Në vend të një “Ave Maria” për inxhinier Ismail Farkën

Kultura

Në vend të një “Ave Maria” për inxhinier Ismail Farkën

Nga: Visar Zhiti Më: 15 janar 2018 Në ora: 20:19
Visar Zhiti

Inxhinier dhe shkencëtar, i burgosur politik dhe ambasador, dashamirës i mënçur i letërsië së madhe dhe pasionant i muzikës klasike, mik dhe i përzemërt me të gjithë që e kanë njohur, Ismail Farka, i mërguar së fundmi në SHBA, mbylli sytë përgjithmonë në shtëpinë e tij në Los Anxheles në moshë thyer, ku jetonte me vajzën e tij.

Ky lajm mortor pikëllon familjarët, të afërmit dhe miqtë e tij. Kësaj jete i iku kështu një njeri i veçantë, me kapacitet, dinjitoz, që dha e mund të jepte më shumë në një shoqëri të mirë si ai. Ajo që humbiste kështu ishte vetë shoqëria...

Në disa nga veprat e shkrimtarit Visar Zhiti tregohet për Inxhinier Ismail Farkën dhe, në nderim të tij, po sjellim disa pjesë si dhe një poezi. Jeta e tij sikur ngerthen nga historia e sotme e Vendit tone dhe kumte sfiduese humane.

Inxhinier Ismail Farka mbetet nga ata njerëzit e urtë që dinë të jetojnë dhe si personazhe...

Fausti  burgut (Inxhinier Farka)

Isha vërtet në një ditë timen, nuk e kisha blerë, vjedhur jo dhe jo, dhe kisha mall për miqtë. Lejohet. Si dikur në… burg, në antikitet.

- Ku është inxhinier Farka?

- Ka ikur.

- Ku? S’di gjë.

- Në ditët e veta edhe ai. Ambasador në Pragë.

- Vërtet? Po dhe ai i artë është. Kanë bërë mirë!

- Patjetër. Po shumë e shumë të tjerë…

Jemi ende me ditë të vjedhura, me vite, pa mbështetje, pa dëmshpërblim. Gjithë ai burg, na rrënoi. Prapë nuk po e jetojmë në kohën tonë.

Në minierë, gjithë mekanikën e saj, kompresorët e mëdhenj të ajrit, që shungullonin në hyrje të galerisë nën shkëmbinjtë si xhinde, elektrovozat që shkulnin varganin me varreza nga pas, kovaçhanat ku kaliteshin barominat si shigjeta të lashta, martelat - qen metalikë, lehës të tmerrshëm; gjithë planin e pjerrët - atë Golgotá të frikshme e me rreziqe; shinat kudo - shirita të pafundmë zie; kavot - gjarpërinj të lidhur nyje, shkarkuesit rrotullues - si konstrukte torture; makinat e reja suedeze, që futeshin kudo, në shpella dhe ashtu të magjishme mbushnin vagonët me mineral, duke i shpëtuar nga mundi i madh të burgosurit, por që askush nuk ua dinte sekretet, sapo kishin ardhur - do të modernizohej puna kështu, s’dihej ku do t’i çonin, i provojnë me ne një herë, po ku u hidhet vaji, s’e merrnin vesh as inxhinierët e lirë - e deri te makinat qethëse të berberit të burgut, madje edhe stilolapsat e oficerëve, revolet jo, larg tyre, të gjitha, të gjitha, problemet e tyre, funksionimi i përditshëm, kur prisheshin ose jo, ndërhyrjet, i përballonte fare vetëm Ismail Farka. Të vetmit të burgosur që ia kishin nevojën e mendjes, që i kuptonte të gjitha. Prandaj e ridënuan, se u duhet, nuk duhet që të dalë. Fausti i burgut. Aspak krenar, përkundrazi: i natyrshëm, madje gazmor i hidhur, rrinte me këdo. Gati mesatar në shtat, pak fare i bëshëm, aq sa lejonte mosha e burrit dhe burgu, kokë e rëndë, vështrim i butë.

Ndonëse i mbytur në punë, gjente kohë dhe e pyeste atë që i ndodhej përballë, për gjëra krejt të tjera, ishte kureshtar si fëmijë, ashtu edhe qeshte, ndrinte urtshëm dhe, kur largoheshe prej tij, kuptoje se kishe mësuar diçka të re, nuk ta kursente, nga shkencat dhe artet. Jo këtu, jo, nga përmatanë telave me gjemba, edhe të kufirit, ku fillonte Europa. Pse, ka Europë, vërtet? Të tjera vende, qytete të mëdha, të bukura? Edhe njerëz të tjerë. Pse, nuk janë si ne, inxhinier? Nuk jemi ne si ata. Nuk të kuptoj. As unë nuk e kuptoj.

Gjendja e tij në përgjithësi dukej më e mirë se në burgun tjetër, atë të Spaçit, por ndihej tejet i bezdisur, ndonjëherë deri në acarim, jo me të tjerët, me çdo ligësi, me ato që duken të vogla, por që janë të përditshme, që nuk i përkasin vetëm injorancës, përkundrazi.

Një koleg i tij në Lenin…burg, ku?… në burgjet e Leninit, e, do të më pëlqente ta quaja me emrin e vjetër qytetin ku kam studiuar, Petërburg-un, por në shqip shkon mirë kështu, Leninburg, pra, atje një profesor më thoshte se bombë më të tmerrshme se atomikja dhe se ajo me hidrogjen e ato që do të shpiken më pas, është injoranca… trashtina…

 Inxhinier Farkës i lejoheshin libra të trashë, që s’ishin të klasikëve të marksizëm-leninizmit, për dreq, në gjuhë të huaja, të pabotuar në Tiranë. S’dihej ç’armiqësi kishin të shkruar, por ashtu ishte urdhri, t’i jepeshin. Katalogë të mekanikës, doracakë, fjalorë. Inxhinierët e lirë të minierave të tjera larg vinin dhe këshilloheshin me të, mësonin funksionimin dhe si duheshin përdorur ato makineritë suedeze, që nga na erdhën, aq të vogla dhe lëvrijnë nëpër labirintet e minierës. E ngarkojnë vetë vagonin me mineral, pa të burgosur, por, po sikur të çajnë shkëmbin fare e ta hapin për të dalë ata, armiqtë? Inxhinier Farkën do të vras të parin, për ideal!

Polici nuk ikte që aty. Dëgjonte me veshët ngrehur, por i vinte plasje që nuk kuptonte gjë, jo ai vetë, jo, por as inxhinierët e lirë. Janë dhe komunistë. Të paktën të më lënë ta fut në birucë, se ka ndonjë shejtanllëk këtu.

- Dëgjo ti, shpjegoja mirë, jo me hile borgjezo-revizioniste, thjesht, siç flet shoku Enver.

- Por nuk thotë gjë, - nuk i rrihej Farkës pa u kruar.

- Si?

- Për makinat suedeze, dua të them.

- E ça kanë ata librat e trashë? - hetoi polici.

- Ja, gjëra që s’futen në kokët e trasha, - nisi të nxehej Farka. I vetmi që policët nuk i bërtisnin dot. Ishte inxhinier Farka që u bërtiste atyre. Nuk i mbanin më nervat, por me lezet të papërballueshëm shante këdo, që nga roja përballë e deri lart, edhe veten. Pastaj merrte një qetësues, janë barna për zemrën, thoshte.

- Ka raste që bëhem keq, - na tha. Thjesht, sikur nuk fliste për vete. Ndoshta që ta dinim, të bëheshim më të kujdesshëm me të. - E humb vetëdijen për minuta të tëra, - po vazhdonte të tregonte. - Ndihem i boshatisur dhe, nuk e kap boshin. Bëhemi një. - E merrte veten shumë shpejt. Fshinte djersët në ballin e madh dhe për të na qetësuar ne, që i gjendeshim pranë, do të bënte humor. - Çështje lëndësh, reaksione kimike, ju i quani ndjenja, gjendje… Do të shohësh film sonte? - më ngacmonte miqësisht.

- S’e di, inxhinier.

- Mos më thuaj inxhinier, me emër. Ku ka inxhinier këtu! Por ç’ka televizori, ë, ndonjë film të ri të “rreno-realizmit”? - Qeshja me të madhe, kështu më thoshte dhe në Spaç, dukej si “neo-realizmi”, ë? - E po në Shqipërinë e Mesme kështu flasim ne…

Njëherë, kur oborri lart qe mbuluar me borë, gati një metër lartësi, i gjithë burgu ishte bërë i bardhë, paqësor, as nuk ngjante si burg e askush nuk kishte dalë në atë të ftohtë, “eja, - më thirri Inxhinier Farka, - të shëtitim. S’ka “të tjerë”, të na shqetësojnë.” Të lëbyreshin sytë, duhej t’i mbroje me pëllëmbë në fillim (vërtet, pse nuk lejohen syze në burg, mirë orët jo?!). Bardhësia sikur ndiente a e ndienim, kishte frymë a ishte e tillë, e papërzier me hallet e këtejshme, sikur donte të kumtonte qiellin, një lloj shenjtërie të lartme, që komanda nuk mund ta pengonte, asnjë nen i Kodit Penal nuk e mynxyroste dot, ta bënte të kuqe me Kushtetutë, p.sh., sipas idealit të tyre. Megjithëse e përskuqnin vrasjet…

- Kjo borë është në burg, por e paburgosshme. Shkojmë më tej…

Telat me gjemba të rrethimit s’kuptohej të ishin të tillë, por, të mbuluar nga bora, qenë shndërruar në argjend kacavjerrës, si bimësi e bardhë përrallash. Ndalëm.

- Tani dëgjo një rekuiem, - tha befas Farka. - Një Ave Maria.

Zëri i tij bariton vërshoi nga krahërori me dufe. Tronditshëm. Shpendë dimërorë po endeshin mbi ne, i ndolli psalmi a mbase donin ta çonin hapësirave. Flatrat e tyre i ndieva që na mungonin mbi supe. Inxhinier Farka po dihaste. Unë mbeta pa fjalë.

- Më mistik është Bahu. Kurse Moxarti është po aq hyjnor.

Dhe përsëri zëri i tij u ngrit lart, si i spërkatur me lot dhe ngashërime erracake: “Ave Maria”. Një kupolë ere po lëkundej mbi ne. U bë e diel menjëherë. Varreza të anuara dhe kryqe të shembura. Dyllë qirinjsh mbi mermerin-borë. Tej, një organo e rrëzuar në humnerë… jo, vagon i hedhur.

- Ej, të dënuar, pse vetëm, ça bëni? - bërtiti polici, ndërsa llapashitej nëpër borë, që të na afrohej edhe më. Dukej sikur thoshte: ëhë, ju kapa! - dhe në fytyrë kishte ngazëllimin e të mirinformuarit. Ndonjë nga të burgosurit nuk e kishte duruar dot shëtitjen e çuditshme të inxhinierit me mikun e vet, prandaj dhe roja i brendshëm kthente kokën andej, nga dritarja ku rrinte ai.

- Pse keni dalë, a? Ku deshët me shkue? - po kërkonte hesap polici. - Me u arratis?

Inxhinier Farka nuk denjoi të përgjigjej. Unë mora siguri prej tij. Duke zbritur poshtë, vazhduam dhe bisedën. Bora nuk kishte ngrirë edhe aq, që të rrëshqisnim. Frikë ishin shkallët e mbuluara, aty ku afishohej “Zëri i popullit”, se mund të humbje drejtpeshimin, t’i bije me kokë stendës e të çaheshe te korniza metalike, mund të thyhej xhami e tehet e tij të mprehta të të çanin si për t’ia plotësuar qejfin asaj gazete.

- Mbahu tek unë!

Mbërritëm te ura e vockël me parmakë, sipër një si kanali të zbrazët. Ishte bërë kur këtu mendohej se do të punonin të lirët, dhe tani s’ia vlente ta shembje. Le ta kishin dhe të burgosurit! Kaptuam drejt portës.

- Më çudit vërtet, - më kishte thënë një ditë Farka, - që ti sheh ende tela me gjemba. Unë nuk e di që janë. “Telat me gjemba më bëhen qerpikë”. Figurë e gjetur. Tani dhe unë i shoh e s’do të më ndahen. Jo se janë, s’dua t’ia di fare, por ngaqë ka një poezi për ta, jo një, shumë. Bën mirë që shkruan. Të kujdesemi që t’i ruajmë… Vemi në dhomën time, pimë ndonjë sherbet, i shtrydhim dhe limon, se kam, më sollën. Dhe ti e di, krahun tonë policia e rreh më pak.

U ulëm në shtretërit poshtë, përballë njëri-tjetrit. Qenë rregulluar shkëlqyeshëm, sipas rregullores, pa asnjë rrudhë, çarçafi qe nxjerrë sipër batanijes, nën jastëk, me peshqirin e vogël pranë, palosur si trekëndësh; ata peshqirë të ashpër, me ata katrorët e dendur që të kujtonin poret e plëncave të bagëtive - pu-pu, ç’kope është masakruar! Më lehtë e kisha ta fshija fytyrën me mëngën e xhaketës.

Nga dritarja e vogël futej dritë bore. Gëzuar, thamë duke ngritur lart paguret e bardha plastike. Edhe ato sikur të ishin prej bore. Po pinim ngadalë ujin e ëmbëlsuar. Të ftohtë, ujë malesh me borë. S’kisha të ngopur të kundroja çezmat kur ngrinin dhe mbuloheshin me akull. Skulptura absurde, forma lloj-lloj të ndjenjave.

Në krye të shtratit të Farkës, mes librave shquhej edhe ajo, antologjia e bërë vetë, me copa letrash të shkulura nga revistat, grisur nga gazetat, pastaj qepur te këpucari. Kopertinën e sajoi ai piktori i ri dhe ia ngjitën te furra e bukës. Të zezë, pa titull sipër. Botimi më i fundit i kolanës së burgut. Ashtu si fshehurazi.

Ç’po ndodhte në dritare? Në shpatin përtej u shkëput një masiv bore, sikur ranë mermeret e një monumenti të gënjeshtërt. Vërtet, ku janë tani ata të burgosur që mbetën gjallë nga pushkatimi, ngaqë kishin dashur të hidhnin në erë statujën e Stalinit në Shkodër dhe Tiranë? I mbajnë të lidhur nëpër biruca të errëta? Edhe Farka për Stalinin u kujtua. Ritregoi anekdotën për të. Ç’të bënim? Kur humbi llullën në zyrë, në Kremlin, i sigurt se ia kishin marrë për ta sabotuar, që të shqetësohej, urdhëroi Xherxhinksin t’ia gjente, se nuk punonte dot pa atë llullë. “E gjeta, e gjeta, - telefonoi Stalini të nesërmen, - më kishte rënë në anë të mbështetëses së kolltukut… “Tavarish”, pse nuk gëzohesh?” Dhe nga ana tjetër e telefonit u përgjigjën: “Po deri tani kanë pranuar 5 anëtarë të Byrosë që e kanë marrë llullën tuaj. Dhe nuk i torturuam shumë.”

Unë tregova motërzimin shqiptar të anekdotës me koburen e Enver Hoxhës që u vodh në Muzeun e Luftës dhe e shqepën në dru drejtorin, i cili pranoi se ia kishte dhënë dikujt e ai, mbas arrestimit në mesnatë, rrëfeu se ia kishte dhënë një tjetri e ai një tjetri e kështu me radhë. I fundit nga të kapurit ulëriu se e kishte hedhur në pus. U futën atje me palombar, por nuk e gjetën koburen e shokut Enver. Veç kur pastruesja e muzeut na gjeti një kobure, pikërisht atë, kishte rrëshqitur pas stendës, te librat, që na i lexojnë edhe neve këtu e na çmendin, kanë kobure brenda. E sheh? Armiku i brendshëm, nga frika, e ka sjellë koburen prapë në muze. Por grupit të të arrestuarve u bënë tortura të tjera për të zbuluar lidhjet, kryetarin e rrjetit armiqësor, etj., etj.

- Dhe ju, inxhinier, kur jepnit leksione në universitet, nuk i vutë notën më të lartë djalit të diktatorit, student. Si guxuat?

- Nuk shquhej. Qe i rëndomtë.

- Po pedagogët e tjerë? Asnjë nuk është në burg nga ata.

- S’kisha pse trembesha. Morali i detyrës.

Ra një çangë. Një djall e di për çfarë thirreshim, për se do të rreshtoheshim. Prapë u rrokullisën gurë nga një gurore në anë të qiellit. Jo, jo ishin ortekë të mëdhenj bore. Ndoshta po ngrohej toka përbrenda.

- Dua që kjo borë të mbajë deri në fund të marsit, - do të psherëtinte inxhinier Farka një ditë.

- Pse, ç’rëndësi ka për burgun?

- Më vijnë në takim. Do të më sjellin dhe vajzën. E ç’t’i tregoj tjetër asaj? Asgjë s’kam, veç ornamentet e borës. Në Tiranë ka kohë që s’bie. Borë e bardhë, letër e bardhë… Do të më japin fshehurazi edhe një letër nga ime shoqe. Më shkruan gjithmonë.

- Dhe ta japin dot?

- Kur munden.

- Po ju i përgjigjeni?

- E bëj gati, e marr me vete. Nëse kam fat, e kaloj… Varet nga lloji i policit. Kur qëllojnë me shërbim të ligjtë fare, të egrit, ata me zell të tepruar, që të kontrollojnë edhe të brendshmet, nuk duhet rrezikuar.

- Mirë që ma the. Vajza juaj, inxhinier, e do borën?

- Si fëmijët. S’e di ajo që jam në burg. I kanë thënë se babi punon larg, në një minierë. Që të mos dëshpërohet, të mos i vijë zor në shkollë, bie dhe nga mësimet.

Heshtëm të dy. Pa e kuptuar pse, më vinte t’i kërkoja ndjesë.

- E di ajo… vajza juaj, që ka një motër në Bashkimin Sovjetik? Ndoshta po kërkoj si shumë, por jo nga kërshëria, besomë, ndiej dëshpërim, shumë dëshpërim.

- Të kuptoj. Më vjen mirë që më pyet - u përhumb Farka. - S’besoj se ia kanë thënë për motrën në Rusi, - dhe nuk u mundua ta fshihte mallëngjimin.

- Mëson rusisht vajza juaj?

- E kush t’ia mësojë? Unë jam këtu. Është mjaft mirë në anglisht dhe në shkencat ekzakte. Shkruan edhe poezi më kanë thënë.

- Ngjaka me babanë, - shtova buzagaz. - Po vajza në Rusi di shqip? - e nguca.

- Do ta ketë harruar. Ikën kur ishte shumë e vogël.

- Po ti a e përfytyron ndonjëherë takimin e dy motrave? E madhja di gjuhën e nënës së saj, rusishten, kurse e vogla, po të nënës së saj, shqipen, e nuk e dinë gjuhën e njëra-tjetrës.

Farka u brengos. Por e ngazëlleu përfytyrimi i takimit të dy motrave të largëta.

- Do të bisedojnë në anglisht, si fillim, - tha.

- Ka dhe gjuhë të heshtjes, gjithë dashuri dhe zemër, - thashë seriozisht.

- Unë e dija që babi ishte në burg, por bëja sikur nuk e dija, që të mos mërzitja mamin, as gjyshin, - më tha vajza e Ismail Farkës, kur isha për drekë në shtëpinë e tyre. Kisha ardhur në kryeqytet, siç vija ndonjëherë nga malli. Ecja bulevardit i vetëm dhe i urtë, si ata që kanë qenë në burgun politik. Isha punëtor në fabrikën e tullave, pa asnjë të drejtë… ende pa të dashur. Dhe shkruaja, si gjithmonë me lexues ilegalë.

- Po ti qenke i ri, simpatik, - më tha gruaja e inxhinierit, - më ka folur Ismaili për ty. Isha kureshtare të të shihja.

- Unë ju njoh përmes letrave tuaja dërguar në burg, zonjë, - thashë dhe patjetër do të isha skuqur në fytyrë. - Jeni me të vërtetë e mrekullueshme! - Ashtu, me flokët e shkurtër, nordikë, ajo më ngjante me atë aktoren që interpretonte Katerina Blumin e romanit të Bëlit.

- Ç’do të pimë? - tha inxhinieri duke hapur kanatin e një rafti me shishe lloj-lloj. - Ja, për të ruajtur këtë shtëpi, punën, Tiranën, e mbi të gjitha vajzën, ime shoqe bëri ndarjen me mua, kur ishim në burg, formalisht. Tani jemi bashkë.

- Ah, sa e kam vuajtur mungesën e Ismailit, - tha e zonja e shtëpisë. - E sidomos që nuk më linin të vija ta takoja

- Ime bijë ka turp të t’i tregojë vjershat e saj. Dëshiron t’ia shohësh? - më tha Farka. Ndrinte, dukej i paburg fare, qe mbushur paksa në faqe. Ndërsa shfletoja bllokun e bukur me poezi, i zhytur në kolltuk si kurrë ndonjëherë, thashë:

- Më pëlqejnë. Kanë ritëm e ndjenjë, por pse kaq pesimizëm? Është ende e vogël.

- E dëgjon? - i tha me ton qortues e ëma, ndërsa po shtronte tryezën.

Kaq shumë trishtim, po thosha me vete, e ç’na mbetet ne pastaj? Apo është më e lehtë, kur jeton mbas vdekjes.

Nga libri “Ferri i çarë”

NJË TAKIM HALUCINANT

ME FANTAZMA E BUZËQESHJE...

                                                   Inxhinierit Ismail Farka

   

 

Duke mbajtur radhën për të hyrë në Hermitazh,

m’u shfaq një fantazmë, që dhe buzëqeshte

                                                          trishtueshëm.

S’po e gjeja e kujt ishte, as nga erdhi

                     dhe pse. Mbase halucinacion, parakujtesë?

E ndonjë bashkëvuajtësi, studenti të dikurshëm këtu,

kur ky qytet quhej Leningrad.  E ç’do nga unë, fantazmë?

- Eh, asgjë, - dëgjova një zë të njohur. - A s’do të ishte

e ardhmja e ardhme,

                       nëse ne, të kapur dorë për dore me ëndrrat...

lëri ëndrrat, kurva të gjitha, zhgënjime...

                                                              pra ne të nxitonim,

jo si në oborrin e burgut, kur na numëronin,

megjithëse ashtu ishim dhe atje, dorë për dore

                                            me njëri-tjetrin,

                                                                      si të marrë...

    

nëpër biblioteka  e muzeume të shkonim, operave

                        dhe parqeve, nëpër dashurira, në takimet

                        që s’ndodhën, të fluturonim

                                             nëpër qiejt me anije kozmike,

aq do kushtonin biletat,

                        sa pagesa për artikujt tanë...

 

Na çudite! E ç’ishte ai ferr ashtu? Ç’do më thoshe

                                                                  ti si inxhinier?

Si u ndërtua? Ferr që nuk po e mbyllim dot brenda librave

                                                    dhe hardalloset rrugëve?

 

Zë pa gojë, si buzëqeshja pa zot. Veç ne flasim kështu,

                                                       që kemi qenë burgjeve,

romantizëm tragjik, po ku më ike, fantazmë?

 

 

Dhe unë do nis fantazmën time flatrathyer

                                                                  për të të gjetur.

Ta mbarojmë bisedën. Është gjithë kjo radhë

                                                                   në Hermitazh...

       Po në ç’mërgim ka ikur, ku?

                   Këtej stepave apo andej akullnajave?

Në Amerikë apo Azi? Se i jemi zhdukur burgut

                   për sa më larg, hakmarrje ndaj mbylljes

                                                    brenda telave me gjemba

      në një copëz vend sa një plagë.  Por ai nuk na ndahet.

      Kush? Burgu, pra...  Vitet shkojnë, por jo çastet dhe,

meqë ra fjala, në fakt ne e çojmë fjalën ku duam,

                     dhe nuk mbërrijmë ku do të donte fjala,

ky është gabimi i hershëm i njeriut, por po të them ty,

bashkëvuajtësi im i humbur,

se në qytetin ku ti studiove, nga qindra leninër që kishte,

              statuja dua të them, që përshfaqeshin gjithandej,

nja tri a katër kanë mbetur,

                                            se stalinër s’ka fare.

Janë rrënuar shtatoret e tiranëve si në një pyll,

ku drurët e sëmurë

                             i kanë prerë me sëpatë.

S’kishe tjetër të më thoshe?

Ç’bisedë kjo kështu? - do të ankoheshe ti si dikur,

mbasi e mbaronim bisedën. Ehu,

ata s’më duheshin të gjallë e jo më statuja!

                                       I kishe rrëzuar me kohë.

Më kishin rrëzuar. Po rruga është tjetër,

                                                   gjithmonë me vonesë.

Jo, e kundërta, vonesa është brenda nesh. Vetëm

                                                   e keqja nxiton.

Po a do të dimë të lirohemi ndonjëherë?

                                                      A ia vlejnë kthimet?

Po radha në Hermitazh? Ik, futu... Tako djalin

                                                                plangprishës...

Ti je! Megjithatë, buzëqeshjet tona  të trishta,

të harruara, vijnë, s’dihet nga ku, si tufa korbash,

takohen njëra me tjetrën

                        pa ndonjë mall e zemërim, pa mëkate

dhe dalin përmatanë kornizës në Qiellin

                                           që s’mban mend asnjë të keqe,

                 por që herë pas here shpik fantazmat tona.

(Nga libri “Si na erdhi ai, i ndaluari”)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat