Tryeza shkencore e “Flakës së Janarit 2018” i kushtohet Gjergj Kastriotit – Skënderbeut

Kultura

Tryeza shkencore e “Flakës së Janarit 2018” i kushtohet Gjergj Kastriotit – Skënderbeut

Më: 19 janar 2018 Në ora: 18:55
Pamje nga takimi

Në kuadër të aktiviteteve të “Flakës së Janarit 2018”, Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim me Lidhjen e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” në Gjilan, në nderim të figurës së Gjergj Kastriotit - Skënderbeu, në 550-vjetorin e vdekjes së tij, ka organizuar tryezën shkencore kushtuar kësaj figure kombëtare.

Në ambientet e shkollës “Don Bosko”, ku u mbajt kjo tryezë, në emër të organizatorit dhe të kryesisë së punës të këtij sesioni shkencor, ka folur Fehmi Rexhepi, kryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, i cili ka përgëzuar Komunën e Gjilanit dhe kryetarin Lutfi Haziri, për bashkëpunim me historianë dhe për organizimin e përbashkët të kësaj ngjarje, duke vlerësuar faktin që në kuadër të organizimeve të “Flakës...”  janë përfshirë edhe aktivitete nga fusha e historisë.

Ai tha se, meqë viti 2018 nga dy shtetet shqiptare është shpallur “Viti i Skënderbeut”, atëherë edhe “Flaka e Janarit” i kushtohet heroit tonë kombëtar, ku epoka e tij është një ndër epokat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

Rexhepi tha se në  këtë tryezë do të referojnë studiuesit të cilët me kumtesat e tyre  shkencore do të shpalosin rezultatet  konkrete për aspektet e caktuara  të epokës së Gjergj Kastriotit – Skënderbeu.

Ndërsa,  në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirit, të pranishmit i ka përshëndetur Shpresa Kurteshi – Emini, kryesuesja e sapozgjedhur e Kuvendit Komunal, e cila  u ka dëshiruar të gjithëve mirëseardhje në tryezën që po mbahet për të nderuar figurën e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit - Skënderbeut.

“Edhe këtë vit, “Flaka e Janarit” vjen para jush mjaft e pasur me aktivitete, ku pjesë e veçantë është edhe kjo tryezë, në të cilën do të referojnë historianë me emër, për heroin  kombëtar - Skënderbeun”, ka thënë Shpresa Kurteshi - Emini.

Përndryshe, para të pranishmëve, me kumtesat e tyre u paraqitën: Muhamet Mala, me temën “Konteksti çlirimtar dhe fetar  i luftës antiosmane të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”, Fehmi Rexhepi, me temën “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe epoka e tij”, Bedri Muhadri me temën “Shteti i Skënderbeut dhe marrëdhëniet politike me shtetet e tjera”, Naim Musliu, me temën “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu simbol kombëtar në Rilindjen Kombëtare Shqiptare (1830 - 1912)”, Ilir Vokshi, me temën “Strategjia luftarake e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”, Besnik Kurteshi, me temën “Roli unifikues i Skënderbeut në kuvendin e Lezhës” dhe Kushtrim Jakupi, me temën “Figura e Skënderbeut në  krijimtarinë muzikore”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat