Çdo gjë gati për manifestimin kulturor, letrar e shkencor “Takimet e Dom Mikelit 2018”

Kultura

Çdo gjë gati për manifestimin kulturor, letrar e shkencor “Takimet e Dom Mikelit 2018”

Më: 17 shtator 2018 Në ora: 17:32
Ftesa

Për të 29 herë më radhë organizohet manifestimi kulturor, letrar e shkencor “Takimet e dom Mikelit”, që do mbahen në Stubëll të Vitisë, datë 22.09.2018.

Organizatorët njoftojnë për një interesim të madh të krijuesve e studiuesve për pjesëmarrje në manifestim, sikundër dhe tw figurave tw larta tw jetws publike tek ne.

Në akademinë shkencore, do trajtohet figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, në 550 vjetorin e kalimit në amshim. Hë për hë, opinioni do njihet me kumtesat e studiuesve kompetent, si të: Prof. dr. Jahja Drançollit, Dr. Antonio Belushit, Prof. dr. Lucia Nadinit (Itali), Dr. Muzafer Bislimit (Shkup), Dr. Mark Palnikaj (Tiranë), Prof. dr. Erenestina Halili – Gjergjit (Tiranë). Në këtë përvjetor do bëhet dhe përurimi i bustit të Skënderbeut, vepër e Prof. Agron Bytyqit.

Në kuadër të akademisë, me rastin e 170 vjetorit të kthimit në atdhe të martirëve të Malit të Zi të Shkupit, të internuar të Muhaliq të Turqisë (1846-1848),vjen historia e tyre, sa tronditëse, po aq madhështore, përmes kumtesës së studiueses së mirënjohur franceze, Dr, Odette Marquet. Në fakt, organizatori, bën botimin e një vepre të veçantë të kësaj studiueseje për historinë në fjalë, me titull: “Persekutimi i shqiptarëve të Malit të Zi të Shkupit (Stubëll, Binçë, Vërnakollë dhe Terziaj) në shekullin XIX sipas burimeve franceze”. Janë një sërë dokumentesh në gjuhën frënge (të përkthyera dhe në gjuhën shqipe) që prezantohen në këtë libër. Autorja, së shpejti, del dhe me botimin e një vepre tjetër në gjuhën frënge, për këtë dramë të historisë së popullit tonë.

Krijuesit nga mbarë trevat shqiptare, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në Orën e Madhe Letrare, e cila ka karakter garues.

Këngë, kushtuar Skënderbeut -Kryezotit të Arbërisë (siç shprehet organizatori), vijnë përmes zërit kumbues të yllit të muzikës shqiptare, Shkurte Fejza, ndërkaq ansambli “Albafolk” nga Gjilani, do performojë disa valle arbëreshe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat