Vështrim për poezinë e poetit Murat Gashi... - Bota Sot
Vështrim për poezinë e poetit Murat Gashi...

Kultura

E shtunë, 20 janar 2018

Vështrim për poezinë e poetit Murat Gashi...

Nga: Zymer Mehani Më: 8 janar 2018 Në ora: 12:29
Kopertina e librit

Këtyre ditëve të fundvitit fondi i letërsisë sonë po pasurohet edhe me vëllimin poetik “Zemra më flet”
të poetit Murat Gashi.

Cili është poeti Murat Gashi?

Krijuesi, Murat Gashi u lind më 15 maj 1957 në Hoçë të qytetit-Prizren. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse gjimnazin në Prizrenin e freskave të lashta poetike. Në Prishtinë i kreu studimet në Fakultetin e Bujqësisë dhe menjëherë pas diplomimit u punësua në KBI “Progres export” të Prizrenit.

Bota poetike e krijuesit, Murat Gashi nisi të zgjerohej për të shkruar e punuar me vrull e vullnet, sidomos pas vitit 1981, kur filluan ngjarjet historike të Kosovës, që për krijuesin Gashi do të jenë burim i pashtershëm frymëzimi poetik.

Pas vëllimit poetik të parë “Zdirgjem në ulërimë” të botuar në vitin 1995, poeti Murat Gashi, para lexuesve na vjen edhe me vëllimin e dytë me poezi lirike. Gjatë leximit të dorëshkrimit të Gashit, menjëherë u bindëm se kemi të bëjmë me një krijues, për të cilin themi se është ndër më të shquarit në çastet e tanishme të botimeve poetike te ne, duke u bazuar në nivelin artistik të krijimeve të tij.

Poezinë e poetit Murat Gashi lexuesi do ta marrë dhe do ta pranojë edhe si ndjenjë, edhe si mbresë raportesh të përditshme me të gjitha ngjyrimet jetësore, por edhe si funksion të kësaj ndjenje në të shprehurit e afshit ndaj së vërtetës dhe bukurisë, si manifestim estetik në jetë; si kënaqësi në të përjetuarit e jashtëm të jetës, por edhe si dëpërtim të domosdoshëm në thelbin e jetës shpirtërore, në të gjitha finesat kryesore të intelektit dhe të shpirtit të njeriut, në problemet dhe në shqetësimet e tij. Prandaj, këto fakte na shtyjnë që poezinë e poetit Murtat Gashi ta quajmë krijim suptil dhe madhështor të botës imagjinative dhe emocionale të tij, madje edhe në ato raste kur është rezultat ndjenjash intime dhe të thjeshta, i vrullit dhe shtytjeve të brendshme. 

E tillë është, pra, poezia e Gashit, ngase trajton probleme dhe mendime të ndryshme njerëzore, çaste gëzimi a pikëllimi të drejtpërdrejtë, të thurura me stil të veçantë dhe me gjuhën e fantazisë dhe sensit krijues.

Duke i pasur parasysh të gjitha këto konstatime, me të drejtë nga poezia e poetit Murat Gashi, ashtu siç kemi pritë, kemi gjetur ravijëzime të jetës me të gjitha peripecitë e saj, çfarëdo qofshin ato, të transponuara me mjete të zgjedhura dhe të kuptueshme.

Pra, në këtë vështrim për poezinë e poetit Murat Gashi, po flasim për vlerat poetike të autorit. Vargjet dhe poezitë e tij janë ndërtuar me kritere artistike dhe si të tilla ato janë kualitete të plota dhe të vërteta, të pamohueshme.

Poezisë së Gashit s’i mungon as vërtetësia në të soditurit e jetës bashkëkohore dhe raporteve të ndryshme në të. Në këto poezi gjejmë edhe shumë gjëra të tjera që i kërkojmë. Janë këto gjëra elementare për jetën, që janë edhe indi kryesor i poezisë së Gashit.

Duke e lexuar poezinë e Gashit, ne gjurmojmë vëmendshëm të vërtetat jetësore, iluzionet dhe ëndrrat që mbajnë vargjet e poetit dhe vërejmë se sa dashuri ushqejnë ato ndaj së vërtetës.

Dhe fare në fund, konstatojmë se tematika e vargjeve të poetit Gashi, llojet e vargut dhe metri janë të ndryshme. Gjuha që ka përdorur, është e thjeshtë, por e pastër. Vargjet janë përplot figuracion poetik. Të gjitha këto elemente vëllimit poetik “Zemra më flet” i japin vlerë të lartë dhe poetit, Murat Gashi i sigurojnë vend të denjë dhe meritor në letërsinë tonë shqipe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test