Helm e vrer mbi Kol Idromenon

Kultura

Helm e vrer mbi Kol Idromenon

Nga: Kolec Traboini Më: 20 shtator 2018 Në ora: 07:15
Kol Idromenon

Lexojmë edhe pse nuk duam ta besojmë: "Jeta e vepra e tij janë shembulli i qartë se si lindin dhe veniten talentet shqiptare". (Gazeta "Shqip" - Kolë Idromeno, i pari i tragjedisë së pikturës realiste shqiptare - Eleni Laperi 15 gusht 2017) Qenka venitur Kol Arsen Idromeno, ky Da Vinç shqiptar, e zeza mbi të bardhë në gazetën "Shqip".me firmë e me vulë të Eleni Laperit. Ky po që është studim-zbulim me të qorrollis mendjen si nëpër ato humoreskat popullore “fluturon, fluturon.....gomari”. Por le të vazhdojmë ta lëçisim zonjën Laperi: “I ati (Arsen Idromeno- shënimi im K.T.) e ndihmoi djalin e tij të zhvillonte dhuntinë për pikturën, skulpturën, muzikën dhe fotografinë, duke e ditur se ato nuk do ta bënin të pasur, duke mos e ditur se e shtynte të birin në një jetë prej Ferri e Parajse.”, shkruan zonja Laperi.

Epo, mbase ajo nuk e di fare se kush ka qenë babai i Kol Idromenos dhe çfarë dhuntish ka pasur vetë ai, dhe pikërisht për këto aftësi te tij politeknike i mësoi të birit të gjitha mjeshtëritë të cilat do ta ndihmonin për ta përballuar jetën. Madje shumë punime që krijuan traditën e arkitekturës të qytetit të Shkodrës, të cilat sot i admirojmë ne dhe të huajt gjithashtu, kanë qenë të Arsen e Kol Idromenos. Vetë Arsen Idromeno ka qenë arkitekt. Me ndërtimet që bënë baba e bir në qytetin e Shkodrës e kthyen paraqitjen e qytetit nga orientale në oksidentale, me fytyrë nga Europa, evolucioni më i madh në këtë qytet bashkë me zhvillimin e zejtarisë që e bënë qytetin më të njohur në Ballkan. Pra përafruan Shqipërinë me qytetërimin europian, shprehje e të cilit është edhe arkitektura.

Falë Arsen e Kol Idromenos, kur të huajt vinin në Shkodrën e pas vitit 1905, e ndjenin se ishin në Europë e jo në humbëtirat e Anadollit.   Dhe Kol Idromeno nuk ka qenë i varfër, sikur kjo zonjë kërkon ta shesë. Përkundrazi ka qenë një familje në gjendje shumë të mirë, dhe Kola, që bënte çdo lloj punë që përfshihet në artizanat, kishte të ardhura. Ne që jemi të afërt të familjes ( le të flasë dhe Ernest Rini Andrakia se edhe ai të afërt e ka), nuk dimë të ketë vuajtur Kol Idromeno për bukën e gojës, në atë kuptim që kjo zonjë e quan “ferr parajsë” e jetës së Kol Idromenos. Jeta e Idromenos nuk ka qenë ferr, por një pasion i ndritur.

Ka pasur fatkeqësi familjare me vdekjen e djalit 2 vjeçar dhe motrës në moshë të re, Motra Tone e shoqja e italianit Andrea Skanjeti, por ai kurrë nuk është mposhtur nga dhimbja. Kish aq shumë pasione e punë sa nuk kishte kohë të rrinte nëpër skena pikëllimi romantike siç fantazon jetën e artistëve Eleni Laperi. Fantazitë kësaj zonje që shkruan çfarë ti vijë për mbarë vazhdojnë:   “Me Kolë Idromenon nis historia e tragjedisë së pikturës realiste shqiptare në veçanti, në vazhdën e tragjedisë së kulturës shqiptare në përgjithësi. Jeta e vepra e tij janë shembulli i qartë se si lindin dhe veniten talentet shqiptare.

” U bëre ti zonja Laperi ta kthesh Idromenon, përpara të cilit mahnitej i madhi Odise Paskali, në një dështak. Më të vërtetë është paturpësi, shpirtligësi dhe e neveritshme. Veç tundimi i madh më bën të reagoj se kësisoj paçavure shkrimesh nuk meritojnë vëmendje. Të njëjtën gjë ka bërë edhe një farë fyelltari me një vrimë e pantallona te shkurta, pikturisti Mustafa Arapi, kur shkroi çmendurinë se portretin e Motrës Tone (nënën e Dadës sime Katrina Skanjeti -Traboini) nuk e ka bërë Idromeno. Po kush e ka bërë, o mendje ndrituri Mustafa? Të parët e tu në Anadoll? Se një shqiptar i vërtetë nuk ka as turpësinë e as paturpësinë të  degradojë figurat e kombit të vet. Po edhe ti, moj zonja Laperi, kur e ktheve shqiponjën e Flamurit të Pavarësisë në një qafe pate, çorap e bëre historinë.

Nga kanë dalë gjithë këta të çmendur more dhe kanë marrë një revan të cilin nuk e dimë deri ku do të shkojë?! Në ke gjë për të ndrequr në këtë botë, moj zonjë që do të bësh shou me surrogate, rregullo se pari mbiemrin tënd. Jepi një kuptim pak më të bukur se në fjalorin e gjuhës shqipe fjala laperi shpjegohet gojëndyrë. E kjo nuk është ndonjë zbulim. Për me tepër vetë shkrimi yt i çoroditur i jep një kuptim. Zot na ruaj, dalin liliputët të rrëzojnë gjigantët. Nuk keni parë gjë akoma në këtë humbëtirë ku punohet me kazmë natë e ditë. Duan t’ia nxjerrin tabanin këtij dheu që duhej ta kishim të shenjtë. Ndoshta gojë-ndyrja është gjeja me pak e dëmshme në këtë vend, ndaj i shohim të botohen lloj-lloj paçavuresh në gazetat e Tiranës. 
 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat