Ditëlindja e Ahmet Zogut dhe 90 vjetori i Mbretërisë Shqiptare mesazh i Shtetit Komb

Kultura

Ditëlindja e Ahmet Zogut dhe 90 vjetori i Mbretërisë Shqiptare mesazh i Shtetit Komb

Nga: Azgan Haklaj Më: 9 tetor 2018 Në ora: 17:19
Ramush Haradinaj dhe Azgan Haklaj

Momenti kulmor i historisë së Kombit Shqiptar i konsakrimit juridik e kushtetues i Mbretërisë Shqiptare me dt. 2 shtator 1928. Roli i saj i jashtëzakonshëm në ndertimin e shtetit modern progresiv, ekonomik e kulturor. Mbrojtja konseguente e lirisë dhe të drejtave të shqiptarëve në trojet etnike në Ballkan. Orientimi i Shqipërisë drejt modelit qeverisës e mënyrës së jetesës së vendeve të civilizuara të Europës Perëndimore.

Të gjitha këto janë anatemuar e madje shtrembëruar qëllimisht për një gjysëm shekulli nga propaganda e diktaturës komuniste. Rebelimi antikombtar i Haxhi Qamilit dhe falangave të tij filoturke. Lufta e Dytë Ballkanike. Tradhëtia e Esat Pashë Toptanit dhe e Qeverisë së Durrësit.
Okupimi i Vlorës nga italianët dhe i viseve të Veriut nga serbo-malazezët e vunë në pikëpyetje jo vetëm aktin e Shpalljes së Pavarësisë, por dhe vet ekzistencën e kufijve të Shqipërisë të njohur nga Konferenca e Londrës e vitit 1913, lirinë dhe ekzistencën e Kombit.

Përpara se të flasim për Mbretërinë Shqiptare të themeluar 90 vjet më parë si shprehje e vullnetit të popullit per liri, bashkimin e trojeve etnike në një shtet të vetëm dhe ecjen në rrugën e civilizimit e prosperitetit nuk mund të anashkalojmë personalitetin më të shquar politik e historik të shekullit të XX-të të shqiptarëve, Ahmet Zogun - që u konfirmua në fron nga Asambleja Kushtetuese si pasardhës i Gjergj Kastriotit me emrin Zogu i Parë.

Ahmet Zogu pasardhës i njërës nga familjet më të vjetra e të shquara të Kombit tonë u pagëzua që në rininë e hershme në Lëvizjen Kombtare për Liri e Pavarësi.

17 vjeç në kryje të prijësve të Matit shkoi në Vlorë n? Shpalljen e Pavarësisë dhe garantoi betejë pa kompromis për mbrojtjen e saj.

Me forcat e tij të armatosura mbrojti Kongresin e Lushnjes.
Dha aty një kontribut të shquar dhe marshoi me guxim e trimeri të pashoqe drejt Tiranës, duke e bëre kryeqytet të përkohshëm e duke i hapur rrugën Sulejman Delvinës e qeverisë së tij për të zbatuar programin e Kongresit të Lushnjës.

Karriera politike e Ahmet Zogut është brilante dhe e rrufeshme, ashtu siç janë dhe aksionet e tij politike dhe ushtarake për shtrirjen e autoritetit të qeverisë në të gjithë territorin e vendit, shtypjen e Lëvizjes Separatiste dhe garantimin e kufijve shtetërorë.

Ministër i brendshëm në vitin 1920, Kryeminister në vitet 1922-1924, President i Republikës në vitet 1925-1928 dhe Mbret i shqiptarëve në vitet 1928-1939, Ahmet Zogu ka lanë gjurmë të ndritura e t? pashlyeshme në historinë moderne të Shqipërisë.

Mbretëria Shqiptare 1928-1939 është emblema e shtetformimit dhe E përpjekjeve titanike të shqiptarëve, të cilët prej pesë shekujsh nuk i pushuan betejat e kryengritjet kundër Perandorisë Otomane e invadarëve serbo-sllavë.

Mbretëria Shqiptare nuk lindi vetëm si kujtim i historisë sonë të lashtë, i kujtimit të Bardhylit, Lekës së Madh, Pirros, Teutës, Mbretërisë Dardane apo Epokës së ndritur të Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), stema e lavdishme e të cilit u ba stemë e Mbretërisë Shqiptare.

Mbretëria lindi si simbol i bashkimit e unitetit të shqiptarëve, dëshira e flaktë e të cilëve ishte bashkimi i të gjitha trojeve etnike të Atdheut nën Flamurin Kuqezi.

Është anti-historike të thuhet se Ahmet Zogu kishte ambicie të shfrenuara karrieriste e donte të bahej Mbret me çdo çmim.
Jeta e tij politike na rrëfen krejt të kundërten e asaj që ka trumbetuar diktatura komuniste.

Qendrimi i tij në përkrahje të Princ Vidit. Dorëheqja si Kryeminister në vitin 1924 dhe sjellja e tij prej politikani, patrioti e burrështetasi të madh në rastin e atentatit që ju ba në Parlament tregojnë qartë se ai mbi çdo gjë tjetër vinte interesat kombëtare dhe ishte dishepull i Shtetit Komb.

Hyrja e tij triumfale në Tiranë më dt. 24 dhjetor 1924 për t’i dhanë fund rebelimit majtist që në histori njihet si Revolucioni i Qershorit i dha me të drejtë epitetin shpëtimtar i Kombit.

Stabiliteti i plotë politik, progresi i shpejtë ekonomik e kulturor që pati vendi në kohën e Republikës së Tij Presidenciale në vitet 1925-1928 e thirrën atë si personalitetin më të shquar të kohës të ulej në Fronin Mbretëror.

Edhe pse Mbretëria jetoi vetëm një decade e la vulën e vet të pashlyeshme historike.

Ajo nuk lindi si një kurorë tiranike, por si një Mbretëri moderne Parlamentare, e konfirmuar jo vetëm nga vullneti i popullit, por edhe e mbështetur në statusin juridik që i dhanë Shqipërisë Fuqitë e Mëdha në vitin 1913 si Principatë e Pavarur e Neutrale dhe nga aktet e Kongresit të Lushnjes, të cilat krijuan Regjencën apo Këshillin e Lartë të Shtetit me atributet e një Regjence. mbretërore.

Vet emërimi apo titulli Zog i Parë - Mbret i Shqiptarëve tregon gjeninë e tij politike si simbol i bashkimit të Kombit tonë.

Mbretëria Shqiptare i tregoi Botës se çfarë është në gjendje të bëjë një komb i vogël e i lirë kur thyen prangat e robërisë dhe hedh jashtë vellon e obskurantizmit e të prapambetjes shekullore, të imponuar me dhunë nga pushtuesit.

Në 10 vjet Mbretëri Shqipëria njohu progres të pandalshëm në rrugën e saj drejt qytetërimit e civilizimit europian.

U ndertua shteti i së drejtës sipas modelit më të përparuar europian. Arsimi Kombëtar mbi baza laike.

Kodi Penal e ai Civil, që garantonte barazinë e shtetasve para ligjit.

Legjislacion model për komunitetet fetare. U garantuan me ligj të drejtat e gruas.

U krijua një administratë shtetërore model.

U krijua Banka Kombtare dhe garantimi i monedhës kombtare në lingota të arta.

Pashaportë që garantonte lëvizjen e lirë të shqiptarëve në mbarë Botën.

Të gjitha këto janë arritje historike e të pakalueshme nga koha, nga kohërat..

Kjo është meritë e pavdekshme e Mbretërisë Shqiptare dhe e Mbretit Ahmet Zogu që sot kujtohet me nostalgji në 90 vjetorin e saj dhe 123 vjetorin e ditëlindjes së Tij. Qendrimi ndaj Mbretërisë Shqiptare është vijë demarkacioni mes patriotëve dhe atyre që Atdheun e duan vetëm për ta sunduar e zhvatur.

Ti japim Qezarit atë që i takon Qezarit.

Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat