Dialog nga larg

Kultura

Dialog nga larg

Gëzim Loka Nga Gëzim Loka Më 24 qershor 2018 Në ora: 13:40
Roland dhe Kreshnik Sef dhe Urim Sefa

Ju jetoni larg, në një tokë të re, ku ka të tjera vise, tjetër diell, të tjerë njerëz, kohë tjetër.

Ka kohë që keni ikur në Angli, në Mbretërinë e Bashkuar, në tokën e begatë të mbretërve e perandorëve, të Lindjes e të Perëndimit, që e kanë pasur dhe e kanë si busull në kohë-hapsirën globale mbretëreshën evropiane të ujërave dhe të detit…

Ikët nga sytë këmbët për një jetë më të mirë, për një jetë të re, larg stresit, larg sherrnajës shqiptare (ballkanas hesapi), larg varfërisë, që është ulur këmbëkryq në këtë vendin tonë, që nuk të jep mundësinë për të vënë në përdorim dhuntitë dhe talentet tona.

Ikët larg rrëmujës e rrëmetit, ku njerëzit e këtyre anëve, siç thotë poeti trim tribun, “pranë detit të palarë/pranë botës të pa parë/pranë sofrës janë të pangrënë/pranë dijes të panxënë”…

Ikët dhe morët me vete vendlindjen, mallin, kujtesën, herë e zymtë dhe e trishtë, herë romantike dhe idilike.

Morët rrugët e atdheut, që nga Kukësi i largët në Tiranë, kudo në çdo cep të shqiptarisë ku shkeli këmba juaj dhe i çuat larg, në tokën e bekuar nga dashuria.

Ikët dhe, për t’u kthyer, pas nuk hodhët gjurmë kripe, si në përrallën e moçme shqiptare, por gjurmë kujtese, lëkurë ndodhish dhe ngjarjesh të përjetuara, grimca dashurish për prindërit, motrat e vëllezërit, dajat e rrethin familjar e farefisnor, për të cilët ju keni bërë aq shumë.

Sa herë që vini na gëzoni e krahas kthimit të mallit dhe kujtesës na ktheni buzëqeshjen, na bëni më të mirë e më në harmoni me njëri-tjetrin dhe me të gjithë ata që na rrethojnë.

Toka jonë nuk ju mbajti. Toka jonë, vendi ynë nuk kishte nevojë për duart tuaja flori. Duart tuaja që këndojnë simfoninë e punës, pasionin për arkitekturën, ndërtimin, ustallëkun, zeje këto të cilat ju i njihni me perfeksion.

Toka jonë i përzë punëtorët, njerëzit duarartë, njerëzit që e ndërtojnë jetën në gur, me shumë talent dhe me shumë dashuri.

Toka jonë ka nevojë për tutorët, njerëzit e borduarve, drogmenët, mafiozët, ata që janë të hurit e të litarit. Ajo iu thur hosonara kopukëve, dallkaukëve, shantazhuesve, përtacëve, horrave, hajdutëve, keqbërësve.

Ju ikët me një tis pendimi në sy, për gjithçka që kishit lënë këtu, prindërit, vëllain, motrat, njerëzit e gjakut e të rrënjëve, farefisnin, të afërmit. Donit që të ishit pranë tyre, por më mirë larg e me dinjitet, më mirë larg e me duar plot, se sa afër tyre e pa asgjë në shpirt, siç është fati i brezit tuaj, rini pa rini, që nuk e ka gjetur dhe nuk po e gjen dot veten në këtë shoqëri të një mijë e një halleve.

Ju keni bërë shumë për familjen, për farefisin, për njerëzit e rrënjëve e të gjakut të përbashkët. Keni bërë dhe për mua, kur duarplot keni ardhur në përvjetorët e ditëlindjeve të mia, keni shtruar gostira të pafundme me të gjithë ne, njerëzit e rrënjëve të njëjta familjare, na keni sajdisur dhe gjej rastin sot t’iu falenderoj.

Unë jam daja juaj dhe ju kam ndjekur në çdo hap të jetës. Kur keni hedhur hapat e parë. Kur na keni falur buzëqeshjet e para. Kur keni shfaqur dhunititë dhe tale-ntet e para të duarve tuaja të arta. Dhe sot që, ndonëse larg, në një tokë ëndrrash dhe bekimi, ju ndiej pranë çdo çast, ju dua shumë dhe ju nis që nga ky vend i zymtë mesazhe paqëtimi e shprese se një ditë tjetër, një ditë e re do të arrijë më në fund edhe këtu, në tokën e shqipeve.

Kjo ese është një mesazh mirënjohje për mundin tuaj, për respektin tuaj ndaj prindërve, ndaj neve dajave, ndaj shoqërisë që kurrë nuk e keni braktisur dhe që i keni qëndruar korrekte në çdo kohë me përkushtim dhe dashuri.

Çdo çast i jetës suaj qoftë një mijë vjet dritë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat