Dialog me pasionanten e muzikës e letërsisë Dylbere Hoxha

Kultura

Dialog me pasionanten e muzikës e letërsisë Dylbere Hoxha

Nga: Andi Bica, Beti Kumi Më: 9 janar 2018 Në ora: 11:52
ilustrim

Harresa nuk ia del dot të mbulojë  shpirtin e qeshur e të talentuar të Dylbere Hoxhës.  Në dhomën e ngushtë  ku qëndron ,  rrethuar nga fotografitë e familjes , portreti i saj rinor  e i buzëqeshur me sytë ëndrrimtarë të përfshin menjëherë.  Teksa fillon të mërmërijë  këngët e pëlqyera  në rini ,  si " O bylbyl , o  më i bukuri  i shpendëve "  ose  " Kur perëndon dielli "  ,   ndihet një ngazëllim i brendshëm që e bën të na largojë në një tjetër përjetim.  Kjo zonjë e mbështetur mbi jastëkun e shplodhjes nga mundimet , sapo dëgjon të flitet për muzikën, menjerë çelet në fytyrë dhe impostohet  në krevat, ashtu  si një soprano profesioniste në skenë.  Nën këtë lagështirë të banesave të pa mirëmbajtura , ajo  na kujton fenomenin e harresës në gjallje të aktores  së njohur Antoneta Papapavli  në shtëpinë e saj  ose izolimin  e këngëtares lirike të persekutuar  Safet Sokoli, të cilës iu ndalua shansi i interpretimit mbi skenë.  

Sapo hyjmë në oborrin  e shtëpisë tiranase të familjes Hoxha në rrugën " Ali Pashë Gucia" , pranë gjimnazit "Partizani" të Tiranës ,  ndiejmë tingujt e një muzike të vjetër por të njohur. Monda , vajza e shtëpisë na fton me dashamirësinë e saj , duke na shtruar tryezën me ëmbëlsira  të personalizuara nga duart e saj. Më vonë ajo na shoqëron për tek "oda" , dhoma e vogël modeste e hallës së saj nga ku vinte kjo melodi.  Hai ,siç e njohin, e cila megjithëse ishte e sëmurë e shtrirë në shtratin e saj , na buzëqesh me një gëzim prej fëmije.  Nisim të bisedojmë me të dhe habitemi kur nga memoria e shpirtit të saj dalin poezi dhe këngë pafund. Këto motive i interpreton përmendësh në kushtet e frymëmarrjes së rënduar.  Mësojmë nga mbesa e saj Monda Hoxha që kishte dy muaj në gjëndje shtrati.  Megjithatë ngazëllimi i brendshëm erdhi natyrshëm kur na takoi si bashkë vlerësues të artit me të njëjtat antena shqisore.

Hai kujton me nostalgji  aventurën e leximit  të romaneve të letërsisë ruse dhe franceze. Ajo ka udhëtuar mes librave  me imagjinatën e lirë,  duke e parë veten brenda kostumit të Ana Kareninës ose Zonjës Bovari. Është  përkundur në lisharësen e ndjesive nga Viktor Hygoi ose  Leon Tolstoi duke u zgjuar  e kënduar mbrapa skenave shqiptare me Bik Ndojën  e Shyqyri Alushin e duke bashkuar fillin e qëndismave me fjalët e muzikën  romantike. Rizgjimi i ëndrrave dhe dëshirave  të kësaj jete të jetuar mes  kufizimeve e ndalesave të sistemit dhe mendësisë së kohës,  na dhuron një emocion të bukur por të dhimbshëm.

 Hai ,  tërë jetën e saj e ka dashuruar artin e muzikës, pasi ajo kish një zë melodioz dhe shpesh e thërrisnin nëpër koncerte edhe pse profesioni i saj ishte rrobaqepëse "stiliste" e njerëzve të rëndësishëm të kohës. Në mur qëndron dhe një vlerësim i quajtur "Dipllomë" dhënë  nga autoritet lokale të para shumë viteve. Humbja e shanseve të njerëzve pasionantë  nga njëri brez në tjetrin, me ndjeshmëri artistike duket sikur fatmirësisht po ndalet së përsërituri në Shqipëri.  Sot njerëzit me vlera mund të prezantohen para publikut në programet televizive për talentet , emisjonet radiofonike për kulturën ose artikujt e botimet në portalet e gazetave  e revistave në internet.  Duke ecur në kopshtijen e  rrethuar nga pemë hurmash të pjekura që bien , me qitro e agrume të tjera si  dhe  dy pemë dafine që parfumojnë ajrin rrotull  kësaj shtëpie të vjetër mbi 100 vjeçare ;  ndihet  "shpirti i pasur" dhe ngrohtësia njerëzore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat