Poeti Ramadan Rexhepi, fitues i çmimit letrar “Beqir Musliu”

Kultura

Poeti Ramadan Rexhepi, fitues i çmimit letrar “Beqir Musliu”

Më: 18 shtator 2018 Në ora: 15:45
Ramadan Rexhepi dhe Lutfi Haziri

Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim me Ars Clubin “Beqir Musliu”, ka mbajtur sot ceremoninë e dorëzimit të çmimit letrar për fituesin Ramadan Rexhepi, që është me prejardhje nga Presheva, i cili ka krijimtari letrare për më shumë se pesë dekada në mërgim.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se ky çmim dhe aktivitete të shumta kulturore forcojnë edhe më shumë themelin e një kryeqendre të madhe të artit, kulturës dhe vlerave kulturore në përgjithësi sikurse është Gjilani.

“Mbi 50 vjet duke vepruar e krijuar në mërgim, ai na vjen sot sikur në ëndrra dhe na shpalos moment interesante që kishte me Rexhep Elmazin dhe me shumë figura të shquara të përmasave kombëtare. Është romancieri i parë, është një figurë që krijimtarisë letrare ia kushton gjithë kohën. Ky është vargu që neve të gjithëve na ka mësuar se si fitohet liria, si flijohet për liri dhe se si duhet ndërtuar shtetin. Ndjehem krenar që çmimin e vitit 2018, po ia dorëzoj poetit Ramadan Rexhepi”, tha ai.

Haziri ka thënë gjithashtu se Gjilani dhe Anamorava nuk është e plotë, nëse nuk arrin t’i sublimojë kërkesat e shqiptarëve të Kosovës Lindore për bashkim me Kosovën.

Ndërsa, autori Ramadan Rexhepi, ka thënë se ky është një çmim i veçantë pasi po kthehet në Gjilan me një mikpritje të madhe që i jep kurajë dhe energji për të punuar edhe në të ardhmen.

Rexhepi ka bërë një ecje të shpejtë nëpër të gjithë historinë e tij e cila kishte nisur që nga vendlindja, pastaj angazhimi i tij në gazetën “Rilindja”, angazhimi i tij shumë i madh në shoqata të ndryshme shqiptare në suedi, në revista dhe puna e gjatë të cilën ai e kishte bërë si pedagog e mësimdhënës në Suedi, gjithmonë me qëllimin e tij të madh për të shkruar e për të botuar shqip.

Bashkërisht kryetari Haziri, shkrimtari Rexhepi dhe të gjithë pjesëmarrësit kanë vendosur fotografinë e fituesit në këndin e fituesve të këtij çmimi në Teatrin e Qytetit.

Juria profesionale për përzgjedhjen e fituesit të çmimit letrar “Beqir Musliu” ishte e kryesuar nga profesor Dr Labinot Berisha, shkrimtari, Emin Azemi dhe udhëheqësi i Ars Clubit "Beqir Musliu", Sabit Rrustemi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat