Lulzim Tafa e nderoi Kosovën në Krajovë të Rumanisë

Kultura

Lulzim Tafa e nderoi Kosovën në Krajovë të Rumanisë

Laura Rushani Nga Laura Rushani Më 23 shtator 2018 Në ora: 09:34
Lulzim Tafa në Rumani

Dëshirat dhe aspiratat e poetëve për afirmimin e Kosovës në botë japin rezultate konkrete dhe praktike. Krajova është një qytet personalitetesh të mëdha dhe njëri nga qendrat më të bukura të Rumanisë. Në vitet më të vështira që përjetonte atdheu, këtu kanë kryer mjeksinë një numër i konsideruar studentësh nga Kosova. Ata tashmë i kemi kuadro të afta profesionale në spitalet e Kosovës, Zvicrës, madje edhe të Amerikës. Këto ditë të bukura shtatori, në Krajovë të Rumanisë morrën pjesë disa nga emrat më të rëndësishëm të poezisë botërore. Ishin prezentë poetë nga të gjitha meridianet e botës. Prezenca e tyre ndikoi që Krajova të konsiderohet si kryeqendra botërore e poezisë. Nga shtypi rumun dhe ai shqiptar, kuptojmë se poeti i njohur kosovar Lulzim Tafa është shpallur fitues i sivjetmë i Çmimit të parë për letërsi, në Festivalin më të madh ndërkombëtar të poezisë “Mihai Eminescu” që u mbajt në Rumani.

Ky çmim iu nda poetit për librin e tij të dytë të botuar në gjuhën rumune, i cili libër është shpallur libri më i mirë i autorëve të huaj që janë botuar gjatë këtij viti në gjuhën rumune. Merita elementare për rikëndimin e kësaj vepre në gjuhën e Mihai Emineskut i përket Baki Ymerit. Nga një gazetë elektronike kuptojmë: “Në fjalën e jurisë për ndarjen e Çmimit, ndër të tjera thuhet se Tafa është njëri ndër poetët e rëndësishëm postmodernistë të Evopës, një poet i madh i një vendi të vogël. Merret vesh se reagimi i poetëve nga Serbia ka qene tejet i ashpër dhe se ata kishin paralajmëruar edhe largim nga Festivali. “Pavarësisht se Tafa është një poet i mirë, Kosova nuk është shtet dhe ka qenë dashur të prezantohet si poet nga Serbia e jo nga Kosova”, mësohet të kenë deklaruar pjesëmarrësit nga Serbia. Pavarësisht se Rumania ende nuk e ka njohur shtetësinë e Kosovës, Lulzim Tafa dhe Jeton Kelmendi ishin të vetmit pjesëmarrës të ftuar nga Kosova, derisa Serbia është përfaqësuar me pesë poetët më të mirë të saj.

Shtypi serb ka më tepër se dy muaj që kishte nisur një fushatë kundër pjesëmarrjes së Kosovës në këtë festival të rëndësishëm të letërsisë. Shkrimtari dhe akademiku serb Adam Puslojiç, pjesëmarrjen e Lulzim Tafës si poet nga Kosova e jo nga Serbia e ka quajtur befasuese: “ky është një makth dhe një dramë njerëzore, këtë nuk e prisja nga Rumania, që është atdheu im i dytë”, kishte deklaruar Pusulojiç. Çmimi “Mihai Eminescu” laureat i të cilit për vitin 2018 u shpall Lulzim Tafa, është çmimi më i madh që ndan Rumania në fushën e letërsisë. Në konkurencë për këtë çmim ishin poetët më të njohur të mbi dyzet shteteve të botës.” Presidenti i Akademisë Internacionale „Mihai Eminescu“, profesori universitar, doktor Ion Deaconescu, ia dorëzoi Çmimin e madh rektorit të Universitetit AAB të Prishtinës, poetit dhe juristit Lulzim Tafa. Po japim me këtë rast disa fragmente nga fjala laureatit të këtij çmimi special, që u lexua në gjuhën shqipe, angleze dhe rumune:

“E nderurara Juri e Festvalit! Të dashur kolegë, poetë e lexues të poezisë! Zonja e Zotërinj! E pranoj këtë çmim, duke qenë i nderuar me vendimin e kësaj Jurie të respektuar. Poezi kam filluar të shkruaj si fëmijë. Jam rritur me poezinë dhe po plakem me të. Unë gjithmonë i kam qendruar besnik poezisë. Në jetë kam bërë edhe punë të tjera, qoftë si profesor, por edhe punë menagjeriale çfarë është edhe pozita e Rektorit, por edhe aktivitete të fushës së të drejtave të njeriut dhe të mbrojtjes së kafshëve, por, duhet ta theksoj se edhe kur kam vepruar në fusha të tjera, unë gjithë jetën time kam frymuar si poet. Jam ndier poet dhe vazhdoj të jetoj si i tillë. Ky çmim më bënë nderë mua dhe letërsisë që i takoj. Unë i takoj letërsisë shqipe të Kosovës. Unë sot këtu jam me logon e Shqipërisë, edhe kjo më bënë nderë, sepse letërisa shqipe është një dhe unë i takoj asaj letërsie. Vendi prej nga vij unë, pra Kosova, ka shumë poetë të mirë të cilët, po ashtu, me krijimtarinë e tyre janë të njohur për lexuesin në Evropë e më gjerë. Unë si fëmije e mësova misionin që ka një poet, pra jo vetëm për të bashkuar fjalë që kurrë më përpara nuk  kanë qenë bashkë njëra me tjetrën, por edhe për t’i thënë gjërat bukur, njësoj si kur shkruan për dashurinë, gëzimin e jetën, njësoj si kur shkruan për trishtimin e vdekjen, e rëndësishme është që ajo të thuhet bukur.

Gjatë krijimtarisë sime më shumë se tridhjetë vjeçare, kam marrë edhe çmime të tjera, madje çmimin e fundit e kam marr nga komuniteti malazez, një komunitet pakicë që jeton i respektuar në vendin tim, në motivacionin e çmimit të tyre, që e mbanë po ashtu emrin e njërit prej shkrimtarëve më të njohur të letërsisë së Malit të Zi. Përveç motivit letrar, ata kishin futur edhe angazhimin tim për paqe dhe afirmim të të drejtave të pakicave, dhe kjo më gëzoi, po aq sa edhe motivacion për letërsi. Vendi im para pak vitesh ka dalë nga një luftë e përgjakshme. Unë edhe atëherë kam qenë poet, kam shkruar për lirinë dhe paqen.  Një ditë një konvoj militarësh erdhën dhe dogjën shtëpinë time, edhe pse unë nuk isha luftëtar, unë isha poet.

Ma dogjën biblotekën, librat, dorëshkrimet, fotografitë, kujtimet. Secili prej jush e di çdo të thotë për një poet t’i digjen dorëshkrimet, t’i digjen librat. Unë shkruaja për lirinë, ata që m’i dogjën librat një ditë ikën nga vendi im, ndërsa unë vazhdova të shkruaj përsëri për lirinë dhe paqen. Këtë e bëj edhe sot. Fatkeqësisht shumë shkrimtarë të Ballkanit në kohën e luftës u bënë krah i politikës. Në vend që të punonin për paqe ata i fryenin zjarrit të luftës. Ndodhi që një poet nga Ballkani të gjykohet dhe dënohet për krime kundër njerëzimit në një Gjykatë Ndërkombëtare. U Gjykua dhe u dënua sepse ra në kundërshtim me vlerat e njerëzimit, në kundërshtim edhe me vlerat që ka letërsia.

Unë sot krijoj dhe punoj për të promovuar këto vlera qoftë si poet, qoftë edhe si një jurist, loboj që të kemi ligje më të mira që mbrojnë dhe avancojnë jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të kafshëve dhe të gjitha krijesave të Zotit në planetin tonë, edhe pse kjo në Ballkan nuk është e lehtë. Shpeshherë edhe jam paragjykuar. Pse është i rëndësishmë ky çmim për mua? E para, sepse e ndanë një juri kaq kompetente, e dyta sepse më jepet në njërin prej festivaleve më të rëndësishme që mbahen në kontinenentin tonë, pastaj sepse e mban emrin e Mihai Emineskut, kolosit të madh jo vetëm të letërsisë rumune, por edhe të letërsisë botërore, ngase është e vërtetë se ne u takojmë letërsive që përfaqësojmë, por vlerat që përfaqëson letërsia janë universale. Ju faleminderit!”

Arti si një vlerë universale e njerëzimit, e pasuron dhe fisnikëron shpirtin e njeriut dhe të shoqërisë

Në ceremoninë e dorëzimit të çmimit, përveç poetëve nga Rumania e bota, ishin prezentë personalitete dhe autoritete të shumta rumune. Ndërkohë, në lokalet e Bibliotekës së qytetit u bë promovimi i librit “Teuta” të Lulzim Tafës, rast me të cilin poeti u shpreh: “Zonja dhe Zotërinj! Të nderuar poetë, miq të librit dhe të poezisë! Më lejoni t’a shpreh një ndjenjë dhe kenaqësi të veçantë për promovimin e librit tim të dytë me poezi në gjuhën rumune. Nga gjuha shqipe në gjuhën rumune janë përkthyer disa poetë nga Shqipëria dhe nga Kosova, sikundër që disa poet nga Rumania janë përkthyer në gjuhën shqipe. Për lexuesit shqiptarë, letërsia rumune ëshë mjaftë e njohur dhe shumë e vlerësuar. Janë përkthyer libra dhe janë bërë shumë studime. Vlen të përmendet se njëri ndër shkrimtarët dhe studiusit më të rëndësishëm të letërsisë shqipe, Lasgush Poradeci, ka mbrojtur Doktoratën për krijimtarinë e Mihai Emineskut. Letërsia rumune në hapsirat tona është e pranishme dhe shumë e vlersuar.

Të nderuar pjesëmarrës! Në vendin ku unë jetoj dhe veproj, pra në Kosovë, populli rumun njihet si një popull që lexon shumë dhe si një popull që e pëlqen artin, e ve?anërisht poezinë. Dëshiroj që këtë përshtypje t’a kenë edhe popujt tjerë të hapsirave Europiane e me gjerë, dhe kanë arsye për këtë, sepse rumunët kanë nxjerrë poetë brilantë, të njohur botërisht, siç janë Eminesku, Marin Soresku dhe shumë shkrimtarë të tjerë. Gjatë historisë dihet se populli shqiptar dhe populli rumun kanë pasur një bashkëpunim shumë të mirë, vërtet si dy popuj miq. Gjatë periudhëe së zgjimit dhe Rilindjes Kombëtare Shqiptare, një numër shumë i madh i veprimtarëve tanë të fushave të ndryshme, një pjesë të gjate të jetës së tyre apo në disa raste edhe  tërë jetën e tyre e kanë kaluar në Rumani, kryesisht në Bukuresht, Brailë, Krajovë dhe Konstancë.

Në Rumani ata vepruan, u organizuan, pastaj botuan vepra dhe revista të rëndësishme të kulturës e letërsisë Shqiptare. Disa nga këto vepra edhe sot kanë vend kryesor në kulturën Shqiptare, si për shembull autori i himnit të shtetit shqiptar, Asdreni, himnin e flamurit e shkroi dhe e publikoi pikërisht në Rumani, nën ndikimin e poetit Andrei Mureshan dhe kompozitorit Ciprian Porumbescu. Populli dhe shoqëria rumune, këta veprimtarë shqiptarë i strehoi dhe i përkrahu në vazhdmësi. Nuk duhet harruar se edhe shqiptarët u inkuadruan dhe e ndihmuan me aq sa mundën prosperitetin e shoqërisë rumune. “Shqiptarët nuk janë fis me ne Rumunët, por vëllezër, vëllezër të mirë të të njëjtit gjak.”, ka thënë dijetari i famshëm Bogdan Petriçeiku Hashdeu në Akademinë Rumune (1901). Për mua Rumania është dashuri që në shikim të parë. Edhe sot pas qindra vjetësh, në Rumani ka  komunitete të vogla shqiptarësh, të cilat me aq sa kanë mundësi mundohen që t’i mbajnë të gjalla lidhjet rumuno-shqiptare.

Me rastin e këtij promovimi , dëshiroj që kjo afri në mes neve dy popujve të vazhdoj edhe në të ardhmen, sidomos tash ndërmjet popullit shqiptar të Kosovës dhe popullit rumun. Arti si një vlerë universale e njerëzimit, krahas rolit pasurues dhe fisnikërues të shpirtit të njeriut e të shoqërisë, e ka edhe një rol shumë të madh e shumë të rëndësishëm. Arti, në këtë rast poezia, duhet t’i afrojë kulturat, gjuhët dhe ajo që është më e rëndësishmja, duhet t’i afrojë njerëzit. Andaj unë shpresoj që ky promovim të shërbejë si një hap përpara drejt njohjes dhe bashkëveprimit ndërmjet kulturave dhe ndërmjet njerëzve të popujve tanë. Për fund, lutem që edhe në të ardhmen të botohen e të promovohen  sa më shumë poetë rumunë në hapsirat shqiptare, në Shqipëri e Kosovë, dhe anasjelltas. Është nderë për mua që botohem e promovohem këtu në Rumani, në vendin ku siç thonë bashkëkombasit tanë që jetojnë këtu, në vendin ku banon Poezia. Ju faleminderit!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat