Shqiponja që përjetoi vdekjen për Kosovën Republikë

Kultura

Shqiponja që përjetoi vdekjen për Kosovën Republikë

Nga: Rrahman Hyseni Më: 15 janar 2018 Në ora: 22:22
Ky atdhetar për kombin dhe Kosovën- Republikë nuk mund të quhet ndryshe, përpos legjendë e gjallë, e ky është Selman Rexhepi.

Përveç vlerave njerëzore, z. Selman Rexhepi, i lindur në tokën dardane, në Tupallë të Medvegjës, në vitin 1979, është i shquar edhe për vlerat e shumta intelektuale dhe kombëtare, për çka na bind puna dhe vepra e tij. Ishte i kyçur në Lëvizjen Kombëtare dhe organizator protestash. Përveç meritës dhe traditave atdhetare e patriotike prej njeriut që pati guximin dhe pa dyshim, vullnetin e tij, sot këtij burri sytë i mbushen me lotë nga dashuria për atë që bëri dhe me zë të lartë thotë: ”Edhe 100 jetë do t’i jepja dhe prapë do të bëja aktivitet, përkundër torturave, maltretimeve, rrahjeve, dënimeve, përjashtimeve e rrezikut për jetë.”

Ky atdhetar për kombin dhe Kosovën- Republikë nuk mund të quhet ndryshe, përpos legjendë e gjallë, e ky është z. Selman Rexhepi. “Në vitin 1981, në Medvegjë me bashkëmoshatarët e mi, Unë Selman Rexhepi, Haki Emini, Hasan Rexhepi, Zilfie Shahini, Rrustem Rama, Rexhep Ferati e shumë të tjerë e që tani nuk më kujtohen emrat e tyre, për çka u kërkoj falje të sinqerta, shpërndamë mbishkrime e parulla në Medvegjë, me mbishkrimin "Kosova Republikë", ku erdhën policia edhe na morën në klasë. Na maltretuan, na kërcënuan me vërejtje të shumta. Poashtu, në vitin 1981 ishim po këta nxënës në praktikë, në Fabrikën e Letrave"Polet", në Lebanë, ku shkruam “Kosova Republikë” dhe kjo u shpërnda menjëherë te të gjithë punëtorët e kësaj fabrike dhe mbi 200 punëtorë u vërsulën mbi ne si egërsira, ku erdhën policia, na morën prapë, duke ushtruar maltretime, dhunë psikologjike dhe vërejtje me dënim. Vlen të potencohet rasti i z. Rrustem Rama, i cili harroi dhunën duke i qajtur syzat, që ia thyen policët, duke e ditur se shumë vështirë do ta ketë për riblerjen e tyre.

Edhe viti 1984 për mua ishte viti i sfidave. Ishim përgatitur për të shkuar për vikend. Në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë ishim unë Selman Rexhepi, Xhafer Demiri, Lirie Hajdari, Zenel Halimi, Hasan Rexhepi, Agim Rexhepi, Rexhep Ferati, Hana Islami, Halim Halimi etj. Më kapën policia dhe më gjetën parullat, që i kishim përgatitur për përvjetorin e protestave të vitit 1981. U maltretova prapë, ku dënimi dhe më i madh m’u bë me përjashtimin nga shkolla e mjekësisë,"9 Mai",ku fati i shpëtimit im qe drejtori i Gjimnazit “Xhevdet Doda”, z. Zenullah Jakupi nga Dediqi i Medvegjës. Puna ime atdhetare s’u ndal as në shërbimin ushtarak të vitit 1985, në Zagreb. Ishim në roje të kazermës, unë Selman Rexhepi nga Medvegja, Zoran Pajonatoviq-kroat dhe Gruden Matiash, sot deputet në Parlamentin Slloven, i cili brohoriste “Sllovenia e pavarur”, ku pimë një shishe alkool dhe u larguam nga pika e rojës 6 km. duke brohuritur, unë: “Kosova Republikë”, “Bashkim i trojeve shqiptare” e Pajonatoviq në gjuhën e vet “HDZ”(Kroacia deri në Zemun). Jo vetëm miq dhe kolegë, por na lidhte ideali pothuajse i njëjtë, dhe sot, sikur u plotësua dëshira e tre ushtarëve. Na mori policia ushtarake dhe na dënuan 10 ditë, ku maltretoheshim psikikisht dhe mund të na priste një dënim prej 5 deri 10 vjet burgim. Rrustem Osmani nga Bojniku i Medvegjës erdhi të na vizitojë në kazermën "Dushan Qorkoviq". Na gjeti të burgosur, ku shërbimet ushtarake i thanë se Selman Rexhepin mund ta presë dënimin prej 5-10 vjet burg. Çdo ditë na merrnin në pyetje, na maltretonin dhe na kërcënonin. Dallohej Rakoviq Jovan. Dëshmitarë të kësaj ishin Misim Hiseni, Besim Buçaj, Kadri Vranovci nga Përlepnica e Ferizajit. Ai më këshillonte dhe më jepte kurajo trimërie, që unë mos të ndalesha nga veprimtaria ime atdhetare e kombëtare. Z.Vranovci është profesor i kimisë, të cilit i jap mirënjohje të përjetshme. Duke iu falënderuar të atit e Zoran Pajonatoviqit, i cili në atë kohë ishte gjeneral me gradë, i shpëtuam këtij dënimi të tretë dhe u liruam, por në pyetje e raport më merrnin pothuajse çdo ditë. T’ia falja jetën atdheut, isha i betuar në gjuhë e flamur. Më 28 nëntor 1991, pak ditë pasi ia ndërruan emrin shkollës në Tupallë dhe vendosën flamurin e Serbisë, unë nuk munda të hesht dhe nuk më linin të qetë mendja dhe shpirti. Dola te shkolla, dhe kur u afrova, aty pashë pllakën që kishin vënë në shkollë. U lëshova poshtë dhe mora nga një bujk i cili e punonte arën, një shati dhe i hyra e bëra copë e thërrmi atë mbishkrim. Flamurin e hoqa dhe e gjuajta në baltë.

Në dhjetor të vitit 1991 në Maqedonc të Medvegjës, duke udhëtuar me makinë të z. Hafiz Kadriut, dëshmitar ishte edhe Bekim Krasniqi. Posa na ndalën policia serbe, më shikuan mua dhe më shajtën nënën dhe shqiptarinë, ku më morën e më rrahën. Ky ishte inspektori Miqa Jankoviq. Pasi më bënë për spital, më dërguan në spitalin e Leskovcit, ku edhe aty u rraha dhe u keqtrajtova nga mantelbardhët. U detyrova, ashtu i rraskapitur e i molisur, me plagë, të ikja nga spitali prej torturave, që m’i bënë… Në Medvegjë u takova me bashkëshorten time, Miniren, ku më informoi se kishin shkuar polica për të më kërkuar në shtëpi. Dola në Tupallë, mora shpatën e gjyshit që e ruante dhe në Siarinë. Aty kulloste një kalë. I hipa dhe ia mbatha drejt Banjës të Siarinës dhe dola në Svircë e u ndala te z. Hasan Kadriu. Kam ngrënë darkë dhe kam vazhduar rrugën për në Kapi,Tugjec, Kamenicë, Topanicë. Pastaj kam shkuar te motra Hatixhe, në Gjilan, mbi 20 orë udhëtim me kalë, ku motra Hatixhe dhe dhëndrri z.Skënder Matoshi, menjëherë thirrën mjekun Dr.Zymer Kastrati dhe në shtëpinë e motrës fillova terapitë. Aty qëndrova afro 4 vjet, ku vinin për t’ më vizituar fëmijët, që ishin të vegjël: Valentina dhe Valoni, si dhe bashkëshortja Minirja. Kali, të cilin e mora, u kthye i vetëm prapë në shtëpi.

Kështu më maltretuan dhe më bënë që nga ajo ditë të jetoj me terapi dhe shëndeti im u bë i rëndë, por ia fala atdheut dhe kombit, për çfarë jam edhe shumë krenar dhe i lumtur. Telegram në vitin 1994 i shkrova nga zyrja  e z. Musa Fazliut, që punonte në komunën e Medvegjës, kryetarit të atëhershëm Dobrica Qosiqit, përmes postës me shkrimin se ne shqiptarët nuk mund të pranojmë më dhunë dhe se do të jemi të gatshëm për rezistencë, që të mbrohemi nga dhuna e terrori që ushtrohej mbi shqiptarët. Pasi pak shëndeti m’u përmirësua, fillova punën nga viti 2000 në QKUK në Rengen të emergjencës, ku filloi dhe lufta e armatosur në Preshevë dhe i shkrova përfaqësuesit politik të

UÇPMB-së, z. Sadik Jasharit se unë dëshiroja të merrja pjesë, por ai më tha se unë ju duhem të plagosurve. “Atje dhe mund t’u ndihmoni shumë”- mora përgjigje, gjë që edhe e bëra, ku isha human, duke strehuar dhe duke u ndihmuar me tërë forcën time. Falënderim të veçantë z.Selmani ka për dr.Ferid Aganin dhe për dr.Ramush Beiqin që u kujdesen nga viti 2000 për shëndetin e tij.

Nga viti 2008 qe drejtor i SHKA"SHQIPONJAT E MEDVEGJËS", e themeluar më 11 mars 2008, nga një grup medvegjasish të shpërngulur në Prishtinë. Kjo shoqëri kulturore- artistike në fillim numëronte 10 anëtarë nga komuna e Medvegjës (Kosova Lindore). Duke parë vullnetin dhe dëshirën për punë, sot nën ombrellën e vet, kjo SHKA numëron pesëfishin e anëtarëve me të reja e të rinj vullnetarë. Kjo SHKA është e regjistruar në mënyrë legale dhe ka xhirollogarinë e saj bankare me shumë aktivitete anekënd trojeve shqiptare dhe në vendlindje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat