Dëfrim Heshtnaje

Kultura

Dëfrim Heshtnaje

Më: 14 qershor 2018 Në ora: 15:58

Kur lexon “Dëfrim Heshtnaje” të artistes polivalente Valentina Saraçini, menjëherë të krijohet si fillim përshtypja se ky libër poezish të shumëllojshme, shumë qëllimshme, shumëkuptimshme, plot zhanre, trajta e fjalë të përdorura me një larmi të admirueshme, të ofron një këndvështrim krejt burimor mbi botën e poetes pikësëpari, por njëkohësisht edhe lidhur me vetë stadin e zhvillimit, evolucionit të poezisë së krijuar në universin letrar shqiptar.

“Dëfrim Heshtnaje” është pikërisht i tillë, një Heshtnajë nga ku buron thelbi i krijimtarisë së poetes, krejt dimensionet e shprehjes së saj poetike, ngjizjet e artit të saj të fjalës, gjithçkaje në diapazonin e saj poetik, që paskëtaj rrjedhimisht shndërrohet domosdoshmërish në një Dëfrim për lexuesin, por edhe vetë venën e pashtershme poetike të autores, dëfrim që ka për gurgullimë veç këtë heshtnajë themeltare.

Është një kapicë poezish, një pirg poetik, një Kullë Babeli artistike që rreket dhe synon qiellin, “Caput Mundi-n” e letërsisë dhe poezisë më të zgjedhur, duke rrëzuar mite, vrarë paragjykime, zhbërë sajesa e shpërfaqur botën më shndritëse ku gjallon krijueshmëria e poetes përmes disa nëndegëve poetike: Orë e Paparë; Përtej Mitikes; Kumte Krahënderë; dhe Si Dunë.

E në secilën pjesë, lexuesi do të hasë një univers të ri, një mendësi të re, një stil të vijueshëm krijues të poetes, që prapëseprapë sendërtohet pandalshëm në forma e shpërfaqje të ndryshme të poezisë dhe artit të saj burimor.

Do të takoni “Shumëkushët”, këtë shprehje kaq origjinale e njëkohshëm krejtësisht gjithëpërfshirëse për mjedisin e sotëm jetësor shqiptar.

Do të ndeshni Antigonenë, qytetin mishërues të dashurisë epirote, grahmat e Pirros legjendar, frymërat, epikën dhe tiset e së shkuarës së largët që përditësohet mrekullisht nga poetja duke na e servirur të gjithën me elegancën e gjuhe të zgjedhur dhe metaforash të denja për antologjinë më të epërme të poezisë shqipe.

Do t’ua zënë udhën Dunat, këto trupëzime shkretëtirash e rëre, simbolika të një realiteti njerëzor e mendor të stisur me synime e smira djerrinash e shkretimesh.

Tematika e rërës vjen e shpeshtë në këtë libër, nga Klesidra, ora e lashtë e rërës, të cilës poetja i avitet me aq shije, e gjer te dunat e sipërpërmendura.

Është një kushtrim poetik, një orvatje kulturore mbi të gjitha, e shkruar me një gjuhë të rrallë për ditët e sotme, ku ndërthuren toskërishtja juglindore e origjinës së autores, me shkreptima e vetëtima gjuhësore të gegërishtes së Kosovës, që e lartësojnë këtë stil të shkruari edhe më shumë, duke e fisnikëruar këtë libër mëtejshëm.

Gjithçka në këto poezi është njësore, e pahasshme tjetërkund, e rrallë dhe pavarësisht këtyre karakteristikave kaq dalluese, këto poezi, qysh nga e para syresh “Orë e Paparë” e gjer te kushtimet për miqtë e penës dhe poezisë, korifejtë e letrave dhe artit shqip, Ali Podrimja, Azem Shkreli e Bekim Fehmiu, për të përfunduar me shpirtin e këtij libri, vetë poezinë “Dëfrim Heshtnaje”, të tëra bashkërisht arrijnë të depërtojnë krejt natyrshëm në psiken dhe etjen më burimore poetike të çdo lexuesi.

Mbetet vetëm t’i lexoni, me pasionin që do t’u shtohet poezi pas poezie (sepse faqet nuk do të keni kohë as t’i vëreni), dhe të ndiheni mirënjohës për këtë dhuratë nga autorja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat