Nga protestat në Kosovë, në kërkim të ‘Diellit’

Kultura

Nga protestat në Kosovë, në kërkim të ‘Diellit’

Më: 20 korrik 2018 Në ora: 17:30

Përveç programeve tradicionale filmike të PriFest-it, edicioni i dhjetë ka sjellë edhe dy programe të reja duke përfshirë këtu Programin Garues të filmave Studentorë.

Pjesë e kësaj kategori është edhe filmi “Dielli”, premiera e të cilit u dha mbrëmë në kuadër të festivalit.

Filmi “Dielli” me regji të Mjellma Istrefit, studente e Filmit dhe Mediave Dixhitale në Universitetin Amerikan në Romë, është një projekt studentor i cili përshkruan një situatë të caktuar politike në Kosovë, parë nga këndvështrimi i regjisores.

Profesori i tregon studentëve të tij për mitin, dielli djegë gjithçka që prek, megjithatë qyteti jonë është i mbuluar nga retë, pra qytetarët ende jetojnë. Një studente është mjaft e guximshme, ja shpjegon profesorit se kjo teori nuk është e vërtetë, pasi që ajo ka parë diellin dhe është prekur nga rrezet e tij.

Profesori bindet që ajo ka të drejtë dhe vendosë t’i bashkohet për të dëshmuar se bota e ka gabim. Mirëpo kur ajo konsiderohet e çmendur dhe izolohet, a do vazhdojë ta përkrah profesori këtë kauzë?

“Ideja e filmit ka ardhur prej gjendjes në Kosovë ku ka pasur shumë protesta gjatë asaj kohe dhe askush nuk diskutonte me askënd. Ka qenë mënyra sesi unë e kam pa këtë situatë pasi që nuk merrem shumë me politikë. Pra ka qenë sesi unë e kam pa situatën, apo unë në vend të një njeriut që nuk po kupton shumë se çfarë po ndodh, mirëpo që po e dinë që po shkojmë herë në një anë e herë në tjetrën po nuk po shohim dritë në asnjërën anë”, u shpreh regjisorja.

Në film rolin e studentes e luan aktorja Tringa Ukmata ndërsa profesorin aktori Shkumbin Istrefi. Regjisorja pas shfaqjes së premierës, falënderoi të dy aktorët por edhe gjithë ekipin për punën e bërë.

“E gjithë kjo punë është realizuar falë ekipit i cili ka punuar shumë dhe i jam shumë falënderues. Sigurisht një falënderim shumë i madh shkon për Shkumbin Istrefin pasi që ky skenar është shkruar dhe rishkruar 100 herë me të vetmen arsye, e kam dashur atë si aktorë në këtë film. Mirëpo, kur e ka lexuar herën e parë ai ka thonë që unë nuk aktroj në këtë film kështu që unë është dashtë ta shkruaj e rishkruaj derisa kemi arritur në këtë që e patë edhe ju sonte”, përfundoi regjisorja e re Mjellma Istrefi.

Edicioni i 10-të i PriFilm Fest po vazhdon akoma. Të gjithë të interesuarit mund të klikojnë këtu për të mësuar më shumë se cilët filma do të shfaqen sonte në kuadër të festivali.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat