Stop muzikës së egër dhe të rrezikshme!

Kultura

Stop muzikës së egër dhe të rrezikshme!

Nga: Driton Gashi Më: 11 janar 2018 Në ora: 19:27
ilustrim

Në shumë videoklipe të zhanrit hip-hop në Kosovë keqpërdoren këngëtarë të mitur për të propaganduar përdorimin e drogës, seksizmin, racizmin dhe gjuhën e urrejtjes. Kjo duhet marrë fund.

"... Hashish, na po pina hashish (hashish bitch)
Tash mushet tavolina bakshish (bakshish bitch)
Sonte jena out me and my bitch (my bitch, bitch)
Kejt dostat ka ni loqk e majn n'bisht..."

(Fero - Bakshish)

Djaloshi shumë i ri, jo më shumë se trembëdhjetë vjeç, këndon këtë këngë me shumë pasion se si konsumon drogë pa u ndalur, përcillet në videoklip nga valltare të reja, të zhveshura pothuajse lakuriq, të cilat ai si falënderim i quan "bitch" (anglisht për kurvë ose bushtër). Ambienti i cili paraqitet në video i ngjan klubeve më të dyshimta të natës, të cilat zakonisht frekuentohen nga njerëz shumë të dyshimtë, duke konsumuar lëndë narkotike dhe duke u hedhur lekët e tyre të pista "valltareve" tepër të reja. Kjo qasje shtazarake ndaj këtyre gocave të reja dhe femrave në përgjithësi është për të ardhur keq e për t'u turpëruar.

"Këngë" të tilla ose të ngjashme kanë arritur të bëhen hite në hapësirën shqiptare, klikohen me miliona herë në internet si dhe shfaqen pa fije turpi edhe në televizionet e shumta që janë bërë dhe faktikisht nuk e përmbushin pothuajse asnjë kriter për t'u quajtur i tillë. Më vjen shumë keq që asnjë artikull kritik nuk e kam lexuar deri tani për këtë temë, më duket se askujt nuk i pengon kjo çoroditje e madhe dhe ky shfrenim kulturor. Këta "heronj" të rinisë sonë janë idhujt e sotëm.

Mjafton të kesh hashish, një ose edhe më shumë "bitch", shumë lekë (pa e lodhur kokën se si fitohen ato), asnjë ditë shkollë dhe të jesh dikushi! Athua kush është nxitës i këtyre fenomeneve? Ku janë shkollat, ku është politika, ku janë prindërit?

E vërej te një pjesë e gjeneratës së re një thyerje shumë të theksuar me kulturën e me vlerat e mëparshme në Kosovë. Kjo vërehet në mënyrën se si sillen me njëri-tjetrin dhe me më të vjetrit, çfarë gjuhe flasin (ndoshta edhe stërgjyshërit e tyre kanë folur më pastër gjuhën shqipe), si shkruajnë (ashtu si është shkruar teksti i këngës lart), si mendojnë, çfarë kanë për synim jetësor etj. Nuk dua të përgjithësoj. E di se parimisht kemi rini shumë të kulturuar dhe shumë të avansuar. Duhet mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë nga ndikimi i mundshëm i fenomeneve negative duke nxitur programe e projekte parandalimi nëpër shkolla e në sfera tjera shoqërore.

Me këto videoklipe dhe me lansimin e nxitjen e këtyre trendeve shumë diskutabile, rinisë sonë, ose më mirë të themi fëmijëve kosovarë u paraqitet një botë shumë e egër dhe iluzionare, ku vlen vetëm ai që i posedon ato gjëra materiale që u përmendën më lart. Vlerat njerëzore, të cilat me shekuj na kanë mbajtur gjallë, duket të jenë bërë demode. Solidariteti mes njerëzve dhe gjeneratave, modestia, dashuria, respekti, përkrahja reciproke, toleranca, participimi në shoqëri, përgjegjësia, dija si vlerë, mësimi, puna e shumë e shumë virtyte tjera as që diskutohen më. Pasi që edhe nga politika ka shumë pak idhuj për të mirë, këto klipe më duket se kanë efekt të dyfishtë.

Zzap & Chriss quhen dy producentët kryesorë nga Prishtina, të cilët marrin goca e djem nën kontratë pothuajse në moshën e fëmijërisë dhe ju premtojnë se do bëjnë karrierë me "këngë" si i përshkrova më lart. A nuk janë ata dy të vetëdijshëm se çfarë dëmi shkaktojnë së pari te vetë këta të rinj e si pasojë edhe te publiku? Cili është misioni i tyre? Të bëjnë lekë edhe më shumë duke propaganduar drogën e gjëra tjera të pista? Këta dy producentë të muzikës hip-hop dhe R'n'B janë lavdëruar për stilin e tyre unik në hapësirën shqiptare dhe për frymën e re që kanë sjellur. Por pasi i pashë se çfarë prodhimesh kanë bërë së fundmi, besoj se gjithë puna e tyre e mëparshme do njolloset dhe do vihet në dyshim.

Zhanri Hip-Hop edhe për nga origjina e tij në SHBA gjithmonë ka qenë muzikë proteste kundër padrejtësive shoqërore, racizmit, diskriminimit social, varfërisë etj. Edhe në Kosovë ka patur dhe ka akoma reperë që ju rreken temave të tilla dhe është shumë legjitime dhe e domosdoshme të ekzistojë një pol i kundërt me zhanret muzikore që i pëlqen shumica. Por nëse keqpërdoren fëmijët e të dy gjinive për të propaganduar një kulturë shumë të egër dhe pa kurrfarë vlere e njëherit edhe shumë të rrezikshme, atëherë me shumë këmbëngulje e gjithë shoqëria duhet thënë: STOP!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat