Homazh për tim vëlla

Kultura

Homazh për tim vëlla

Reshat Kripa Nga Reshat Kripa Më 8 korrik 2018 Në ora: 16:38
Besnik Kripa

Im vëlla, Besnik Kripa, lindi më 9 korrik 1933 në Vlorë. Shkollën 7 vjeçare e kreu në qytetin e Vlorës dhe atë të Tiranës. Pastaj vazhdoi shkollën e mesme në gjimnazin ‘ Ali Demi “ të qytetit të Vlorës. Si të gjithë pjestarët e tjerë të familjes tonë, ishte një nxënës i mirë. Në fillim të prillit të vitit 1950, në moshën 17 vjeçare, së bashku me dy shokë të tjerë të klasës, Lavdosh Beqon dhe Alajdin Alemin krijuan një organizatë të fshehtë e cila shkruante dhe shpërndante trakte me përmbajtje antikomuniste në shkollë. Por shoqata u dekonspirua nga nje shokë i klasës së tyre që kishte dijeni,      

Kështu në mbrëmjen e 15 prillit të vitit 1950, ndërsa shkonte në një mbrëmje vallzimi të organizuar nga klasa e tyre, arrestohet dhe mbyllet në qelitë e sigurimit. Ne nuk dinim asgjë për sa kishte ndodhur. Tërë atë natë dhe tërë ditën e nesërme, prisnim të shqetësuar kthimin e tij. Lloj lloj variantesh na shkonin ndër mend, por nuk besonim kurrë që mund të ishte arrestuar dhe aq më tepër për një çështje të tillë si krijimi i një organizate antikomuniste.

Në mbrëmjen e 16 prillit në shtëpi erdhën dy oficera të Degës së Punëve të Brendëshme që na njoftuan se e kishin arrestuar pasi gjoja kishte provokuar një vajzë. Kontrolluan librat e tij dhe morën disa fletore të shkruara nga ai. Ne nuk e besuam variantin e servirur prej tyre dhe aq më tepër babai që shprehu mendimin se diçka e jashtëzakonshme kishte ndodhur. Po ashtu u arrestuan edhe Lavdoshi me Dinon. Atëhere u bindëm për shkakun e arrestimit. Aq me tepër vëllai i madhë, Agimi që kishte lexuar një trakt të hedhur prej tyre.

Pas gjashtë muajsh hetimi dhe torturash u zhvillua gjyqi nga gjykata ushtarake e Gjirokastrës. Babai zgjodhi një avokat të njohur të qytetit, Fadil Llagamin nga Tirana. Por me gjithë mbrojtjen e tij, gjithçka ishte vendosur që më parë. Besniku u dënua me 20 vjet burg, ndërsa Lavdoshi me Dinon me nga 15 vjet,  Gjykata e Apelit ia ktheu dënimin në 15 vjet.

Kështu filloi kalvari i gjatë i burgjeve dhe kampeve të ndryshme. Nga burgu  i Vlorës, u end nëpër kampet e Nizhavecit të Maliqit, Gosës së Vogël të  Kavajës, Urës

Vajgurore. Ndërkohë isha arrestuar edhe unë për një aktivitet të ngjashëm më atë të tim vëllai. U takuam bashkë në kampin e Urës Vajgurore në gushtin e vitit 1952. U përqafuam me një mall të paparë. Na dukej sikur ishim kthyer prapë në familje. Më pyeste për gjithçka, në mënyrë të veçantë për familjen megjithse unë kisha më shumë se një vit që isha ndarë nga ajo. Pastaj vazhduam së bashku në Vlashuk dhe Shtyllas. Atje u ndamë përsëri, kësaj rradhe për të mos u bashkuar më gjatë qëndrimit tim në burg. Unë shkova në Bulqizë, ndërsa ai në Rinas. Prej andej, pas gati një viti, më dërgoi një letër ku më këshillonte se si duhej të veproja pasi të lirohesha së shpejti. Në atë letër shkruhej:

“ Vëlla i dashur!

Sot u takova me nënën. Kishte ardhur për takim. Ndjeva një kënaqësi të madhe.Prej këndej do vinte për të takuar ty Mendova sakrificën që ajo bënte për ne bijtë e saj. Katër ditë udhëtim për të mos na lënë të vetmuar.Po t’i shkruaj këto rradhë, pasi e di se ty tashmë të kanë mbetur edhe pak muaj për t’u liruar.Do të të porosisja që ashtu siç ke qëndruar gjithmonë, të vazhdosh të qëndrosh edhe kur të dalësh. Qëndroju pranë dhe mos u nda prej tyre.Ata tashmë janë pleq dhe kanë nevojë për ne.Boll telashe u kemi shkaktuar. Unë kam për të kryer edhe shumë vite të tjera. Megjithatë ndjej një kënaqësi të madhe kur mendoj se do të shkosh pranë tyre së shpejti.

Të përqafoj dhe puth me mall së largu!

Vëllaj yt i shtrenjtë Besniku

 U lirua  në  dhjetor  1961,  mbas  11  vjetësh  dhe  8  muajsh burg

Pas lirimit qëndroi disa kohë pa punë për të mbledhur veten. Bëri edhe një vizitë të kujdesshme tek bashkëvuajtësi ynë doktori i paharruar Isuf Hysenbegasi, që në atq kohë banonte në Vlorë, i cili i bëri edhe një konsultë me specialistë, pasi vuante nga zemra. Kështu  e mblodhi  mirë  veten dhe  mundi  të  rregullohej  me  punë pranë Postë – Telekomunikacionit me detyrën e fillorojtësit. Ishte një punë relativisht e mirë, megjithse i duhej që brenda ditës  të  endej  brenda  dhe  jashtë  Vlorës  ku  kalonin  linjat telefonike. U bë shpejt specialist për këtë punë. Po atë vit filloi edhe vitin e dytë të gjimnazit të mbrëmjes, të cilin e mbaroi në vitin 1966.

 Kështu vazhdoi për gati një vit. Një ditë ishte me shërbim në Ujin e Ftohtë, pranë vilave të udhëheqësve. Ndërsa punonte vjen një oficer dhe i kërkon të shikojë linjën e telefonit të vilës, pasi nuk vinte sinjali. Besniku i tha se nuk kishte autorizim për të hyrë në vilë dhe se tekniku i linjave nuk ishte aty, por oficeri i tha që ta rregullonte se nuk priste puna dhe nuk prishte punë në se kishte fletë-hyrje apo jo. Shkoi dhe pas pak e rregulloi. Por atje e pa oficeri i Degës së Punëve të Brendëshme, Xhevdet Beci, i cili që të nesërmen urdhëroi drejtorinë e postë-telekomunikacionit që ta pushonin nga puna. Kështu u bë dhe ai ngeli pa punë. Pas disa muajsh mundi të gjejë punë në fabrikën e tullave, ku e caktuan të punonte në furrat e tharjes së tyre. Ishte një punë mjaft e vështirë dhe me gazra dhe tymra sa kur dilte nuk njihesh se kush ishte po të mos bënte banjo. Kështu vazhdoi për tridhjet vjetë në këtë punë të rëndë për pesëmijë lekë në muaj. Edhe një gjysëm litri qumësht që i jepnin për antidot, nuk e pinte por ua sillte fëmijve se nuk mundeshin dot të blinin qumësht në treg.

Në vitin 1965 u martua me Kreshnike Mezinin, bijën e Selamet Mezinit nga familja e njohur me këtë mbiemër në qytetin e Vlorës. Kreshnikja punonte si normiste në kombinatin e peshkut dhe frutave “ Ernest Telman “. Por martesa e saj me të ra shpejt në sy ndaj e hoqën nga puna si normiste duke e bërë punëtore. Biografia e burrit shkarkohej mbi gruan e tij. Ajo duhej të paguante të kaluarën e burrit të saj. Si rezultat i martesës lindën dy fëmijë, Myneverja më 29 tetor 1966, që mori emrin e nënës që kishte vdekur katër muaj më parë më 10 qershor 1966, dhe Ariani më 30 mars 1970.

Me ndryshimet demokratike që ndodhën në vitin 1990, u aktivizua në rradhët e Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë që sapo u formua dhe në Partinë Demokratike, antar i së cilës u bë që në ditët e para duke u zgjedhur edhe antar i kryesisë së degës së Vlorës. Në zgjedhjet lokale të vitit 1992, ashtu si babai në vitet 1937-1938, u zgjodh antar i Këshillit Bashkiak të qytetit. Këto detyra i ushtroi deri në vitin e mbrapshtë 1997.

Ishte një tip i veçantë dhe jashtzakonisht i ndershëm dhe besnik. Nuk kishte fjalë, por ato që thoshte peshonin shumë. Shoqërinë e vazhdonte më tepër me Lavdoshin dhe Dinon, dy shokët e burgut.

Në gushtin e vitit 2006 pësoi një hemoragji cerebrale që e paralizoi në shtrat. Porsa mora lajmin u nisa dhe në mesnatë u ndodha në spitalin e Vlorës, ku ishte shtruar. Ishte në gjendje të rëndë. Fëmijtë kishin emigruar në Itali.  I lajmëruam dhe erdhën të dy të nesërmen. Qëndroi në këtë gjëndje për tre muaj. Nuk i mungoi asgjë, që nga kurat  që  ia  sillnin  nga Italia dhe deri tek shërbimi për të cilin angazhuam edhe një grua me  pagesë.  Por  çdo  gjë kishte marrë rrugë. Më 26 nëntor 2006 mbylli sytë përgjithmonë. Atë ditë munda të shkoj në Vlorë për t’i qëndruar pranë vëllajt tim, me të cilin kemi kaluar vitet më të vështira të jetës. U bë një varrim madhështor, ku u mbajtën edhe fjalime përkujtimore. Lidhur me këtë i kushtova poezinë e mëposhtme:

VËLLAJT

Çfarë të të kujtojë, i dashur vëlla,

Jetën që kaluam, tmerr dhe brenga plot,

Bashkë e përshkuam, bashkë të pandarë,

Mendja s’e kupton, pena s’shkruan dot.

S’shkruan se ndjen dhimbje, dhimbje të pamasë,

            Për rininë e humbur burgjeve të shkretë,

            Burrërinë e vjedhur zemrën në lëngatë,

            Shpirtin copëtuar rrjedhëve në jetë.

Kurrë nuk u theve, kurrë nuk u mposhte,

Qëndrove me nder në dallgë e stuhi,

Me fëmijtë gëzove, jetën e ndërtove,

Me vaj e mundime por me dashuri.

            Dhe tani që jeta filloi të lulëzonte,

            Kur dhimbja mizore ishte flakur tutje,

            Tani që dhe zemra filloi të gëzonte,

            Përse të dënoi? Përse më nuk duke?

Oh, ky fat i hidhur në shtrat të mbërtheu,

Por ti prapë qëndrove si titan legjende,

Kokën nuk e ule, dhimbja nuk të theu,

I përhershëm mbete, simbol rezistence.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat