Në shenjë nderimi, për Ibrahim Sefë Gashin

Kultura

Në shenjë nderimi, për Ibrahim Sefë Gashin

Nga: Flamur Shala Më: 20 janar 2018 Në ora: 07:32
Ibrahim Sefë Gashi

Po, Ibrahim, me zë të bukur, me zë bylbyli.

Dua ta them fjalën për ty, ashtu siç ia the Ti këngës për Liri, me zemër e me shpirt njeriu, për veti e të tjerët, për njeriun e odës e të oxhakut, për njerëzit e festivalit, për nxënësit që i deshte e të deshtën aq shumë, për të gjithë ata që e deshtën dhe e duan këngën tënde me notën më të lartë popullore.

                                         ……..

U shua një YLL kënge. U nda nga ne Ibrahim Sefë Gashi. U nda nga ne profesori, mësuesi, rapsodi popullor me zë artisti për 50 vjet. U shua trupi i tij, e shpirti u ngjit lart, majave të lavdisë e të respektit, të kujtimit më të mirë për këngëtarin, për t’u kthyer mes nesh, për të mbetur mes nesh, në breza e gjenerata. Ai është ndër ne me zërin e tij, lëshuar në kupë qielli, dekada me radhë, me këngën më të bukur për atdheun, për mundin e të parëve e për gjakun e dëshmorëve, për të kaluarën e për të ardhmen e lavdishme të vendit të tij, për të jetuar bashkë në Liri.

Tingëllima e zërit të tij jehon, edhe ëndërrës i jep shpirt, i jep ndjenjë, guxim e trimëri, e bën zhgjëndërr, e ngjall trimin, e ngjall përditë, e përjetëson heroin. Kështu u mësua, ta thotë fjalën me vargun e këngës, me tingullin plot art, plot interpretim, plot kumbim që shprtin ta çon peshë.

Me andje po i dëgjonim këngët e kënduara nga “Të bijt e Sefës”, të gjitha. Me porosinë e tyre po na bënin të ndienim afshin e interpretimit me sokëllimë si prej prushi me zjarrmim kënge, të këndimit popullor e artistik, për t’u ngjallur shpresa e guximi edhe më tutje, për jetë e dashuri njerëzore, për guxim e trimëri heronjsh, për Lirinë e atdheut të tij.

Po bisedonim, kur na jepej rasti, jo shpesh. Gjithë ajo përvojë jete e tradite, asnjë herë jashtë së vërtetës, si në skenë a sikur në teatër, me përpikëri po i shfaqte mendimet, krejt tokësore krejt fisnike, për jetën, për të ardhmen e fëmijëve. Sa i urtë e i zgjuar që ishte, plot me kujtime, sikur vetë kënga e tij, plot histori, me plot ndodhi jete, treguar me fisnikëri, plot dashuri për të tjerët!

Ndarja fizike me Beqën herë po e gërryente e herë po e lartësonte. Po i dukej si në ëndërr. Në këngët më të bukura sikur e kishte aty afër për ta plotësuar thirrjen, piskamën, për ta plotësuar vendin bosh që kishte lënë. Po, ishin Bjeshkët e Kosovës që i kishin zënë vend në parzmën e Lirisë. Beqa ishte në ballë të oxhakut, flakërim drite i Lirisë së përjetshme. Tash e një vit e më shumë po i mungonte Osmani, i këngëve me zanin sharki prej artisti të madh e të përkryer. I munguan Ibrahimit, i munguan, që të bëhen bashkë një ditë, në amshim, në pavdekësi!

Sot, u shua një artist, një Tingëllimë rapsodike e zërit më të bukur, e zërit që jehoi në oda e festivale, në dasma e në mes krismash.

Po, traditë e këngës, kënduar në votër e në prush oxhaku, nuk shuhet kurrë. Nuk shuhet kënga e Sefë Mleqanit, Osman Sefës, as kënga e Beqës.  

U shua një ZË MËSUESI e pedagogu, e një drejtori shkolle, e djalit të SEFËS e vëllai i vëllezërve që për dekada i kënduan LIRISË, BURRËRISË, ARSHIKISË, TRIMËRISË e LAVDISË, i kënduan ATDHEUT!

Zëri i Tyre do të jehojë përherë!

Lamtumirë rapsod, këngëtar i dashur i kombit,
Lamtumirë, Ibrahim! 
Pushofsh në parajsë!
-------------------------------------------------------------
Një tufë vargjesh te kryet t’ia lini

Sa herë me hapa të lehtë t’i bini në gjurmë
Kur kënga e tij të jehojë në ëndërr, në gjumë
Të shkoni t’ia thoni një herë, një fjalë
T’ia njomni vargun e këngës peshuar në ar…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat