E dhatë jetën që unë të vija tek ju...!

Kultura

E dhatë jetën që unë të vija tek ju...!

Nga: Ramiz Lushaj Më: 18 korrik 2018 Në ora: 09:33
Çung (Jahë) Tahir Dedushaj dhe Isuf Zymer Dedushaj

Kushtim për Çung (Jahë) Tahirin e Isuf Zymerin të Dedushajve të Vuthajve në 67 vjetorin e martirizimit të tyre nga UDB-ashët e Jugosllavisë së Titos për veprimtarinë e tyre atdhetare kombëtare

1.

Gjithmonë,

Dy burra më presin e përcjellin në Vuthaj,

Në Vuthajt e bukur.

Dy martirët e historisë:

Çung (Jahë) Tahiri, Isuf Zymeri.

Dy lisa të vjetër e të rinj të vllaznisë Dedushaj.

 

2. Ata nuk shkojnë emigrantë dherave të huaja,

As në Europë.

As në Amerikë.

 

Ata nuk i gjen në pallate e zyra,

As në Tiranë. As në Podgoricë. As në Prishtinë.

Ata nuk i kie në kafe me trojenik e mërgimtarë,

 As në Plavë. As në Guci.

 

 Ata rrijnë aty në Vuthaj,

Lapidar e memorial në histori.

Portë e madhe.

Derë e hapur.

 Dorë e zgjatur…

 

Ata të dy,

Në dimër e verë, në ditë me diell, borë, stuhi.

Gjithnji më presin aty…

 

3. Aty, skej rrugës, skej lumit, skej malit,

Përjetësisht me fytyrë nga dielli.

 

Amanet në tokën e përgjakur

Rrijnë në një varr e lapidar të përbashkët

Si krahë shqipesh në truall Alpesh.

 

Unë, turistë, mërgimtarë… ndalim aty

Kuvendojmë, çmallemi e krenohemi me Ju,

Bashkë me Ju e Alpet bajmë fotografi .

 

Kur eci me makinë, kam përnguti,

I bie burisë, u përshendeti me dorë:

 

 -Ju dhatë jetën ende pa lindur unë.

E dhatë jetën që unë të vija tek Ju…

-Ju e dhatë jetën që Vuthajt të mbeten Vuthaj,

Plavë-Gucia të mbetet Plavë-Guci...

-Tungjatjeta, dy trimat Dedushaj, martirët e mi…!

Shënime biografike:

Çung (Jahë) Dedushaj (1889-1951) dhe Isuf Zymer Dedushaj (1925-1951) janë dy nga martirët e krahinës etno-historike të Plavë-Gucisë, të cilët u vranë më 18 korrik 1951 në Vuthaj nga UDB-ashët e Jugosllavisë të Tretë të Titos, për veprimtarinë e tyre atdhetare.

Presidenti i Shqipërisë, prof. dr. Sali Berisha, në 80 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, i ka dekorue: Jahë (Çung) Tahir Dedushaj me “Urdhrin për Veprimtari Patriotike të Klasit II” e Isuf Zymer Dedushaj me “Urdhrin Naim Frashëri të Klasit Parë” “Për shërbim në shkollat shqipe në Shqipërinë Veriore”.

Historiani Rexhep Dedushaj ka shkrue një libër nonografik “Çung Tahiri i Vuthajve”. ShB “Dukagjini”. Pejë, 2013.

Image
Dr. Naim Salih Jahë Dedushaj, nipi i tyre, duke i përkujtuar e nderuar gjyshin e axhen (xhaxhain) e tij tek Varri i përbashkët-Memorial në Vuthaj të krahinës së Plavë-Gucisë.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat