Ramadan Shabani, anëtar aktiv i Komitetit të Kosovës

Kultura

Ramadan Shabani, anëtar aktiv i Komitetit të Kosovës

Nga: Lush Culaj Më: 10 tetor 2018 Në ora: 10:58
Ramadan Shabani 1861-1931

Komiteti Mbrojtja kombëtare e Kosovës, si orga­ni­zatë politike me program të përcaktuar politik, u themelua në Shkodër më 1 maj 1918 në kushte tepër të rënda të për­fundimit të Luftës së Parë Botërore. Kryesisht, ky ko­mi­tet u formua nga patriotët kosovarë, që, për rrethana të caktuara historike, kishin mbetur brenda kufijve të Shqipë­risë politike, por që përpiqeshin me tërë forcën e tyre për çlirimin e të gjitha trojeve shqiptare dhe krijimin e një Shqi­pë­rie etnike dhe të pavarur.

Përveç qytetit të Shkodrës, Komiteti i ngriti degët e tij në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe në qytete të tjera, e sidomos në Kosovë, ku e shtriu veprimtarinë e vet në Gjakovë, Pri­z­ren, Ferizaj, Prishtinë, Pejë, Shkup, Podrime, Raho­vec, Vuçitërnë, Gjilan dhe në qendra të tjera të Kosovës.

Një ndër degët më të organizuara, që qëndronte gjithmonë në ballë të reali­zimit të detyrave të Komitetit të Kosovës, ishte edhe dega e Rahovecit. Ndër anëtarët më aktivë të kësaj dege pa dyshim që ishin edhe Ramadan Shabani dhe Sadik Rama. Kjo degë përfshinte një territor relativisht të gjerë: fshatrat e Rahovecit si dhe të komunave të sotme të Malishevës e të Klinës. Për dallim nga degët e Komitetit në Shqipëri, ku zhvillimi i aktivitetit kombëtar ishte më i lehtë, në terri­toret e okupuara shqiptare nga Mbretëria SKS, degët dhe aktiviteti organizoheshin ilegalisht dhe aktivistët bartnin mbi vete rrezikimin e jetës së tyre dhe familjeve të tyre.

Ramadan Shabani u lind në vitin 1861 në fshatin Carravik ku jetonte me parë familja e tij. Aty i kaloi dhe vitet e djalerisë si bari. Kur ishte 16 vjeqar e tërë familja shpërngulen në Kijevë të Llapushës, ku jeton dhe sot. Pa i mbushur ende të njëzetat Ramadani filloi të mirret me pleqni dhe këtë profesion do ta ushtrojë gjatë gjithë jetës.

 Ishte përfaqësues i krijimtarisë tregimtare juridiko-etno­grafike. Misionin e pleqnarit e trashëgoi nga i ati, Shaban Kajtazi. Më së 50 vjet pleqëroi dhe pajtoi gjaqe. Kishte një reputacion të veçantë për zgjedhjen e konflikteve e çështjeve të ndërlikuara. Njihej si bashkëpunëtor dhe këshilltar i kaçakëve.  Në një dokument, i cili e mban vulën e Komitetit të Kosovës dhe datën 22.12.1918, me nënshkrimet e Bedri Pejanit dhe Hysni Currit, i shohim disa nga kërkesat e Komitetit drejtuar parisë dhe popullit shqiptar të Kosovës, ku kërkohej vigjilencë e madhe në ato rrethana të vështira për atdheun. Kërkohej që të grumbulloheshin të holla për veprimtarinë e Komitetit dhe të dërgoheshin në Shkodër. Pastaj kër­ko­hej që t’i dërgonin në seli të Komitetit në Shkodër statis­ti­kat e mbarë popullit shqiptar dhe serb për ato krahina, që ishin të numëruara në programin themeltar të Komitetit si dhe të propagandohej në masat popullore në Kosovë për veprimtarinë dhe aktivitetin e Komitetit. Në mënyrë që organizimi të ishte në nivel të duhur, Komiteti në letrat dërguar aktivistëve në terren, në mesin e të cilëve edhe Ramadan Shabanit, i fton që të bashkëpunojnë me njerëzit e përcaktuar drejt kombëtarisht, duke i ftuar një nga një pa pasur dijeni për njëri-tjetrin, në mënyrë që ata të betohen se do t’i shërbejnë Komitetit të Kosovës . Në vazhdën e këtyre po­rosive nga Komiteti i Kosovës,  Ramadan Sha­bani u vu me tërë qenien e tij në shërbim të atdheut dhe zbatimit të detyrave të Komitetit të Kosovës në rrethin e tij dhe më gjerë. Ai, në bashkëpunim me njerëzit e tij të be­sue­shëm, grumbullonte të dhëna mbi masakrimet serbe mbi popullatën shqiptare si dhe përpiluan statistikat e përbërjes së popullsisë në Kosovë që iu dërguan Komitetit të Kosovës në Shkodër. Përmes këtyre të dhënave nga Ramadan Shabani me bashkëpunëtorë, Komiteti i Kosovës ka bërë përpjekje që të dëshmojë me fakte të pamo­hue­sh­me para institucioneve ndërkombëtare autoktoninë e shqi­p­­tarëve në trevat e veta. Mu për ketë arsye Komiteti këto të dhëna i ka përkthyer në gjuhën frënge, në mënyrë që t’i dërgoheshin komandës së forcave aleate në Shkodër, Konferencës së Paqes në Versajë dhe institucioneve të tjera. 

Ramadan Shabani gjendej gjithmonë aty ku e kërkonte më së shumti nevoja e atdheut. Atë do ta gjeje në terren duke zbatuar direktivat e Komitetit të Kosovës, por gjithsesi se do ta gjeje edhe në fushat e luf­tës. Këtë më së miri e dëshmon e dhëna arkivore e dosjes së Komitetit të Kosovës, ku, duke folur për aktivistët e Komitetit të Kosovës në terren, ndër të tjera, theksohet: “Vlen për të theksuar se në disa nga mbledhjet e rëndë­sishme zbritën nga fushat e luftës edhe trimat: Bajram Curri, Hasan Prishtina, Azem Bejta, Hysni Curri, Sadik Rama, Ramadan Shabani, Qerim Begolli etj.”

Në mesin e udhëheqësve kryesorë të kryengritjes së vitit 1919 në Kosovë

Përveç veprimtarisë diplomatike Komiteti i Koso­vës, ose siç mund ta quajmë ndryshe Qeveria e Kosovës me qendër në Shkodër, bënte edhe organizimin e lëvizjes nacionalçlirimtare, do të thotë të rezistencës së armatosur të popullit. Besimin për organizimin e forcave të armatosura Ko­mi­teti ia kishte dhënë majorit Hysni Curri.

Çetat shqiptare komandoheshin nga trima të shquar të lëvizjes kombëtare dhe vepronin në bazë të një pro­gra­mi të formuluar nga Komiteti. Në program formuloheshin qartë detyrat themelore politike dhe ushtarake të forcave kryengritëse.

Gjatë hartimit të programit dallohen ndjenjat fisnike dhe atdhe­dashuria, por larg çdo shovinizmi dhe ndjenje hakmarrëse.

Gjatë muajit prill të vitit 1919 zhvilloheshin përgat­i­tjet e fundit për kryengritje në rrethin e Llapushës. Ndër prijësit kryesorë që punonin për lëvizjen që nga fillimi ishin Sadik Rama nga Gjurgjeviku dhe Ramadan Shabani i Kijevës, që të dy anëtarë aktivë të Komitetit të Kosovës. Së pari kryengritja masive filloi në Drenicë më 6.5.1919, e të njëjtën ditë kryengritja shpërtheu në Llapushë, nën udhëheqjen e Sadik Ramës, Ramadan Shabanit, Zef Gjido­dës etj.  Pothuajse gjatë tërë kohës së kryengritjes, shtabi kryesor i kryengritjes ishte i vendosur në fshatin Sverkë të Gashit, prej nga drejtohej kryengritja.   Në rrethanat e krijuara dhe nga frika e kryengritjes, Nikolla Pashiqi, i cili në atë kohë ishte në Konferencën e Paqes në Paris, për kryengritjen shqiptare deklaroi se duhej patjetër të nda­leshin kryengritësit.

Nga ana tjetër, Sadik Rama dhe Ramadan Shabani, sipas informacioneve, vepronin në fshatrat e Llapushës, Sverkë, Volljakë, Gremnik dhe Perçevë të rrethit të Raho­vecit (tani rrethi i Klinës, L. Culaj) me ç’rast fshatarët kishin treguar solidaritet me kryengritësit duke i ndihmuar dhe përkrahur në të gjitha format e mundshme. Për të qenë kryengritja sa më masive ishin dërguar propagandues në Rrafshin e Dukagjinit dhe në Rrafshin e Kosovës. Për një periudhë relativisht të shkurtër kryengritja u bë masive.  Raportet e muajit maj flasin për një kryengritje të vërtetë në Drenicë dhe në Rrafshin e Dukagjinit.

Kryen­gritësit ishte në katër grupe: Grupi i Rahovecit ishte i drejtuar nga Sadik Rama, Ramadan Shabani etj.; grupi i Drenicës nga Azem dhe Shote Galica etj.; grupi i Pejës dhe Istogut ishte i drejtuar nga Ramë Alia dhe Halit Ah­meti; si dhe grupet e Prizrenit dhe të Gjakovës të udhë­hequra nga Abas Ostrozubi dhe Zefi i Vogël.

Aktivistët dhe udhëheqësit e kryengritjes, varësisht nga nevoja, lëvi­znin nga një mjedis në tjetrin. Këtë e dëshmon një e dhënë tjetër historike që atdhetarin Ramadan Shabanin në këtë kryengritje e radhit si udhëheqës të grupit të Istogut së bashku me Beqir Rexhën dhe Ramë Alinë.

Në mungesë të materialit të duhur luftarak, ushqimit dhe për shkak të bombardimeve me topa nga ushtria jugo­sllave nga fillimi i qershorit, kryengritja filloi të bjerë nga intensiteti. Çetat çlirimtare pjesërisht u shpërndanë në gru­pe të vogla nëpër male, e pjesërisht u detyruan të largohen dhe të vendosën në Shqipëri.

Ndërkaq, në terren  Ramadan Sha­bani zhvillonte aktivitet të vazhdueshëm. Këtë e dëshmon edhe një letër e Hasan Prishtinës qe i interesuar jetësisht për gjendjen në Kosovë, nga mërgimi në letrën e 5 shta­torit 1919, i shkruan Bedri Pejanit se “letrat e këtyre ditëve janë shumë të tmerrshme” - dhe kërkonte lajme të reja nga Kosova duke pyetur se ku gjendeshin Sadik Rama dhe Ramadan Shabani.  Përndjekjet e pushtetit  serb ndaj Ramadan Shabanit, Sadik Ramës dhe udhë­he­qësve të tjerë të kryengritjes së vitit 1919 në Kosovë ishin të vazhdueshme. Ata detyroheshin të lëviznin nga një vend në tjetrin, por, duke qenë përherë në bashkëpunim të ngushtë dhe duke vepruar nën direktivat e Komitetit të Kosovës qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipërinë londineze. Ramadan Shabani vdiq në vitin 1931.

Ai i bëri shërbim të madh atdheut duke qenë në shërbim të tij në forma të ndryshme me de­ka­da me radhë. Sikundër edhe shumë njerëz meritorë, që nuk u vlerësuan sa duhet për veprimtarinë e tyre atdhetare, një fat të ngjashëm e pati Ramadan Shaba­ni. Në një klimë të re demokratike, kur filloi të rishikohej edhe historia e Shqipërisë, pas një rivlerësimi në mbë­shte­tje të dokumenteve burimore autoktone Ramadan Shabani, krahas figurave të shquara të kombit zuri një vend nderi atje ku edhe e ki­shte vendin.

Me rastin e 115-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Presidenti i Repu­bli­kës së Shqipërisë, Z. Sali Berisha, e dekoroi Ramadan Shabanin me urdhrin e lirisë të klasit të parë, si “ udhë­he­qës dhe organizator i shquar i kryengritjeve gjithëkombë­tare për pavarësi që sollën krijimin e shtetit shqiptar në vitin 1912”. Është ky urdhri më i lartë që jepet në Repu­blikën e Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat