Bisedë në Mitrovicë!

Kultura

Bisedë në Mitrovicë!

Nga: Kadri Tarelli Më: 7 janar 2018 Në ora: 22:10
Mitrovica

Mitrovicë e bukur, pse mbetesh e ndarë,

Veriu me serbë, jugu me shqiptarë?

Ibri shkon në mes, me këngën e vrarë,

Nuk e dimë ç’thotë, kur tërhiqet zvarrë!

 

Eh, i ziu lumë! Ç’ka hequr, ç’ka parë!?

Europa plakë, mëkate mbet pa larë.

Nuk u ngop me hile, kufirin na la çarë.

Ç’faj i kemi bërë, që mban ndezur zjarrë?

 

Isa Boletini, ngrysur rri përballë.

I derdhur në bronx, thotë jam i gjallë!

U ktheva mes jush, s’e shuaj dot mallë.

Jeta më shkoj luftë dhe s’e zgjidha hallë.

 

Eh! Kosov’ e lirë, nuk po mbyll dot gardhë.

Fort po piskat Ibri, me valë të bardhë!

Shkau po na qesh, ne prap të përçarë,

Kush e kush të duket, cili është i parë!

 

“Tre qet’ dhe ujku”, përrall’ e vjetër shumë.

Për ne po tregohet, mos rrimë në gjumë?

Botën e çuditëm, me sherr në kuvend!

Ç’mallkim po na ndjek, që nuk vumë mend?

 

Mitrovicë dardane, sot e jona je.

Thesare nën tokë, lule përmbi dhe.

Zoti të bekoi, si dhuratë për ne.

Mos i beso shkaut, bën sikur po fle.

 

Mitrovicë shqiptare, largoji ato re!

Unë nuk i dua, serbi nuk më le.

Do shpëtoj nga ndarja, do këndoj me zë,

kur Tirana - Prishtina, do të bëhen një.

 

Do thërras dallëndyshet, të bëjnë fole,

Lejlekët përmbi Ibër, të shkojnë më nge.

Dielli kur të lindë, do të shkoj atje,

Te Isa, që do paqe, flamur e atdhe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat