Përvjetori i vdekjes së Skënderbeut, prezantohen artefakte të shumta

Kultura

Përvjetori i vdekjes së Skënderbeut, prezantohen artefakte të shumta

Më: 17 janar 2018 Në ora: 19:31
Ekspozita

Në përvjetorin e 550 të vdekjes së Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, Muzeu i Kosovës dhe Museum Illyricum në Zvicër, organizuan sonte një ekspozitë me libra, pulla dhe bankënota nga Mesjeta e deri në vitet e 30-ta.

Ilir Xheladini, koleksionues dhe arkeolog, tha se në këtë ekspozitë ka sjellë disa artefakte nga Mesjeta e deri te vitet e 30-ta, të cilat kanë të bëjnë me kryetrimin shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Xheladini: Në Zvicër do të hapim Muzeun Ilirikum

“Që 20 vite merrem me gjetjen e artefakteve nga historia jonë, që nga Iliria, Bizanti dhe kam dalë në vitet e tridhjeta dhe sot kam një koleksion që kemi filluar për hapjen e një muzeu në Zvicër që do të quhet Muzeu Ilirikum dhe kjo është një nismë që kemi sjellë disa gjëra këtu që të kemi edhe mbështetjen e Muzeut të Kosovës”, ka thënë ai.

Xheladini tha se e gjithë puna e tij është bërë me pasion të plotë dhe se artefaktet e prezantuara në këtë  ekspozitë do të kthehen në Zvicër.

Xheladini: Kemi një gravurë që daton nga viti 1590

“Këtu është një gravurë që daton nga 1590 që vjen nga Kanada. Një libër vjen nga Parisi që ka qenë pronë e një princi austriak, një tjetër është nga Italia, nga Milano, është një libër shqip që daton nga 1907, është një dhuratë e një miku tim që ka qenë pronë e bibliotekës së shtëpisë së tij. Ama ka bërë dhuratë mua dhe është me shkrim më ndryshe se shkrimi që njohim ne, sepse është shkruar para formimit të alfabetit”, ka thënë ai.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj, tha se kjo është ekspozitë e përbashkët me koleksionistin Xheladini, i cili ka shumë materiale dhe investon shumë për të mbledhur fakte dhe dokumente për historinë e shqiptarëve dhe ilirëve.

Boshtrakaj: Përkujtojmë heroin tanë në përvjetorin e 550 të vdekjes

“Unë kam parë me shumë rëndësi që ta prezantojmë një koleksionar tonë dhe një ide për Muzeun Ilirikum dhe kjo të ndodhë në shenjë përkujtimi për heroin tonë kombëtar në 550-vjetorin e vdekjes, me disa pulla dhe informata shtesë si një kalendar të rëndësishme që nga lindja e heroit dhe tutje ku ka dhënë kontribut edhe Jahja Dranqolli me një hartë ku janë të prezantuara monumentet që prezantojnë heronjtë tanë kombëtar dhe me disa grafika ku është një zonjë e rëndë që gjuan lule në përkujtim të Skënderbeut dhe një grafikë tjetër që është bukuria e asaj, natyra e shqiptarit, ku para heroit shihen disa shqiptarë të feve të ndryshme, të cilët e nderojnë dhe e përcjellin në atë botë me lutjet e veta”, ka thënë Boshtrakaj.

Ndryshe, aktivitetet e organizuara të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, nën kujdesin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, kanë nisur në 15 janar  në Biblioteka Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë me Orën e Madhe Letrare “Ora e Gjergjit”, ku morën pjesë artistë, shkrimtarë dhe personalitete të tjera nga fusha e kulturës.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 12 janarit 2018 formoi komisionin ndërministror për shënimin e 550 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Komisioni është i mandatuar t’i bëjë të gjitha parapërgatitjet, si dhe axhendën e shënimit të këtij jubileu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat