofër e vetme.

Intermexot humoristike të realizuara nga humoristët e mëdhenj të humorit shkodran me numrat e tyre satirikë, me thumbat që vënë në lojë problemet e ndryshme sociale e politike, me barcoletat dhe bejtet e mrekullueshme e kthyen këtë sofër në një mbrëmje të vërtetë qytetare dhe familjare.

 Ishin interpretimet e aktorëve të mrekullueshëm, të mjeshtarave të mëdhenj Gëzim Kruja e Zef Deda, Drande Xhai, Edmond Halili, Enejda Kruja, humoristët e "Alpazarit" Tan Brahimi dhe Lemi.

 "Sofra Shkodrane", e cila siç e cilësuam më lart ka 17 vite që shtrohet në vigjilje të festave të fundvitit, ka krijuar kështu traditën e saj, duke kapërcyer që në fillimet e veta edhe vështirësi të ndryshme, jo vetëm organizative, por edhe financiare, por  si çdo gjë që ka fillimet e mira, vjen e konsolidohet, merr formën e saj dhe natyrisht kur ka suksesin dhe bashkëpunimin, krijon edhe traditën. Prandaj mendojmë se tashmë "Sofra Shkodrane" e meriton të quhet një sofër tradicionale, jo vetëm si vazhdimësi e këtyre festave më parë, por edhe si meritë e z.Xhelal Halili, i cili e ka ideuar dhe mbajtur gjallë, duke e bërë çdo vit e më shumë të mirëpritur nga qytetarët e Shkodrës.

Nuk është e lehtë një gjë e tillë, por eksperienca fitohet dhe prandaj unë mund ta quaj këtë mbrëmje të mrekullueshme, një spektakël të vërtetë artistik.

Në këtë sofër nuk mund të mungonin edhe miq të nderuar që edhe vetë merren me organizime të tilla. Ishte pra i pranishëm edhe Presidenti i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar z.Azgan Haklaj "Mjeshtër i Madh", i cili prej 10 viteve e mbështet këtë veprimtari, sepse siç shprehet ai vetë: "Sofra Shkodrane" është, jo vetëm e Shkodrës, por e gjithë Veriut. Askush më bukur se ajo nuk na përfaqëson vlerat e mëdha që ka tradita bujare e trevave tona, deri në Kosovë e në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë jashtë kufinjëve të atdheut".

Unioni Artistik i Kombit Shqiptar gjithmonë i pranishëm në veprimtari të tilla mbarëkombëtare, por edhe në këtë ngjarje të madhe artistike, vlerësoi punën e jashtëzakonshme që bëhet për përçimin dhe njohjen e kulturës tonë kombëtare në të gjitha fushat, duke nderuar me titullin e lartë "Misionar i Kombit" z.Gëzim Brahusha, president i "Art Center Blue Sky", motivacioni i të cilit, shpreh mirënjohjen jo vetëm për këtë shkodran të apasionuar, por edhe për veprimtarinë e institucionit të tij, i cili që në themelim ka qenë misionar i vërtetë i kulturës shqiptare brenda dhe jashtë atdheut.

Unioni Artistik vlerësoi gjithashtu edhe këngëtaren e mrekullueshme Eli Fara dhe këngëtarin nga Kosova Shaqir Cërvadiku.

Por edhe vlerësimet nga Agjensia e Spektakleve "Jehona e Shkodrës" nuk munguan për artistët e ftuar. Ishte këngëtari Fidaim Aliu nga Kosova që u nderua, duke i shprehur atij mirënjohjen për pjesëmarrjen në "Sofrën Shkodrane".

Atmosfera e kësaj mbrëmje nuk njihte minuta as orë. Ritmi i muzikës, dollitë e shoqëruara me urimet më të përzemërta, këngët e bukura të shoqëruara me valle po kaq të bukura, zërat e mrekullueshëm të këngëtarëve shkodranë, por edhe të këngëtarëve të ftuar enkas në këtë sofër si Shaban Gjekaj e Eli Fra, shoqëruar nga orkestra e mrekullueshme, me prazentimin brilant të moderators gjigande Silvana Braçe, vazhduan deri në orët e para të mëngjesit, duke na kujtuar dasmat tradicionale shkodrane, ku mblidheshin tek një oborr për të festuar të gjithë së bashku gëzimin e të zotit të shtëpisë, ku shkodranët gëzonin bashkë me të dhe shijonin mrekullitë e këngës popullore dhe humorit të papërsëritshëm shkodran.

Kjo është tradita shkodrane, ku të gjithë mblidhen e festojnë së bashku, por kjo është edhe një traditë e organizuar, e cila vit pas viti i sjellë një kënaqësi të madhe qytetarëve të Shkodrës, sepse ngjarje të tilla ata do t'i mbajnë mend për shumë kohë, e aq më bukur, sepse vit pas viti vijnë e marrin pjesë brezat më të ri, të cilët janë ata që do ta mbajnë gjallë këtë traditë.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat