Mendime rreth romanit “Psycho” të shkrimtarit Ilir Muharremi

Kultura

Mendime rreth romanit “Psycho” të shkrimtarit Ilir Muharremi

Më: 18 prill 2018 Në ora: 07:14
Kopertina e libërit

“Personazhi në “Psycho” i Ilir Muharremit është thjeshtë një konvencion. Ai është një enë në të cilin autori mbart lëndën e lëngshme të mendimit. Bota e kufizimeve të kësaj qasje është një epruvetë ku zhvillohet një reaksion kimik, është vlera filluese dhe përfundimtare e një alkimie gjendjesh dhe situatash. Dialogu më shumë se sa si i tillë, si shkas çlirimi, si nevojë për të çmbushur një brendi që është gati të plasë, kryekëput është një monolog. Personazhi femër që rastësisht kryen punën e kamarieres, shërben trajtesës, në funksion të ligjërimit, është aty gjithnjë dhe vijon të jetë në tërë kohështrirjen e personazhit kryesor si pikëmbështetje. Trilli mbetet vetëm një lloj kamuflazhi i tematikës, bisedore dhe botkuptimore, rregulli i normës. Një lloj kadegorizimi i tekstit. Ai është më real se çdo gjasmim tjetër. Ai nuk është psikopat, ose në përpjekjen e tij për tu dukur si i tillë, rreket të na tregojë gjendjen e degraduar dhe të pashpresë ku përpëlitet e sotmja. E sotmja, sepse për të nuk ka të nesërme. Mjafton e djeshmja që ai të ketë atë të sotme për të cilën ka nevojë dhe së cilës i qëndron përsipër, jetues, vëzhgues dhe ndëshkues.... Ilir Muharremi ka krijuar një rrëfyes, i bindur se nuk ka pse të gjej domosdo një institucion të zbrazjes së asaj që e trazon. Sendërgjuar ka gjithashtu një realitet që e zotëron në fare pak gjëra në funskion të asaj që shprehet që njiherash mbetet gjithçfarë ai është. Pavarësisht nxitimit për ta ambalazhuar me trillin si orjentim strukturor i fragmentarizimin si nëndarje të gjinisë së romanit, “Pstycho” është një absurd ekzistencial. Ajo që ndesh në këtë lojë rrëfimtarie është të flasësh çfarë dhe si e mendon, përkundër tërësisë së përvojave të prozës sonë letrare, të cilat druhen të jenë të çlirëta, për msopajtim me prishjen e syprinës së rrjedhshme të gjerave në batakun e moralit.”, shkruan për romanin “Psycho”, kritiku letrar nga Shqipëria Albert Vataj.

“Libri ,, Psycho ‘’ është sfidant për tu kuptuar dhe i lehtë ( shije ) për tu lexuar. Ta mbarështrosh një vepër letrare me fundament psikologjinë dhe filozofinë e jetës me gjithë kompleksitetin e saj fiksuar në një gotë vere dhe një banakiere fiktive femër, ( si diskurs e fiksion letrar ) është thjesht një mjeshtri e rrallë që buron nga një univers njohjeje empirike, vetënjohjeje e rigjetjeje të vetvetes përmes kulturës së gjerë të leximit. Është fuqia gnostike dhe epistimiologjike për t’i përceptuar gjërat jashtë shablloneve klasike të traditës që nuk është traditë, por rigjiditet e fatkeqësi sociale, dëshmon struktura e këtij libri kaq joshës për lexuesit. Aty është e etiketuar dhe e atakuar hipokrizia, miopia, formalizmi dhe emitimet e rrejshme të jetës – jetë që nuk shijohet, por vetëm na shpifet si e lumtur. Aty kryqëzohen kohërat kalorsiake, moderne e posmoderne në kërkim të njeriut real, por gjakimi i shkrimtarit megjithatë mbetet  i kotë për të ndryshuar gjendje të një itelekti kolektiv postmodern por ende në embrionin e Gnostikës së përthelluar .  Hulumtimi për mbinjeriun e Niçes dhe njeriut normal të  autorit mbetet i njëjtë në këtë libër, edhe pse shekujt rrjedhin si uji ndër urë. Autori si Eugeni dikur nga prizmi i tij letrar ,, Psycho ‘’ sheh vetëm hije njerëzish në sheshin e Athinës, e jo njerëz që në sytë e zemrat e tyre gjallon jeta.. Libri ‘’Psycho’’ është libër për veshët e shurdhër e mendjet e hapura. Duhet kulturë leximi për ta lakmuar e durim për ta shijuar këtë libër unik. Lexuesi i rëndomtë dhe pa gjeografi të mendimit, ndoshta këtë libër do ta trajtonte si , Libri i ërrët i ndërdijes autoriale ‘’, por në fakt ky libër është gjakim për ta larguar errësirën dhe iluzionin e tyre sociologjik, psikologjik e të traditës pa përmbajtje të kolektivitetit që shpeshherë në mënyrë të verbër, dinë t’u besojnë edhe ligjeve të Asurdit. Shëtitja nëpër ngjarje përmes politekstit letrar, por edhe psikoanalitik të autorit Muharremi, është aftësi e tij e rrallë intuitive, por ndonjëherë me pak çalime estetike dhe me mungesë të një plasimi të një doze të optimizmit të duhur tek lexuesit...”, shkruan Vilson Culaj, studiues letrar.

 “Ilir Muharremi me romanin e tij Psycho ka arritur që të krijojë një personazh mjaft kontravers dhe të frikshëm! Guximi i tij që t'i qaset një karakteri të tillë të komplikuar, e bën lexuesin që të hamendet dhe të njohë më botën me të cilën rrethohet dhe në të cilën frymon! Mendja e njeriut është një laborator ku njeriu eksperimenton me veten dhe me të tjerët! E shkrimtarët janë ata që më së miri transformohen në lloj lloj karakteresh dhe krijojmë personazhe mjaft të komplikuar, interesantë dhe të frikshëm! Është Oscar Wilde me Dorian Grejin, është Dostojevski me Raskolnikovin, është Suskindi që krijoi Grenujinin etj. etj. Poashtu janë edhe regjisorët ata që u morën me këtë tematikë, e ndër ta më i famshmi ishte dhe është Hiçkoku me filmin e tij të njohur Psicho, Martin Scorcese me filmin e tij Taksisti ku rolin kryesor e luan Robert de Niro, etj. Pra, karakteri me të cilin merret Ilir Muharremi në këtë roman është subjekt.... edhe i shumë artistëve të tjerë që janë munduar ta paraqesin sa më mirë  këtë zonë të errët të psikikës së njerëzve që njihen si vrasës serik apo Psicho!Pra, autori i këtij romani e ka krijuar në mënyrën e vet një personazh pa emër që e identifikon me një njeri të dështuar në jetë dhe që ka ndërlikime psikike dhe i cili rrëfehet duke i shpalosur para dëgjuesit (që në këtë rast është banakierja, personazhi tjetër statik)të gjitha mendimet e errëta të egos së tij! Është ky një zemërim i tij që vije kohë pas kohe me plot emocione abstrakte dhe të çrregullta!”, shkruan Faruk Buzhala, shkrimtar.

“Ilir Muharremi, është autor i literaturës, por nuk i mungon përjetimi. Ideja e romanit të tij “Psycho” qe e zhvillon përmes personazhit të tij boksier i karrierës e nxjerr atë jashtë ‘ringut’ letrar të letërsisë shqipe duke iu kundërvy absurdeve me absurd përmes sportivitetit deri të kanibalizmi.... Struktura e librit nuk e paraqet një ngjarje, po bëhët ngjarje e paraqitjes, ku romani zhvillohet si rrëfim i të kaluarës, ideve, pikëpamjeve e bindjeve krejt brenda një mbrëmje në një lokal nate, me një personazh kryesor, dhe një femër shankiste si personazh dytësor, ku i pari i rrëfen të dytit nga ngacmimi deri të trillimi, edhe pse i ngarkuar me trajtimin e shumë temave, nuk ndahet në kapituj, fillon e mbaron pa respektuar rregulla letrar, fokusohet në fuqinë e mendimit si determinim i vlerës dhe esencës e cila efektizon funksionin e idesë....”, vlerëson Mahir Morina, kritik letrar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat