Nis restaurimi i Shtëpisë së vëllezërve Frashëri

Kultura

Nis restaurimi i Shtëpisë së vëllezërve Frashëri

Më: 22 qershor 2018 Në ora: 08:28
Shtëpia e vëllezërve Frashëri

Nis puna për restaurimin e banesës së vëllezërve Frashëri, në Përmet. Kjo banesë është monument kulture i kategorisë I-rë.

Mirëmëngjes, dhe me fillimin e punimeve për rimëkëmbjen muzeale të Shtëpisë së vëllezërve Frashëri dhe gjallërimin e një rajoni zemrek të historisë sonë kombëtare, ju uroj një ditë të bukur”, shkruan kryeministri Edi Rama në facebook.

Projekti i hartuar nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës, synon t’i rikthejë shkëlqimin e munguar kësaj pasurie të trashëgimisë sonë kulturore, nëpërmjet restaurimit të elementëve konstruktivë dhe arkitektonikë të objektit, restaurimin e ekspozitorëve dhe vitrinave, si dhe ndërhyrjeve rehabilituese në sistemimet përreth banesës.

Gjithashtu, terreni përreth banesës, brenda rrethimit, do t’i nënshtrohet ndërhyrjeve rehabilituese të përgjithshme. Në shumë nga dhomat e ekspozimit ruhen ekspozitorët dhe stendat e projektuara gjatë kohës kur banesa u rikonceptua si shtëpi-muze.

Kjo shtëpi muze në vitin 1974 është ndërtuar mbi rrënojat e banesës së vjetër të shkatërruar. Ajo u rikonceptua si një përmbledhje e historikut të zonës, e veprimtarisë së tre rilindasve dhe është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kombëtare.

Me ringritjen e saj është bërë përpjekje për ruajtjen e origjinalitetit të volumit fillestar, duke shtuar elemente të rinj si ndërkate e tavane druri dhe oxhakët nëpër dhoma.

Disa nga dhomat e kësaj shtëpie-muze pasqyrojnë mënyrën e jetesës së kohës, duke mbledhur orendi të vjetra edhe nga banorët e zonës. Interesi për këtë banesë duket se është jo i pakët, për vetë rëndësinë dhe historinë që ajo ka.

Shtëpia-muze gëzon në fondin e saj libra e dorëshkrime të vëllezërve Frashëri, ku mund të veçojmë disa botime origjinale të Sami Frashërit.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat