Zymrija: Krenare që u riktheva në skenë për ta nderuar të madhin Skënderbe

Kultura

Zymrija: Krenare që u riktheva në skenë për ta nderuar të madhin Skënderbe

Nga: Kemajl Goca Më: 18 janar 2018 Në ora: 13:36
Zymrije Grajçevci-Shyti në mes

Kosova ka një numër të madh të artisteve dhe i japin shkëlqim arenës kudo që paraqiten qoftë brenda qoftë jashtë vendit.  Pas tri viteve i kthehet skenës së vallëzimit Zymrije Grajçevci-Shyti. Zymrija është anëtare e Ansamblit “Shota” në Prishtinë dhe përfaqësuese kombëtare në Federatën Botërore të vallëzimit (FIDAF). Zymrija është një emër i njohur i vallëzimit, e cila gjithmonë është e frymëzuar për punë dhe për të sjellë risi! Ajo ka synime të mëdha për vitin 2018, dhe sipas saj Kosova është një gurrë e pashtershme e talenteve të vallëzimit.   

“Bota sot”: Pas tri viteve sërish i kthehesh vallëzimit?

Zymrije Grajçevci-Shyti: U bë kohë që unë dhe skena jemi larg njëra-tjetrës pavarësisht që shpirtërisht nuk pat lamtumirë, vetëm shihem se shpejti, ajo së shpejti i mori tri vite. Pata emocione të përziera dhe mund ta vazhdoj karrierën aty ku e lash. E lumtur me familjen që krijova, kjo më jep sa më shumë energji.

“Bota sot”: Zymrija u kthye në ditën më të bukur (me 17 janar), në 550 vjetorin të datëlindjes së heroit kombëtar, Skënderbeut, e përzgjodhët këtë datë?

Zymrije Grajçevci-Shyti: Krenare me arsyen e largimit nga skena, gjithashtu krenare edhe me rikthimin në skenë, mu në këtë ditë historike mbarëkombëtare, për të nderuar të madhin Skënderbe, duke vallëzuar përkrah më të madhit artist. Krenare që kam përkrah kolektivin e mrekullueshëm. Jo, sa i përket datës ishte rastësi, nuk është planifikuar, por e mirëseardhur sepse me dha emocione shtesë.

Image

Besnik Grajçevci e Zymrije Grajçevci

“Bota sot”: Krahas vallëzimit, a pretendoni se do të ketë kushte edhe më të mira për këtë vit?

Zymrije Grajçevci-Shyti: Vallëzimi mbetet profesioni i zemrës, ndërkohë që nuk mjaftohem e mbyllur vetëm në këtë. U bën 4 vite që nga anëtarësimi i Kosovës në FIDAF, ku unë jam përfaqësuese për Kosovë. Sa i përket kushteve nuk kërkojmë asgjë që nuk na takon, mbetet që MKRS të realizoj pjesën ligjore e ne si artist te përkushtohemi vetëm në punën tonë.

“Bota sot”: Jeni përfaqësuese kombëtare në Federatën Botërore të vallëzimit, FIDAF, çfarë të mira u solli?

Zymrije Grajçevci-Shyti: Gjatë kësaj pauze, sa i përket FIDAF, kam pas mundësi të angazhohem, ku përmes të drejtës që kam në federatë, kam organizuar pjesëmarrje të ansambleve nëpër festivale. Hapi dyert për Kosovën jo vetëm si një shtet rasti, por si familje e kësaj federate, aty quhemi FIDAF, familja dhe që është një bukuri e madhe nga shtetet e gjithë botës

“Bota sot”: Pjesë e ansamblit 'Shota', cila është atmosfera dhe gjendja brenda saj, më mirë se vitet paraprake?

Zymrije Grajçevci-Shyti: Ansambli ‘Shota’, sa i përket artisteve, aktiviteteve, përgjegjësive të natyrës së punës tonë, janë çdo herë mirë e më mirë, punohet shumë, djers e madhe del në ato sallat e ansamblit. Ajo çka nuk është mirë është trajtimi që i bëhet Ansamblit ‘Shota’. Duhet të ketë vlerësim nga institucionet tona, të paguhet mundi, të stimulohet artisti, të motivohet për të mos e ndjerë lodhjen asnjëherë.

Image

Pjesëmarrja në Federatën Botërore FIDAF 

“Bota sot”: Nuk keni më shumë se 37 vjet, jeni në formën më të mirë të vallëzimit?

Zymrije Grajçevci-Shyti: Pas pauzës që pata sigurisht që kërkohet punë nga unë. Sa i përket anës fizike, kondicionit për t’u kthyer edhe më mirë se që kam qenë. Prapë në paraqitjet që pata dje e vërejta që kam ecur në këtë drejtim.

“Bota sot”: A ka Kosova talente e të interesuar që të merrem me vallëzim dhe sa është e kënaqshme përformanca e tyre?

Image

Pjesëmarrja në Federatën Botërore të vallëzimit

Zymrije Grajçevci-Shyti: Kosova ka shumë talente, fatmirësisht ne që jemi të angazhuar me ansamble amatore, pastaj që merremi me kurse vallëzimi e njohim popullin tonë mjaftueshëm dhe është kënaqësi kur e sheh që gëzojmë talente në çdo fushë. Ai njeri që vallëzon është pozitiv edhe në fushat tjera jetësore, jo të gjithë e vazhdojnë si profesion, por që suksesi nuk i mungon asnjëherë atyre që kanë shpirt artisti e gëzojnë talent kaq të mrekullueshëm, siç është vallëzimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat