Vihet gurthemeli i Qendrës së Kulturës në Rogovë të Hasit

Kultura

Vihet gurthemeli i Qendrës së Kulturës në Rogovë të Hasit

Më: 16 mars 2018 Në ora: 14:53
Vihet gurthemeli i Qendrës së Kulturës në Rogovë të Hasit

Nga sot të rinjtë e Rogovës së Hasit do të kenë ku t'i zhvillojnë aktivitetet e tyre kulturore, pasi që sot është vënë gurthemeli i Qendrës së Kulturës në këtë fshat të Gjakovës.

Me rastin e vënies së gurthemelit, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se përmes ndërtimit të kësaj qendre kulturore po ia kthejnë dinjitetin kulturor banorëve të këtij fshati.

Ai tha se ministria që ai udhëheqë ka ndarë 1 milion euro për këtë projekt.

Gashi: Po ia kthejmë dinjitetin

"Ne me projektin që po e fillojmë po ia kthejmë edhe dinjitetin në kuptimin kulturor kësaj treve meqë ky vend ka pasur një traditë të zhvillimit të aktiviteteve kulturore dhe Ministria e Kulturës ka ndarë rreth 1 milion për investimin e këtij projekti. Uroj që kompania që është duke i zhvilluar punimet të punoj intensivisht në mënyrë që në afat rekord ta përfundojmë këtë projekt", tha Gashi.

Gashi u shpreh se ky nuk do të jetë projekti i vetëm që po e investojnë në Rogovë të Hasit, pasi që mbesin të përkushtuar në zhvillimin e infrastrukturës sportive për këtë pjesë.

Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini duke shprehur i lumtur për ndërtimin e Qendrës së Kulturës në Rogovë, tha se ky projekt do të ketë ndikim në jetën  kulturore të Rogovës dhe fshatrave për rreth.

Gjini: Ky projekt ka ndikim në jetën kulturore

"Është një projekt që ka qëndruar në sirtar për një kohë të gjatë, i ka ardhur radha edhe këtij projekti dhe unë jam shumë i lumtur si kryetar i komunës...Është një projekt që do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në jetën kulturore, por jo vetëm në jetën kulturore në Rogovë të Hasit dhe në fshatrat për rreth", tha ai.

Përfaqësuesi i fshatit Rogova, Islam Gashi tha se kjo qendër, gurthemeli i së cilës u vu sot ka rëndësi të veçantë për banorët e këtij fshati.

Ai u shpreh se ndërtimi i kësaj shtëpie kulturore krijon kushte më të mira për zhvillimin e aktiviteteve kulturore për të rinjtë.

Gashi: Ofrohen kushte më të mira për aktivitetet e të rinjve

"Me funksionim e kësaj shtëpie ofrohen kushtet më të mira për aktivitetin e të rinjve, për nxënësit e shkollës fillore "Haxhi Hoti", për gjimnazin "Asllan  Berisha, për ansamblin kulturor të fshatit " Isa Boletini" ku dita ditës po rritet, ansambli ka qenë edhe përpara aktivitetin nuk ka mundur që ta zhvilloj por tani kemi kushte në ndërtimin e shtëpisë së kulturës që të tregojmë dhe të paraqiten talentë të rinj sepse kemi një gjenerat e rini shumë aktive", tha ai.

Sipas tij, ndërtimi i kësaj Qendre Kulturore në Rogovë të Hasit i rrit vlerat kulturore, arsimore dhe shoqërore të kësaj ane.

I pranishëm në vënien e këtij gurthemeli ishte edhe deputeti i PDK-së, Andin Hoti, i cili tha se ky projekt do të ndikojë në fuqizimin dhe zhvillimin e kulturës në vend.

Hoti: Kjo shtëpi e kulturës fuqizon kulturën

"Pikërisht kjo shtëpi e kulturës për fuqizimin e kulturës, për zhvillimin e kulturës, për ushtrimin e aktiviteteve kulturore do iu ndihmoj juve dhe gjithë Kosovës", tha ai.

Për të parë nga afër vënien e gurëthemelit të Qendrës së Kulturës në Rogovë të Hasit, të pranishëm ishin qytetarë të shumtë dhe struktura të Komunës së Gjakovës, të cilët u shprehën të lumtur për këtë projekt.

Arlind Gashi, banor i Rogovës tha se nga sot të rinjtë rogovas do kenë një adresë për aktivitet kulturore.

Gashi: Ka vlerë për kulturë dhe rini

"Besoj se ka me vlejtë edhe për kulturë edhe për rini edhe për të gjitha...Kjo është për të rinjtë sepse tani e kanë një adresë për argëtim, kulturë, sepse është shoqëria "Isa Boletini" deri tani nuk kanë pasur vend tani e kanë një adresë ku mund t'i kenë aktivitetet e tyre", tha ai.

Ndryshe, kjo Qendër e Kulturës e cila mbanë emrin e dy dëshmorëve të kombit Shefki dhe Shefqet Thaçi, pritet të përfundojë brenda dy viteve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat