Poezi e ndërtuar me semantikë të pasur dhe variacione figurash letrare

Kultura

Poezi e ndërtuar me semantikë të pasur dhe variacione figurash letrare

Nga: Ryzhdi Baloku Më: 11 janar 2018 Në ora: 18:18
Kopertina e librit

Shkrimtari nga Gjakova, Tahir Bezhani është i njohur për lexuesit si një krijues i dëshmuar me nëntëmbëdhjetë vepra të botuara nga zhanre të ndryshme letrare, shumica prej të cilave me poezi.

Një pjesë të këtyre librave i kam dhuratë nga autori, njëri nga ta me titullin "Lojë hijesh" kishte të shënuar përkushtimin, të cilin ma kishte dedikuar me 6 qershor të asaj kohe, datë kjo që përputhej me ditëlindjen time. Ishte kjo datë një motiv që më nxiti ta përzgjedh këtë vepër, për t’i analizuar vlerat e saj letrare artistike.

Vëllimi poetik “Lojë hijesh” i poetit Tahir Bezhani, përmban 85 poezi të ndara në pesë njësi: “Lotime të thara” 17 poezi , “Dhimbje të ngrira” 20 poezi, "Tkurrje jete" 8 poezi, “Letër babait” 7 poezi dhe "Fluturoj pas lotit" 33 poezi.

Pas leximit të vëmendshëm të këtij libri me poezi hetohet se një pjesë e biografisë së autorit është tematikë parësore që është trajtuar në krijimtarinë poetike të kësaj vepre prej 114 faqesh. Me këtë shkrim  do t’i cek disa të dhëna biografike që kanë ndikuar në krijimtarinë e këtij poeti.

Tahir Bezhani është i lindur në vitin 1947 në fshatin Smolicë. Babai i tij Avdullahu ishte i këtij fshati të Gjakovës, ndërsa nëna Raze e familjes Hajdarmataj nga fshati Zogaj të Tropojës.

Prishja e marrëdhënieve mes Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë në vitin 1948 u pasua edhe me prishjen e marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë, të cilat do të mbesin të këqija, pothuajse tërë kohën, me pak ndryshime deri në vitet e nëntëdhjeta të shekullit njëzet.

Acarimi i këtyre marrëdhënieve do të pasojë me mbyllje hermetike të kufirit në mes të Jugosllavisë dhe Shqipërisë, me ç'rast u bë e pamundur lëvizja e njerëzve nga të dyja anët dhe shumë familje mbetën të ndara, për çfarë nënëlokja e Tahirit vdiq me mall pa i parë familjarët e saj. Të gjitha vuajtjet e saja sa ishte gjallë u reflektuan edhe te fëmijët, që nënkuptohet edhe te i biri, Tahiri.

S'duhet harruar se në kohën e asaj ndarjeje "berlineske" të kufirit në mes të shqiptarëve, teknologjia e komunikimit nuk ishte e nivelit siç është sot.

Meqë lëvizjet ndërkufitare të njerëzve ishin ndaluar tërësisht, komunikimi mes familjarëve andej e këndej kufirit, zhvillohej me vështirësi përmes postimit të letrave, e që dihej se të gjitha i kontrollonte shërbimi i sigurimit të shtetit i të dyja vendeve.

Me fillimin e pluralizmit politik në Shqipëri, i cili ishte shfaqur më herët në vendet tjera të Ballkanit, autori i kësaj vepre e viziton vendlindjen e nënës dhe familjarët e saj, për herë të parë në mënyrë gjysmë ilegale, në vitin 1992, ndërsa më vonë me hapjen e kufijve kalon legalisht shumë shpesh në atë anë.

Lidhur me ndijimet shpirtërore të këtij krijuesi mund të nxirret një konstatim i përgjithshëm analogjik, i cili mund të definohet :   Sikurse uji kur zbrazet nga liqeni i tejmbushur i ndonjë hidrocentrali, me qëllim që ta lehtësojë barrën të cilën e mban diga, mu ashtu autori i këtij libri në të gjitha poezitë e tij, si një ujëvarë lumi do t'i derdhë emocionet e gëzimit, zemërimit, hidhërimit dhe mallëngjimit, të cilat i janë grumbulluar në një periudhë për më shumë se gjysmëshekulli.

Vargje medituese ndjenjash gëzimi e mallëngjimi që e trazojnë mendjen e lexuesit

Si nip Tropoje, Tahir Bezhani nis librin me poezinë "Loti në Valbonë", që mund të konsiderohet edhe si një prolog i kësaj vepre, në të cilën do ta derdhë mallin e palosur me vite si reflektim i vuajtjeve të nënës, të cilat ishin pleksur në shpirtin poetik të këtij krijuesi, andaj në këto vargje shkruan:

 

I. Nuk desha të qaj/Më përmalloi gurgullima/puhiza që përkëdhel/Si nëna fëmijën e saj/Fytyra më buzëqeshë si në ëndërr/Shkumë malli përvëlon, përvëlon...

II. Gurgullima përkund mallin e djegur/Afshi përgjumet në kaptell djepi/Më fal për lotin Valbonë/Kam zjarr brenda, kam mall/Gjysmë shekulli shkoi/Pa ditur nga vjen e ku buron...

III. E tani/Nën shtratin tënd do shtrihem/Do t'i lë sytë hapur/plagët të m'i shërosh/Mallin ta shpërlash gurëve tu/Zjarrin e nënës time ta përqafosh.../Në Majë të Hekurave/Do rri i ngrirë/Të shëroj sytë kur mbyllën nga dhimbjet/Etja ime/Valbonë...

  Këto vargje sugjestive me tone të ndjeshme lirike na përkujtojnë kohën kur nga mallëngjimi lëngonin edhe shumë familje tjera shqiptare, të cilat nuk ishin parë mes veti për një periudhë të gjatë kohore dhe kishin shumë pak njohuri për njëra tjetrën, si shkak i ngritjes së murit ndarës, e që numri i tyre nuk ishte edhe aq i vogël, ngase Shqipëria ishte dhe është i vetmi shtet në Evropë që kufizohet me popullatë dhe troje të veta.

  Autori i kësaj vepre në këtë poezi na sjell vargje medituese, ndjenjash gëzimi e mallëngjimi të cilat jo vetëm që trazojnë mendjen e lexuesit, por janë edhe të ëmbla për lexim.

 

  Këtë cikël poetik autori e përmbyll me poezinë "Kur ushton mali" :

 

 I. Kur ushton mali/Nga furtuna/Mos ke frikë/mbron druri drurin/Shpinë për shpinë!

II. Rrafshinës urrejtja/Përvëlon pafund/Krimbi rritet n'qelbësirë/Grimcon teja strehuar në palcë/Zbehtësia ndërron pamjen

III. Fajeve ngujuar në mendje/Koha që ikën/nuk përsëritet kurrë/O njeri !...

 

  Në të këto vargje autori përdorë një metaforë interesante në diskursin e tij poetik me nuanca këshillëdhënëse për njerëzit e mirë dhe ata të ligë apo për mirëbërësit dhe keqbërësit, duke sugjeruar se gjurmët mbesin edhe pse koha ikën.

 

Poezi me një leksik të pasur shprehjesh,

e figurash letrare

 

  Si në të parën, ashtu edhe në njësinë e dytë të këtij libri, poezitë e këtij krijuesi reflektojnë një leksik të pasur shprehjesh e figurash letrare në ndërtimin e vargut.

  Këtu, autori i kthehet edhe përditshmërisë së jetës.  Në vargun poetik vend të veçantë zë tematika sociale e trajtuar me gjuhën e alegorisë, si në poezinë "Ulërimë" :

 

  Një cijatje të dhimbshme qeni dëgjoj/Në një kantier hedhurinash ngujuar/Me një lypës ngatërrohej/Luftë për një asht' të vetëm/Sepse kafshata e gojës/Të dyve u kishte munguar/Luftë për jetë...

 

 Narracioni i vargut në poezitë e këtij krijuesi ka një force shprehëse që trondit ndjenjat e lexuesit të kujdesshëm, si në poezinë "Neveritje" :

 

I. Një trokitje nate pandarë/Më nxjerr rrugëve të përgjumura/Skajoj boshësive pa cak/Pamje të mykura/Me zënë frymën/Zjarrmia niset damarëve

II. Unë këpus pullat e këmishës/Në heshtje grimcoj thonjtë e dorës/Pa dashje pështyj/Djathtas e majtas/Plot neveri

III. Kaloj nga rruga në rrugë/Kudo posterë të ngjeshur mureve/Në vrapim postesh/Varfëria prapë plagë e kohës/Heshtja ilaç shërimi/I shpirtit në vuajtje/Rrugëve të pafund...

 

 Në të dy këto poezi, autori e portretizon varfërinë që e ka përfshirë një pjesë të popullatës dhe luftën e saj për mbijetesë, si një mesazh i fuqishëm alarmues për diferencat sociale që e kanë kapluar shoqërinë tonë, e në anën tjetër shihet pasqyra indiferente e kësaj kaste politikanësh, qoftë me pikëpamje të djathtë apo të majtë, pasioni i të cilëve është ekskluzivisht vrapimi pas posteve...

 

Poezi me semantikë shumështresore

 

  Në njësinë e tretë të këtij libri, sikur se edhe në ato dy të mëparshmet, poezitë janë shkruar me varg të lirë, me një semantikë të pasur dhe shumështresore të botës së tij shpirtërore, të begatuar me variacione figurash të shumta letrare.

  Në poezitë e këtij cikli, autori fshikullon me vargun e tij poetik dukuritë negative, e sidomos egoizmin njerëzor, si në poezinë "Nëpërkëmbje":

 

I. Shpesh kam thënë/Dridhem e rrëqethem/Kur njeriu pa arsye gënjen/Tkurrem, zverdhem/Kur dëgjoj për tradhti e dhunë/Vepra më e pavlerë për njerëzit!

II.  Sa i mjerë mashtrimi/Nga këtu fillon urrejtja/E shëmtia zë vendin e parë/Urrehen burrë e grua, babai me djalë/Nuk flet as vëllai me të vëllanë!

III. Koha më ka zbardhur/Lotët më kanë bjerrë shtatin/Dhimbja më kallë zemrën/Malli sytë m'i ka verbuar

IV.  Kur ne harrojmë vetveten/Shtrenjtë do paguajmë qiranë/Nëpërkëmbja nuk është vlerë/Shëmtia nuk është lakmia/Mos të harrojmë përrallën e plakut tonë/Nuk thyhen njësoi si një, si shtatë thupra/Me një dorë/Nuk dilet rrugëve të botës/I dehur gjithmonë...

 

Kujtimet dhe mallëngjimi, lajtmotiv i disa poezive

 

  Në njësinë e katërt, me titull "Letër babait", autori i ka sistemuar poezitë që ia ka kushtuar mërgimit dhe vatrës familjare pastaj vendlindjes, përsiatjeve në dhomën e tij, përjetimeve gjatë pushimit në bjeshkët e fshatit Bogë të Rugovës, si dhe dy poezi kushtuar pas vdekjes poetit Ali Podrimja.

  Ndijimin shpirtëror për vendlindjen e tij, autori i kësaj vepre poetike e shqipton në poezinë "Shtërzim malli":

 I. Rreth tokës sime/Eci me hapa të lehtë/Plot mall përmbytem/Lakoreve të vendlindjes

II.  Pas një kohe të gjatë/I shtangur qëndroj/Te hija e lisit të madh/Ku pushonte im atë dikur/Pas lodhjes nga puna/Shuante etjen nga buria

III. Ata eshtra të kërrusur/Mihnin thellë tokën/Këmisha nga djersët koravej/Për bukën e rritës sime/Flokët më lëmonte nën hije/Kështu mihet toka biri im/Me djersë jetohet zemër...

IV. Pasuri ishte buzëqeshja e tij/Plisi i bardhë në kokë/E mustaqet fije bari/Thikë përpjetë i rrinin/Nën sytë pishë e krenari/Për hijen e fëmijëve/Të rritur papritur

V.  Shkuan vite/Tash rrëmih unë/Tokën e kujtimeve/Fjalët e tij kumbojnë/Sa herë lëvrohet ara/Copa këmishe vërej/Me erë djerse e madhështie/Sa peshë e madhe në zemër/Ky shtërzim malli që s'harrohet!...

 

   Edhe në këtë poezi si në të tjerat, në ndërtimin e vargut janë mbrujtur kujtimet nga e shkuara dhe mallëngjimi për atë kohë, të cilat shfaqen si një lajtmotiv në poezitë e këtij krijuesi.

 

"Këndimi i femrës" në trajtë kujtimi, ëndërrimi dhe ndjenjash malli

 

  Në njësinë e pestë, autori i ka sistemuar pjesën më të madhe të poezive të këtij libri, për të cilat mund të themi se shumica nga to janë me motive dashurie që i kushtohen gjinisë së bukur, apo thënë në konceptin e lashtë shqiptar "këndimit të femrës", e që autori i këtij vëllimi këtë ndjenjë e shpreh në vargun e poezive të kësaj natyre në kuptim apo trajtë kujtimi, ëndërrimi, ndjenjash malli  etj., si në poezinë me titull "Prushnajë" :

I.  Sa bukur vallëzoje/Në dasmën e vonë/Me trupin si ngjalë/Sytë e zi krah korbi/Buzët e holla të përpijnë/Flokët grunajë!

II. Më tretej ajri/Ndieja lodhje në mushkëri/Shikimi yt vraponte/Ti ecje shpejt/Trupoje zemrën time/Ashtu e valët/Si dikur...

III. Pas shumë viteve/Vitrinave të kujtimit/Mbështjellë me lot malli/Bukuria nuk ishte tretur/Pa kthim/Vetëm syrin tinëz ma fale/Buzëqeshjen flakërim/I shkrirë në gotën e verës/Si shkrumb/Dridhem në epruvetën e kujtimeve/E nuk di se ku gjendem/Krejt brenda vetes i tharë/Një krande që s'ndez zjarr

IV. Në një çast/Hepohem hijeve të jetës/Në lojën e pafund/Të kujtimit...

 

 Edhe në këto poezi, vargu ka një ndërtim të mirë dhe në rrafshin estetik është i stolisur bukur me fjalë të zgjedhura e shprehje lakonike, të cilat i bëjnë tërheqëse për lexim.

  Si një margaritar që i zbukuron stolitë, këtë shkrim po e përmbylli me rrugëtimin meditativ të autorit, të cilin frymëzim e ka shprehur në këtë vepër përmes këndimit lirik në poezinë "Loja e hijeve" : 

I. Terri me zuri në dritare/Në ujdhesën e mendimeve/Në dyluftim preheshin/Ëndrrat/Në pagjumësinë time/Mërzi e vajshme/Dëneset e nxehta

II.  Telat e shpirtit skuqen/Flakë merr zemra/Hëna ka ikur/Yjet shuhen me radhë/Hijet e territ lozin/Në përfytyrimet e mia/Alveola troket/Qerpikëve të lodhur/Shtrydhen lëndimet

III. Pika pika pikon shpresa/Në fushën e zemrës pa fund/Sa shumë heshtje/ Sa shumë mërzi/Shikime të mjegullta/Prapa gëzimit tim/Lodhja rrezitet/Palcës së ashtit/Biseda ka përfunduar...   

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat