Bashkimi Kadiu, kronikan i intelektualëve durrsak

Kultura

Bashkimi Kadiu, kronikan i intelektualëve durrsak

Nga: Kadri Tarelli Më: 20 gusht 2018 Në ora: 22:30
Foto nga takimi

Në mbasditen e së dielës, datë: 19, Gusht, 2018, shkrimtari dhe gazetari durrsak Bashkim Kadiu, përuroi librin e tij, ”Vlerat e qytetit tim”, volumi i III-të. Të ftuar ishin pjesëmarrës të jetës publike e shoqërore të Durrësit, të cilët janë edhe personazhe të librit.

Tubimi u përshëndet nga të pranishmit, Shpendi Topollaj, Qemal Vrioni, Arqile Gorea, Myzejen Konduri (Çullhaj), Merita Kuçi (Thartori), Hava Hidri, Enver Isufi, Haxhi Rama, etj. Agim Bajrami recitoi poezinë “Qyteti im”. Mes duartrokitjeve, Muj Buçpapaj, drejtori i gazetës kombëtare, letrare artistike “Nacional”, i dorëzoi heroit tonë, Bashkim Kadiut, titullin “Publicisti i vitit". Ishte një vlerësim i merituar, për guximin e fjalës e të mendimit pa kompromis të gazetarit, njëkohësisht për stilin e thjeshtë e të veshur me art.

Në këtë takim kaq të ngrohtë e të organizuar kaq bukur, thashë edhe unë fjalën time të urimit dhe përshëndetjes:  

Kam nderin të përshëndes durrsakun dhe mikun tim të hershëm, në përurimin e librit të tij më të fundit, “Vlerat e qytetit tim”, volumi i III-të.

Nuk dua të përsëris fjalët, që thanë me aq dashuri, parafolësit.

Bashkimi është një ndër studiuesit, duhet thënë biografët e intelektualëve durrsak, në kohështrirje 150-vjeçare, që kanë dhënë kontribute të vyera në zhvillimin e qytetit tonë tre mijë-vjeçar, ku përfshihen të gjitha fushat e veprimtarisë në qytet, si industri, ekonomi, mjekësi, detari, letërsi, art e kulturë, arsim, sport, etj, etj. Nuk janë pak, por rreth 1600 figura intelektualësh.

Vetvetiu, kur ke folur për njeriun, ke bërë një fotografi, apo kartolinë të jetës qytetare durrsake të kohës, duke i bërë një shërbim të çmuar historisë së qytetit tonë, sepse, nëse ka ngjarje, sukses apo dështim, aty është dhe heroi durrsak.

Shkrimtarët, poetët, historianët, matematikanët, gazetarët, mbulojnë secili pjesën e vet të krijimtarisë, duke lartuar emrin e qytetit me veprat e tyre. Bashkimi nuk merret me ngjarjet dhe fushat konkrete, por me autorët e veprave, që përbëjnë ajkën e shoqërisë durrsake, duke i dhënë librave të tij, tipare të një kronike. Aty, personazhe janë autorët e kohës që jetuan. Ky është një shërbim fisnik dhe nder qytetarie, për Durrësin dhe durrsakët, sepse emrat e tyre, i përjetëson në kujtesën e brezave. Librin, kuptohet të tre volumet, unë e vlerësoj, si një përmendore, që ngrihet për intelektualët e Durrësit, me shpirt, mirësi e qytetari durrsaku. Bashkim le shtegun hapur për autorë të tjerë, sepse jeta qytetare nuk shteret këtu.

Nënë Tereza, thotë:  “Për të mbajtur një llambë të ndezur, ajo ka nevojë për vaj”. Pena e Bashkimit, ka kohë që e ushqen me vaj fenerin e dritës dhe diturisë durrsake.

Urime Bashkim! Puna studimore e kërkimore po të mban përherë të ri. Jetë e shëndet për libra të tjerë, në shërbim të dijes dhe kulturës durrsake.

Faleminderit e miqësisht!

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat