Ministria e Kulturës së shpejti në Prizren, objekti në qendër do të mbetet bosh?

Kultura

Ministria e Kulturës së shpejti në Prizren, objekti në qendër do të mbetet bosh?

Më: 8 korrik 2018 Në ora: 13:54
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit së shpejti pritet që të bartet në qytetin e Prizrenit.

Këtë e konfirmoi ditë më parë edhe ministri i këtij dikasteri, Kujtim Gashi, i cili ka deklaruar se tashmë kanë filluar procedurat për bartjen e stafit dhe çështjet e tjera administrative.

Ndërsa, tha se që nga mesi i muajit korrik, një pjesë e kësaj ministrie, do të operojë në qytetin e Prizrenit.

Gashi: Jemi afër me kalu atje

“Tashmë proceduralisht jemi afër për të kaluar atje. Kemi edhe disa çështje administrative dhe më së largu në muajin e ardhshëm, një pjesë e ministrisë do të operoj në qytetin e Prizrenit”, ka thënë ai.

E në hapësirat në të cilat ndodhet aktualisht Ministria e Kulturës në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë,  pas largimit, është thënë se do të vendoset Presidenca e Kosovës.

Por derisa Ministria e Kulturës po bartet nga objekti, si duket presidenca nuk ka ndonjë  plan të afërt që të kaloi në objektin e liruar. Së paku kështu lë të kuptohet nga ajo çfarë thotë presidenca.

I pyetur nga kp se a do të bartet presidenca në këtë objekt, i cili pritet të lirohet së shpejti,  Adil Behramaj, këshilltari i Presidentit, Thaçi, tha se ata nuk merren me këtë punë pasi kjo është përgjegjësi e Ministrisë së Administratës Publike.

“Përgjegjësi e MAP-it është, nuk merremi ne me këtë punë“, tha ai.

Por me këtë punë nuk është se po merret as MAP, pasi që nuk kanë ndonjë kërkesë nga presidenca për ndërrim të objektit.

Zëdhënësi i MAP, Zeqir Bekolli ka pohuar se njëherë nuk ka asgjë në këtë drejtim, pasi që nuk ka ndonjë kërkesë nga presidenca.

“Njëherë nuk ka asgjë për këtë punë. S’kemi ndonjë kërkesë nga presidenca”, tha ai.

Por se çfarë do të ndodhë me këtë objekt, i cili së shpejti do të mbetet i zbrazët dhe se a do të  vazhdohet të paguhet qiraja për këto hapësira, të cilat do të mbeten të pashfrytëzuara nuk dihet. I pyetur nga KosovaPress, zëdhënësi i MAP, Bekolli tha se me këtë çështje merret Ministria e Financave.

Por si duket as kjo ministri nuk ka fare të bëjë me këtë. Të paktën kështu thotë zëdhënësi, Muharrem Shahini. 

“Jo me këtë merrte MAP ose Ministria e Kulturës, jo ministria e financave. MAP e ka për obligim me siguru hapësirën”, tha ai .

Se a do të vendoset staf i ri në objektin që do të lirohet, pritet të shihet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat