Shqipja letrare, shkolla dhe shoqëria e sotme

Kultura

Shqipja letrare, shkolla dhe shoqëria e sotme

Nga: Fran Gjoka Më: 22 janar 2018 Në ora: 14:38
Fran Gjoka

Rruga  e gjatë, e vështirë dhe e mundimshme me të cilën ka ecur gjuha shqipe  në përgjithësi dhe ajo letrare në veçanti, si po përdoret ajo, në ç’formë, ç’mënyra  po  realizohet zbatimi I normës  letrare dhe ç’hapësirë ka ajo në universin e sotëm shqiptar?

Ky është një problem i madh, për të cilin më qartë mund të flasin institucionet që merren me gjuhën apo profesor të fushës përkatëse, po kjo nuk na përjashton edhe ne, si publicistë, gazetarë, por edhe si qytetarë. Naim Frashëri, më shumë se 100 vjet më parë, bënte thirrje për të mësuar me përkushtim gjuhën amtare. Ai këshillonte që shqiptarët mund të lexojnë edhe gjuhë të huaja, por shqipen ta kenë “gjuhë zonjë”. Mirëpo, kjo këshillë e të madhit Naim, thuajse është harruar. Duke e përzier gjuhën me qindra e mijëra fjalë të huaja, gati e kemi bastarduar atë. Të mos harrojmë që gjuha jonë është shumë e pasur dhe nga më të vjetrat në Europë. Janë gjetur dokumente për të folurën e saj, por edhe shkrimin e shqipes nga viti 1280 e deri në vitin 1462, siç është Formula e Pagëzimit, edhe pse deri tani ne kemi njohur vetëm “Mesharin” e Gjon Buzukut. Të tjerë autorë bëjnë fjalë për gjetjen e elementeve të gjuhës shqipe para erës së re. Sidoqoftë, këtu e kam fjalën te ruajtja e pastërtisë së gjuhës shqipe, të folur dhe të shkruar. Mbase vlen të citojmë edhe një tjetër këshillë të Naim Frashërit, i cili thotë në mënyrë kritike dhe me dashuri: “Shqip të flisni përherë/ Thjesht dhe të papërzierë...”.

Për gjuhën shqipe kanë folur dhe shkruar shumë dijetarë të shquar. Ne kemi pasur studiues dhe përkthyes që kanë bërë epokë në botë, të njohur dhe vlerësuar nga tërë Evropa. Një përkthim i mirë tregon dhe shkallën e zhvillimit dhe civilizimit të gjuhës shqipe. Një prej tyre ka qenë i madhi Fan S. Noli. Përkthyes me emër kanë qenë edhe Jusuf  Vrioni, Vedat Kokona dhe shumë të tjerë.

Para 40-vjetësh u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Aty u folë dhe u vendosëm disa ligje për gjuhën, në mënyrë që ajo të vihej mbi baza shkencore, të ngrihej mbi atë nivel që kishte. U hartua dhe një fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe i përmirësuar, ndonëse jo shterues. I vonuar, por i vlefshëm me vlerën e një pasaporte, pasi, për herë të parë u hartua një vepër e këtij niveli, në të cilën bashkëpunuan akademikë dhe gjuhëtarë shqiptarë dhe kosovarë. Në punimin e ri, ku ka dhënë kontribut të vlefshëm Instituti i Gjuhësisë dhe drejtori i këtij institucioni Valter Memishaj, është një tjetër hap pozitiv, ndonëse puna nuk mund të konsiderohet e përfunduar. Kanë mbetur shumë fjalë jashtë këtij fjalori. Kongresi i Gjuhës mund të ishte thelluar më shumë në drejtim të futjes së disa fjalëve dhe shprehjeve të vjetra të saj, të cilat kanë përbërë bazën gjuhësore, ndonëse i përkasin dialektit gegë. Por për këtë nuk mund të fajësojmë askënd ose nuk zgjidhim asgjë me anë të fajësimeve. Kjo kërkon punë, kërkon dashuri, mirëkuptim dhe bashkëpunim për të ecur përpara, të paktën kur është fjala për punë të tilla që i shërbejnë Shqipërisë dhe shqiptarëve, për sot dhe në vijim. Të heqim dorë nga përmbysjet, nga dëshira e sundimit të njerit apo tjetrit dialect, pasi tashmë e kemi gjuhën letrare dhe ajo duhet ruajtur e zhvilluar më tej, të pasurohet e ruhet nga bastardimi.

Një fjalor gjuhe ka shkruar dhe studiuesi Mehmet Elezi, çfarë mendim keni për të?

Duke e përsëritur shpesh faktin që unë nuk jam gjuhëtar, bëhet dhe bajate, por e vërteta është se nuk jam kopetent për të dhënë mendim të vërtetë shkencor. Por si publicist mund të them që studiuesi Mehmet Elezi ka bërë një punë hulumtuese, shkencore dhe mjaft këmbëngulëse, një punë disavjeçare të lodhshme, duke hedhur ne treg një tjetër fjalor të gjuhës shqipe me gati 40 mijë fjalë, disa prej të cilave nuk gjenden në fjalorin themelor të kësaj gjuhe. Më ka bërë dhe vazhdon të më bëjë përshtypje qëndrimi i heshtur ndaj kësaj vepre. Nuk është folur asgjë, nuk është shkruar asgjë, sikur edhe kritikë, me përjashtim të ndonjë shkrimi siç është ai i shkruar nga Qemal Sakajeva dhe një shkrim imi. Jam i bindur që unë  nuk jam në gjendje të analizoj Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, hartuar nga në grup autorësh, por as Fjalorin e Gjuhës Shqipe hartuar nga Mehmet Elezi. Një gjë nuk mund të rri pa e thënë. Atë punë që ka bërë Mehmet Elezi nuk ishte keq të bëhej objekt diskutimi, në radhë të parë nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, nga Instituti i Gjuhësisë, të ishin ndërmarrë iniciativa diskutimi edhe në studio televizive, ku të merrnin pjesë akademikë, gjuhëtarë, studiues, gazetarë, shkrimtarë e të tjerë. Sado mangësi të ketë Mehmet Elezi në punën e tij për hartimin e kësaj vepre, me gati 1800 faqe, në të ai ka zbuluar indirekt edhe punën e përciptë që është bërë më parë, por njëkohësisht edhe gjerësinë dhe thellësinë e gjuhës sonë, e cila nga shumë studiues vlerësohet si një prej gjuhëve më të vjetra në Europë. Mbase brenda tij gjenden fjalë dhe shprehje që mund të bëhen pronë e gjuhës zyrtare shqipe, por kjo mbetet të thuhet nga specialistët.

A lind nevoja në kushtet e sotme që institucionet shtetërore të kenë specialistë të mirfilltë të gjuhës, ku të verifikojë shkresat zyrtare të formuluara në aspektin gjuhësor e fjalëformues. Mos duhet të ketë dhe ligj për këtë çështje?

Nëse shohim shkresat zyrtare të periudhës së mbretërisë së Ahmet Zogut, do të vemë re që shkresat shkruheshin me shumë kujdes dhe u kushtohej rëndësi, pavarësisht nga niveli i ulët arsimor i administratës së kohës. Më pas, gjatë viteve të sistemit njëpartiak, shkresat janë shkruar edhe më me kujdes. Pas viteve 1990, me fillimin e sistemit pluralist, shkresat zyrtare janë keqshkruar, nuk respektohen rregullat e drejtshkrimit, ka shpesh fjali e fraza të pakuptimta, mungon shkronja ë, nuk përdoret gërma ç e cila njëhësohet me shkronjën c dhe shumë mangësi të tjera.

Natyrisht që punët nuk zgjidhen me fjalë të njërit dhe të tjetrit. Këtu duhet të veprojë ligji. Do të ishte normale që të bëhej një ligj për gjuhësinë dhe të kërkohej me çdo kusht që në televizione, radio dhe gazeta të mos flitet dhe të mos shkruhet asnjë fjalë e huaj. Madje të ketë dhe masa ndëshkuese. E njëjta gjë duhet thënë edhe për emërtimet e dyqaneve. Të paktën 80 për qind e emërtimeve janë në gjuhë të huaj. Emra qytetesh, njerëzish, lumenjsh, a ku di unë, nga të katër anët e botës. Dhe askush nuk merakoset. Vetëm një ligj mund ta zgjidhte këtë problem. Mjafton që të dyfishohet taksa për tabelat në gjuhë të huajë dhe do të vshohim që tregtarët do t’I kthehen shqipes. Kjo praktikë është zbatuar dhe në vende të tjera. Por ky ligj kërkon përkushtim të politikës, pasi nga ana gjuhëtarëve janë bërë përpjekje për ndërgjegjësuar politikën për një domosdoshmëri të tillë. Mund të duhet edhe më shumë punë, por rëndësi ka të flasë politika, pasi ajo i vë vulën çdo gjëje te ne. Madje, do të ishte normale të kthehej në një debat dite. Televizionet bënin mirë të thërrisnin në studio gjuhëtarë, gazetarë, politikanë, ligjvënës, bashkiakë etj, dhe të debatohej me ditë kjo temë. Është nga temat më të rëndësishme të jetës sonë, nga temat madhore të kombit shqiptar. Nuk është për t’u çuditur, madje do të ishte një mrekulli sikur ndonjë ditë të zakonshme vere, apo vjeshte, të shihnim edhe një protestë akademikësh, mësuesish dhe nxënësish para ndërtesave qeveritare, për të rritur presionin ndaj shtetit, i cili të marrë masa të shpejta për të përmirësuar gjendjen në drejtim të gjuhës amtare, të folur dhe të shkruar. Por kjo kërkon emancipim të shoqërisë, guxim, dituri, atdhetari, sakrificë. Them saktificë se politika shqiptare të dërgon në punë dhe të heq prej andej kur të dojë, dikasteret janë të varura nga politika dhe drejtoritë arsimore janë pjesë e saj. Duhet të dihet që nuk ndodh kështu, kudo. Në Gjermani, nëse një gazetar përdor fjalë të huaja merr gjobë. Kërkesa të rrepta kanë dhe francezët. E njëjta gjë ndodh edhe me fqinjët. Në Greqi i kushtojnë shumë rëndësi pastërtisë së gjuhës.

Kongresi i Drejtshkrimit që u mblodh në nëntor të vitit 1972, në Tiranë, si forumi më i lartë shkencor mbarëkombëtar, mori vendime me rëndësi jetike për gjuhën tonë letrare të njësuar dhe drejtshkrimin e saj. Një ndër vendimet që mori ai kongres është edhe parimi fonetik, si një nga parimet themelore të drejtshkrimit të shqipes, d.m.th: fjalët të shkruhen ashtu siç lexohen.

Për mendimin tim, është urgjente që Kuvendi i Shqipërisë të nxjerrë një ligj ku të përcaktohen ndëshkime të posaçme në gjobë, për të gjithë ata njerëz publikë apo institucione e biznese që shpërfillin fjalën shqipe dhe deformojnë gjuhën pa qenë nevoja.

Këshillat bashkiake të kërkojnë që emërtimet e shëtitoreve dhe institucioneve të tjera në varësinë e tyre të kthehen në shqip, kurse emërtimi në gjuhët e huaja të shkruhet në kllapa, për të orientuar miqtë apo turistët e huaj të ardhur në tokën tonë. Kështu mund të kërkohet që edhe titujt e këngëve të huaja të përkthehen në shqip etj.

Kam pasur rastin të dëgjoj disa biseda televizive apo forume të ndryshme, të shtrohen argumentet pse duhen shkelur rregullat e vendosura nga Kongresi i Drejtshkrimit. Nuk e vë në dyshim që edhe ato rregulla kanë nevojë për ndryshime, por kjo nuk mund të bëhet sipas shijeve e tekave të secilit. Për një çështje kaq madhore mund të rimblidhet një kongres i ri me pjesëmarrjen e të interesuarve nga të gjitha trevat shqiptare, ku të vendosin shkencërisht rregullat të reja të detyrueshme për të gjithë, pa bërë fjalë për ndryshime në themel. Në qoftë se politikanët tanë e kanë sadopak për zemër këtë komb dhe këtë identitet kombëtar, që të parët na e lanë trashëgim, duhet ta tregojnë këtë me marrjen e masave urgjente, serioze dhe vazhdimisht të kontrollueshme nga komisione të posaçme e të paregjistrueshme.

Çfarë mund t’u thoni rinisë shqiptare për një gjuhë të folur dhe të shkruar letrare në shkolla dhe në institucionet qëndrore dhe lokale të vendit.

Mësoni dhe flisni në radhë të parë shqip, pasi jo vetëm që është gjuhë shumë e bukur, por edhe bazë për të mësuar gjuhët e huaja. Kështu do të jeni përjetësisht të indetifikuar dhe të paharruar.

A ka rrezik asimilimi për shqiptarët jashtë atdheut dhe çfarë duhet bërë?

Për Sami Frashërin, mësimi i gjuhës amtare, përbënte ngutësi për të rifituar kohën e humbur. Shkrimi i saj, krahas të folurës së përditshme, shihej si domosdoshmëri, në të kundërt kombi mund të shuhej. Një gjë të tillë ai e kërkonte jo vetëm për popullsinë që jetonte në trojet shqiptare, por edhe për ata që banonin në shtete ku shumicën e përbënin kombësi të tjera. Në veprën programore, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, Sami Frashëri bëri radiografinë e identitetit kombëtar, si dhe të lindjes e zhvillimit të gjuhësisë botërore. Ai e vlerësonte gjuhën shqipe, si një nga gjuhët më të vjetra të botës, që kishte ardhur deri në ato ditë “e paprishur dhe e pandryshuar”.

Ditët që po jetojmë, të cilat shpesh marrin nota migjeniane, do të ishin shumë më të zbutura për  ato mangësi që kanë në hapësirat e kohës së tyre, nëse ne, shqiptarët, kudo që ndodhemi, të merremi më shumë me ushqimin e përjetshëm të kulturës sonë, gjuhën amtare. Ruajtja dhe pasurimi i gjuhës shqipe, sot është një nga problemet madhore të ditës. Jo vetëm sepse kemi detyrë ta pasurojmë dhe ta zhvillojmë më tej, por edhe për shkakun se ndodhemi përpara disa tendencave të rrezikshme të shkatërrimit të saj

Si e gjykoni të folurën e politikanëve dhe atë të opinionistëve apo gazetarëve?

Sapo thamë më lartë të njëjtën gjë. Tashmë dihet që ndotësit më të mëdhenj, por edhe bartësit më të mëdhenj të përgjegjësisë, padyshim janë mediat e shkruara dhe ato elektronike. Kjo përgjegjësi vjen nga vetë natyra e punës së tyre, si përçues të komunikimit midis njerëzve. Në media shkruajnë dhe flasin një numër i madh njerëzish dhe filtrimi i fjalëve të lëshuara prej tyre  është i vështirë. Por, si autorëve të shkrimeve, edhe të ftuarve në studio, duhet t’u bëhet e qartë se nuk mund të shkruajnë dhe të flasin sipas të dëshirës, por të kenë në vëmendje kërkesat e gjuhës zyrtare. Nëse gjithkush do të shkruante dhe të fliste sipas “gjuhës së vet”, do të vështirësohej gjithnjë e më shumë komunikimi me njëri-tjetrin.

Nuk duhet të harrojmë thënien e Sami Frashërit, sipas të cilit shumë gjuhë janë zhdukur vetëm pse nuk kanë qenë shkruar. Ishte ky shkaku që Rilindasit bënë përpjekje të jashtëzakonshme për t’i dhënë gjuhës sonë një alfabet, i cili shërbeu për të botuar në gjuhën amtare, por edhe për ta shtrirë atë në sa më shumë shkolla, pasi “pa gjuhë nuk ka komb”.

Dihet që media është mjeti më i fuqishëm në përhapjen e  kulturës korrekte të të folurit dhe të të shkruarit të një gjuhe, si dhe të pasurimit të saj. Ajo u bë nxitëse e nevojës së hartimit të gramatikave dhe fjalorëve gjuhësorë. Në shumë shtete europiane ka emisione të përditshme që rijepen në orare të përshtatshme televizive, qëllimi i të cilëve është ruajtja e gjuhës. Gjuhëtarët u kujtojnë bashkëqytetarëve si t’i përdorin fjalët e gjuhës së tyre, në vend të fjalive të huazuara nga jashtë. Duke qenë mjet i komunikimit masiv dhe i kudondodhur, media, gjithashtu mund të ndikojë në sakatimin e gjuhës, dukuri kjo e ditëve tona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat