Komedia “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit hapë nesër “Butrinti Summer Festival” - Bota Sot
Komedia “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit hapë nesër “Butrinti Summer Festival”

Kultura

E martë, 18 shtator 2018

Komedia “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit hapë nesër “Butrinti Summer Festival”

Më: 9 korrik 2018 Në ora: 14:41

“Butrinti Summer Festival” këtë vit mbërrin në edicionin e 16. Festivali ndërkombëtar i teatrit në Butrint nis nesër në mbrëmje deri më 14 korrik dhe sjell disa shfaqje, që në skenën antike do të jenë me aktorët shqiptarë, por dhe të huaj. Këtë herë vijnë trupa nga Maqedonia, Ukraina, Greqia dhe Shqipëria. Për publikun do të shfaqen vepra të autorëve të njohur botërorë dhe nuk mungojnë veprat e antikiteti grek.

 

Festivali nis nesër në mbrëmje dhe ai do të hapet me komedinë e “Nata e dymbëdhjetë” të Shekspirit që e sjell në skenë Teatri i Metropolit, vepër me regji nga amerikani Justin Anderson. Më datë 9 korrik në skenë do të vijë shfaqja performancë “Personazhet e dramës së antikitetit grek” nga regjisorët Dinos Koubatis, Pandelis Garios. Vijon në festival dhe shfaqja “Njeriu dhe zjarri” bazuar mbi mitin e Prometeut me regji nga Dejan Projkovski nga Maqedonia, ndërsa më 12 korrik do të vijojë shfaqja “Monger” nga artistët e TOB me koreografinë e izraelitit Barak Marshall dhe e fundit në festival do të jetë “Kopshti i qershive” nga Anton Chekhov, që e sjell në skenë trupa e teatrit të Ukrainës me regji nga Yaroslav Fedoryshyn. Por festivali do të vijojë dhe me një natë tjetër mbrëmjen e datës 14 korrik. Drejtori artistik Alfred Bualoti tregon se fatkeqësisht shihet pak vëmendje nga Ministria e Kulturës.

“Festivali jonë është unik, por institucionet e kanë lënë pa mbështetje. Është shumë pak ndihma financiare që jepet për zhvillimin e tij. Ne kemi fatin që të jemi me festivalin tonë brenda një teatri të mrekullueshëm antik. Ne nga rreth 50 shfaqje këtë vit zgjodhëm pesë prej tyre, sepse dhe nuk kemi mundësi për më tepër në festival. Festivali ynë ka nisur që në vitin 2000, por nga ana financiare nuk kemi mundësi për më shumë shfaqje”, tregon Bualoti për festivalin e që këtë vit vjen me emrin “Butrinti Summer Festival”. Komedia “Nata e Dymbëdhjetë” është e cilësuar si nga veprat më të mira të Shekspirit, ngjarjet e së cilës zhvillohen në Iliri, erdhën në skenë nga regjisori amerikan Justin Anderson. “Nata e Dymbëdhjetë” e Teatrit Metropol që do të hapë nesër festivalin në Butrinti vjen në një tjetër kohë, në Shqipërinë e viteve 1800, në kohën e Lord Bajron, Ali Pashë Tepelenës dhe fotografëve Marubi. Ashtu si shumë komedi të tjera të Shekspirit, edhe kjo komedi përqendrohet mbi identitetin e rremë. Ndërthuren karaktere e situata nga më të ndryshme me nota realiste e lirike, komike e dramatike, plot humor e trishtimin.

Festivali ndër vite

Festivali ndërkombëtar i teatrit “Butrintit 2000” është parë si simbol i ballafaqimit të kulturave dhe i lirisë të krijimit artistik. Ai është arenë e dramaturgjisë së mjeshtreve të mëdhenj, të cilët vijnë dhe aktualizohen prej mbartësve të një realiteti bashkëkohor. Në edicionet e tij kanë marrë pjesë trupa teatrore nga: Italia, Franca, SHBA, Anglia, Greqia, Rusia, Kosova, Zvicra, Republika Çeke, Maqedonia, Kroacia, Serbia, Rumania, Spanja, Bullgaria, Ukraina, Holanda, Qipro, Hungaria, Suedia, Polonia e Shqipëria. “Nga këto vende kanë pasur fatin të luajnë në skenën magjike të Butrintit rreth 2650 artistë, si dhe janë ndjekur nga përreth 65.500 spektatorë vendas e të huaj. Zhvillimi i edicioneve të mëparshme të festivalit ishin pa mëdyshje një sukses i prekshëm, që për nga vlerat e gjithanshme krijuan një jehonë të jashtëzakonshme në qarqet e kulturës evropiane”, thuhet në faqen zyrtare të festivalit. Një vit më parë edicioni i 15 i festivali, 13-20 korrik në teatrin antik të Butrintit u hap me një dokumentar kushtuar këtij aktiviteti për të vijuar më pas dhe me një koncert të orkestrës së harqeve e klubit të Artit dhe Kulturës. Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Butrinti 2000” është cilësuar si simbol i ballafaqimit të kulturave dhe i lirisë të krijimit artistik.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test