Përfundojnë xhirimet e ‘Cirkut Fluturues’ me regji nga Fatos Berisha

Kultura

Përfundojnë xhirimet e ‘Cirkut Fluturues’ me regji nga Fatos Berisha

Më: 30 prill 2018 Në ora: 12:06

Pas një rrugëtimi 22 ditësh, duke përshkuar po të njejtën rrugë të protagonistëve të filmit që bazohet në ngjarje të vërtete, ka mbyllur me sukses xhirimet filmi I metrazhit të gjatë, bashkëprodhim Kosovë-Shqiperi “Cirku Fluturues” në regji të Fatos Berishës dhe me producente Vjosa Berishën.

Në 22 ditët e xhirimit të ndara në 4 javë ku një javë kaloi në Kosovë, një në Ulqin dhe dy javë në Shkodër dhe Tiranë, ky film përshkoi një udhëtim jo të lehtë me xhirime në shumë lokacione, kastë të madhe aktorësh dhe me një ekip filmi mjaft të madh.

Skenari, autor i të cilit është poashtu Fatos Berisha i cili e përjetoi këtë ngjarje në realitet, dikton shpesh skena të vështira, lëvizje të mëdha lokacionesh, numër të madh figurantësh dhe shumë të papritura për 4 protagonistët në role kryesore, bëri që 22 ditët e xhirimit mos të jenë fare të lehta në realizim por disiplina në punë dhe shkathtësia regjisoriale e Berishës si dhe ekipi regjisorial që kishte rreth vetes mundësuan që xhirimet të kryhen në kohë rekord pa asnjë vonesë dhe me suksesin maksimal marrë parasysh kushtet në të cilat u punua.

Regjisori Fatos Berisha ndihet I emocionuar por edhe I lumtur lidhur me punën e realizuar:

“- Është bërë një punë e madhe, me shumë mund dhe pasion për filmin nga gjithë ekipi, gjysma e punës është kryer tani na pret gjysma tjetër deri në përfundimin e plotë. Falenderoj të gjithë ata që morën pjesë dhe ndihmuan projektin.”

Shpëtim Selmani, njëri nga katër aktorët në rolet kryesore e përshkroi përvojën e tij pothuajse të parë në film, në këtë mënyrë: “- Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Cirkut Futurues, një rrëfim i mrekullueshëm për ca njerëz që kishin ëndrrat dhe në këtë mënyrë kishin kuptim si qenie njerëzore përderisa sot fatkeqësisht duket sikur jemi në kërkim të të dyjave. Jam i lumtur poashtu që jam pjesë e një rrëfimi ku i thurret himn entuziazmit dhe pasqyron një periudhë të rëndësishme në formësimin e identitetit tonë kulturor, social dhe historik.”

Producentja e filmit Vjosa Berisha lidhur me ditët e kaluara në shesh xhirimi u shpreh: – “Jam jashtëzakonisht e kënaqur me ecurinë e kësaj faze të prodhimit të filmit sepse kemi arritur me të vërtetë që në kohë rekord të mbyllim xhirimet e një produksioni aspak të lehtë për kushtet që I kemi në dispozicion. Unë isha me ekipin cdo ditë në shesh xhirimi për të ofruar përkrahjen time të plotë sepse desha të përjetoj cdo moment pasi ky film është shumë domethënës për mua.

Lëvizja e filmit sic e dikton skenari në shumë lokacione për të arritur dinamikën e përjetimit të ngjarjes që ka ndodhur në të vërtetë, vendosja e ngjarjes në vitet e ’90ta tani kur zhvillimi i qyteteve tona e sidomos Prishtinës dhe Tiranës ka bërë që ato të ndërrojnë pothuajse komplet pamjen e dikurshme, por dhe historia e cila sado qe na bën për të qeshur me gjithë atë cfarë ju ndodh personazheve na kthen edhe në një periudhë të rëndë emocionalisht që e kemi përjetuar vet ne në vitet e ‘90ta, të gjitha këto e bëjnë filmin sa të vështirë për realizim aq edhe të dashur dhe të vecantë për vet ne si gjeneratë që e kemi përjetuar këtë periudhë para pak vitesh.

Mirëpo me një kastë aktorësh të mrekullueshme dhe me një ekip të përkushtuar, e patjetër me një punë shumë sistematike dhe mjeshtri të vecantë që ka regjisori që njëherit e bën edhe më të lehtë punën për shkak të pozitivitetit që rrezaton në punë, ne me të vërtetë arritëm të mbyllim pjesën më të vështirë edhe me një buxhet mjaft të limituar për atë cfarë dikton ky film. Jam shumë mirënjohëse përkrahësve të filmit dhe të gjithë atyre që na ndihmuan edhe gjatë xhirimeve, sigurisht dy qendrat kinematografike Kosovë dhe Shqipëri, por edhe Bashkia Tiranë së bashku me Kryebashkiakun Erion Veliaj që na konfirmuan një përkrahje financiare mu gjatë xhirimeve.

Ka edhe shumë përkrahës të tjerë në cdo vend ku ishim dhe ne I falenderojmë jashtë mase e nuk do ti harrojmë, por vlen të përmendet patjetër edhe Komuna e Ulqinit që ka bërë cmos që cdo gjë të rrjedh në mënyrën më të mirë duke mos kursyer edhe përkrahjen në aspektin e mikpritjes së ekipit dhe sigurimin e kushteve maksimale gjatë qëndrimit tonë atje. Jemi falenderues ndaj të gjithëve Prishtina, Tirana Shkodra dhe Ulqini, ju falenderojmë pa fund që na ofruat ndihmën tuaj që të ndjehemi mirë, si në shtëpinë tonë dhe të mund të kryejmë punën tonë. Poashtu një falenderim I vecantë për të gjithe ekipin, nga asistentat e produksionit që ishin të palodhur në cdo moment e deri tek I gjithe ekipi I filmit që ishin shumë profesional dhe të përkushtuar përfshirë këtu menaxherin e produksionit, drejtorin e fotografisë regjisorin dhe kastin e madh të mbi 40 aktorëve nga të gjitha trojet shqiptare që morën pjesë në film në role të ndryshme. Krejt në fund ata që marrin dedikimin tim janë edhe katër aktorët kryesor, Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Mucaj dhe Shpëtim Selmani të cilët i qëndruan stoikisht këtij udhëtimi të gjatë duke qenë prezent në xhirime cdo ditë për 22 ditë rradhazi dhe duke vazhduar të jenë të buzëqeshur dhe me disponim të mirë në vazhdimësi, të disiplinuar e duke dhënë maksiumin që cdo skenë të shkojë ashtu si duhet.

Krejt në fund jam e sigurt që ky film do të sjell shumë momente komike për publikun por njëkohësisht edhe emocion e dhimbje, mund të them që në vete Cirku Fluturues është ndërtuar me shumë dashuri dhe jam e sigurt se do t’a rrezatojë këtë emocion kudo.”

Përvec katër aktorëve në rolet kryesore, rolet dytësore u kanë takuar një numri të aktorëve më të njohur të skenës shqiptare: Refet Abazi, Shkumbin Istrefi, Luan Jaha, Vedat Bajrami, Armond Morina, Romir Zalla, Ilir Prapashtica, Rita Gjeka, Bislim Mucaj, Dibran Tahiri dhe Fisnik Ademi, ndërkohë një prezencë speciale në rol dytësor kishte edhe aktori i njohur boshnjak i cili jeton dhe vepron në Londër, Velibor Topic, i njohur për rolet e tij në Robin Hood, Kingdom of Heaven, etj.

Premiera e filmit pritet të jetë në fillim të vitit 2019 kur filmi mund të fillojë rrugëtimin e tij nëpër festivale të ndryshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat