Sabri Shaqiri, një perzonazh i veçantë i ditëve tona...

Kultura

Sabri Shaqiri, një perzonazh i veçantë i ditëve tona...

Nga: Tefik Selimi Më: 10 shtator 2018 Në ora: 16:20
Shtarorja e Idriz Seferit, ralizuar nga Sabri Shaqiri, skulptor...

S’ka me artin! Arti i frymëzon artistët ta ndryshojnë e ta hijeshojnë botën. Kush merret me art, ai do të jetojë gjatë dhe nuk do të vdesë. Pra, do të jetojë. Sepse, arti e bën njeriun e pavdekshëm. Njeriu shkon, por arti i tij mbetet i përjetshëm. Këtu është pavdekësia e artit dhe artistit. Arti është hijeshia e botës.  Pa art, bota nuk ka shije artistike. Me artin, njerëzit e jetojnë jetën më bukur. Andaj, gjithçka që është në natyrë, është edhe në  art. Arti e gëzon dhe e fisnikëron njeriun. Ia hijeshon punën dhe personalitetin e  tij. Arti në jetë është gjithmonë madhështor! Jo vetëm kaq.

Në këtë rrugë të kërkimit të artit, kaherë është nisur edhe Sabri Shaqiri, një i ri nga Vrapçiqi, komuna e Gjilanit. Siç dihet, Sabriu nuk ka hyrë rastësisht në botën e artit skulpturor. Ai është i tëri artist me plot kuptimin e fjalës. Puna e tij prej artisti (skulptori) po vlerësohet lart. Pse jo? Sabri Shaqiri është me profesin skulptor. Skulptor i dalluar dhe i merituar me plot kuptimin e fjalës. Ai me kohë është përcaktuar në këtë degë të artit, sepse, edhe si i vogël thotë i ka pasur nisjet e para si skulptor. I ka interesuar si të krijohet koka e njeriut, trupi, këmbët, duart e krejt figura e tij.

Ky, duke jetuar në fshat, ka pasur interesime të bëj lloj-lloj “sendeve” prej balte, të cilat figura e “krijuara”, i gëzonin atë dhe të tjerët. I mahnitte shokët dhe arsimtarët e  shkollës për artin që e krijonte me ato duar të  forta. Kështu lindi mjeshtria e tij, ku sot, ai ka fituar titullin e Mr. i artit skulpturor.

Image
Sabri Shaqiri

Siç dihet, Sabri Shaqiri është i lindur (1969) në fshatin Vrapçiq, komuna e Gjilanit. Shkollimin fillor e kreu në fshatin e afërt, Cërnicë, ndërsa Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan, në vitin 1987. Pastaj ka kryer Akademinë e Arteve – Dega e Skulpturës, të cilën degë e regjistroi në Prishtinë, në vitin 1990, në klasën e Agim Çavdarbashës dhe diplomoi  në vitin 1994 me notë mesatare 10-të. Në këtë Akademi të Çavdarbaëshe ka fituar titullin e  magjistrit, më 1997.

Ai (Sabriu), gjatë studimeve ka ekspozuar disa herë punimet në Pallatin e Rinisë në Prishtinë dhe në ekspozita të studentëve të organizuar në Akdeminë e Arteve. Mësojmë se, ai është pjesëmarrës në këto ekspozita kolektive, si: ”Salloni vjeshtor, Kafe galeria “Koha”, Prishtinë, 1993;  ekspozita e stundentëve “Shoqata e kompozitorëve, Prishtinë, 1993; ekspozita “Afaristëve figurativë” të Gjilanit, Gjilan, 1994; “Flaka e  Janarit, Gjilan, 1995; “Flaka e Janarit”, Gjilan, 1996; “Flaka e Janarit, Gjilan, 1997; “Flaka e Janarit”, Gjilan, 1998; “Flaka e Janarit, Gjilan, 1999; “Salloni vjeshtor i Koosovës, Prishtinë, 1999; “Flaka e Janarit, Gjilan, 2000; “Salloni vjeshtor” i Kosovës, Prishtinë, 2000.

Po ashtu, ky artist gjilanas ka pasur edhe ekspozita personale, si janë: Kafe galeria “Koha”, Prishtinë, 1995 dhe  Galeria “Dodona”, Prishtinë, 1997. Kjo ekspozitë e fundit e tij ishte personale e organizuar për mbrojtjen e temës së magjistraturës, ku shihet puna e skalitur në gur dhe në dru, e cila është  çmuar lart nga profesorët e njohur të artit, siç janë: Agim Çavderbashës, Muslim Mulliqi, dhe Rexhep Ferri, profesorë.

Çavdërbasha, në  vlerësimin e  tij për punën e studentit, Sabri Shaqiri, pati shtuar këtë vlerësim mjaft real: “Nga gjenerata e skulptorëve të rinj, që u diplomuan këto dy vitet e fundit, në Fakultetin e Arteve, në Prishtinë, në kohën  e pushtimit të shkollës shqipe, Sabri Shaqiri është njëri nga më të dalluarit dhe mund të  them që,  zelli dhe puna e  tij prej artisti, në kohën e studimit në atlenë time, ishin gjithmonë të pakursyeshme. Ai ka dorë të saktë dhe të palodhshme. Sabri Shaqiri sot po promovohet në një skulptor me shkathtësi të madhe, por edhe me një ndjenjë të artistit që di të krijojë me masë vlerat e formave dhe plasticitet të një vepre artisike skulpturore”. Jo vetëm kaq.

Në një bisedë rati, i pyetur se si është puna artistike prej skulptori, Sabri Shaqiri na është përgjigjur me këto fjalë: “Unë, profesionin tim prej skulptori e kam dashur qysh nga fëmijëria. Më duket se jam njeri modest. Kam krijuar skulptura më të ndryshme, të cilat më janë vlerësuar mjaft mirë nga mentorët e mi. Unë e njoh “zanatin” tim. Nuk lodhem aq, sepse hy në botën e potretit të skulpturës. Nuk bëj shumë punë, sa mendojnë të tjerët. Por, skulptura do vëmendje, përkushtim, dorë të hollë, sy të mprehtë dhe njohje të kësaj fushe të dijes...

Gjersa shokët tjerë artistë mundohen me muaj e  vite duke punuar një skulpturë të një dëshmori, martiri apo të ndonjë figure tjetër, unë këtë nuk e kam aq problem. E njoh mjeshtrinë dhe zotësinë time. Hy në vija të holla të skulpturës. Dora ime është mjaft precize. I njoh këndet e skulpturës. Bëj art sikur të shkrihet “gjallë” njeriu. Kur e  formësoj shtatoren e një figure, gëzohem dhe aty shihet puna ime se si e dua artin. Gjer më tani kam punuar disa shtatore të figurave të meritura të kombit, të cilat i kam realizuar ashtu si i kam dëshiruar unë e të tjerët.”

I pyetur se cila është puna e juaj e fundit, ai na tha se, shtatoren e fundit e kam punuar për madhin luftëtar të Kosovës e të Karadakut, Idriz  Seferin, kreshnikun e Karadakut. Unë këtë figurë e kam studiuar dhe e kam realizuar tamam ashtu si e kam parë në  foto. Më kanë falenderuar shumë se shtatoren e  Idriz Seferit, e kam realizuar e bërë bukur dhe kjo qëndron. Për bazamentin e kësaj shtatorjeje jam përcaktuar ta marri një guri të madhësisë mjaft të madhe diku në një vend në Shqipëri. Nuk kam dashur që bazamenti i kësaj shtatorjeje të jetë prej betoni, për faktin se, kur ka luftuar Idriz Seferi, betoni nuk ka ekzistuar. Ai ka qenë luftëtar i madh i kombit dhe ka luftuar nëpër male, brigje, kodra të thepisura me gurë. Pra, bazamenti iu është përgjigjur një realiteti të një kohe kur ka  jetuar e luftuar i madhi ynë luftëtar i lirisë, Idriz Seferi, apo kreshniku i Karadakut”.

I pyetur se a ka pasur vështirësi në punën e tij si skulptor, ai na është përgjigjur se, artisti në asnjë mënyrë, kur e do artin, nuk ndjen lodhje. As unë nuk kam ndjerë loshje,përkundrazi, shtatorene Idriz Seferit e kam bërë me dashurinë më të madhe.  “Shihni, për ta formësuar një figurë të kësaj natyre, pra me një gjatësi e lartësi mjaft të duhur, kuptohet kërkohet mund, lodhje dhe përceptim në nivel. Unë shtatoren e Idriz Seferit e kam realizuar në fshatin Cërnicë, aty e kam një vend të përshtatshëm për të tilla punë arti. Pra, aty e kam shkrirë në bronz. Krejt puna ka shkuar mirë. Me fjalë të tjera, unë shpyrtërisht e dua profesionin tim. Nuk i frikësohem punës sime, sepse e njoh mirë dhe artin skulpturor e shpërfaqi me një mjeshtri të punës si e kam studiuar.

Për mua, skulpturat janë gjera që i dua dhe i bëj pa asnjë vërejtje. Unë nuk harxhoj shumë kohë duke realizuar skulpturën, se e njoh dhe artin e bëj ashtu si do të duhej të behej. Disa nga shokët bëjnë punë të mundimshme për të krijuar një shtatore apo një portret të  vogël të një dëshmori apo atdhetari. Shihni si qëndrojnë ato si skulptura. Nuk tregojnë përafësi me natyrën dhe fotografinë e atij që i bëhet skulptura. Kjo më brengos dhe është për brengosje. Talentin tim e kanë vlerësuar shumë profesorët e studimeve. Edhe në mbrojtjen e temës së magjistraturës, nota ime është më e larta.

Shihni, çdo profesion që e adhuron njeriu, duhet të jetë njohës i mirë i atij arti apo dege. Unë jam profesionist. E dua me shpirt skulpturën. Të gjitha skulpturat që i kam punuar, më janë verësuar lart. Jam edhe krenar për artin tim, të cilin e realizoj dhe e punoj me dashurinë më të madhe prej artisti”, ka shtuar në fund, Sabri Shaqiri, skulptor dhe njëherit personazh i veçantë i ditëve tona.   

Mësojme edhe këtë se, Mr. art. Sabri Shaqiri, që nga viti 1999 punon në  Institutitn për Mbrojtjen e Monumenvete dhe Muzeve Rajonale të Kosovës, në Prishtinë. Është anëtar i SHAFK. Jeton në fshatin Vrapçiq të Gjilanit. Në fund këtij artisti, i uruam një: “Të lumtë, Sabri Shaqiri, artist ynë i madh!”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat