Baladë në shkrepa

Kultura

Baladë në shkrepa

Nga: Hajdar Mallaku Më: 12 tetor 2018 Në ora: 21:46
Hajdar Mallaku

Me një fije eshke,

Vënë mbi shkrepat strallë

Fërkonim me urorin e zemrës

Shkëndijat që na mbanin gjallë.                                

 

Por pak nga pak gjatë historisë

I dëshpruam shqipet;

Nuk u lamë as shkrepa

Për ta nisur fluturimin;

Për t’u shkëputur nga pika zero

 Si atleti dhe për ta provuar zemrën

Në vigjëlimin atdhetar.

Nuk u lamë fusha,

Hambarët i lamë gojëhapur;

Nuk u lamë qytete

Për ta ruajtur qytetërimin;

Nuk u lamë altarë

Që me Zot ta ushqenim shpirtin;

Nuk u lamë dete, lumenj e liqene

Për ta larë djersën e krenarisë ilire.

Kot derdhim lotë

Për Ilirinë e dikurshme krenare

Që sot si bebe e lidhim në djep.

Ne këngën me lahutë

E kënduam edhe kur s’fituam.

Sot unë dhembjen e kam hipur

Në maje të Alpeve,

Se Alpet na e dhanë emrin Albanë.

Po këtë herë e kam për tjetër,

Për atdheun që zgrapet e rrudhet

E klith e denes deri në xhamë.

 Kosova si nënë jetime,

Me duar në gjinj

Ngjitet në maje të Qakorrit,

Si Ajkuna dikur,

U bën zë varreve e emërvendeve shqip

A përgjigjet kush ?!

Apo kënga epike

Lahutës i ka mbetur në fyt…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat