Hardh Fest sivjet me pamje kah vneshtat

Kultura

Hardh Fest sivjet me pamje kah vneshtat

Më: 21 qershor 2018 Në ora: 12:04
Ilustrim

Inspiruar nga tog-fjalëshi 'Me pamje nga deti', Hardh Fest 2018 këtë vit organizohet nën sloganin "Me pamje kah vneshtat", më datë 7,8, dhe 9 shtator në Konak të Rahovecit.

Turistët do të kenë mundësi të kënaqen me pamjet që ofron qyteti i Rahovecit bashkë me plantacionet e vreshtave, që ndryshe ky vend  cilësohet nga turistët ndërkombëtar edhe si Toskana e Kosovës.

Sipas organizatorëve, jeta në Hardh Camp, panairi i verës, garat në shtrydhjen e rrushit, netët me muzikë, plot shoqëri dhe një gotë verë rreth kazanit të rakisë dhe zjarrit, e më pas momentet e këndshme të mëngjesit, janë eksperienca e plotë e shpirtit dhe jetës së Hardh Festit.

“Me sloganin “Me pamje kah vneshtat” festivali “Hardh Fest” këtë vit do të sjellë shumë risi dhe atraksione vreshtare, verëtare, turistike dhe kulturore. Festivali organizohet nën patronatin e kryetarit të komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi si dhe në përkrahje të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe sponsorëve të festivalit”, thuhet në komunikatë.

Festa e Vjeljes së Rrushit, “Hardh Fest”, edicionin e kaluar shënoi një sukses të madh, ku numri i pjesëmarrësve arriti mbi 50 mijë vizitorë nga mbarë bota.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat