Çelësi i artë i një piktori të shquar shqiptar

Kultura

Çelësi i artë i një piktori të shquar shqiptar

Nga: Irida Cami Më: 13 tetor 2018 Në ora: 06:27
Kopertina

Alfred Mirashi (apo Miloti, siç njihet në botën e artit), është njëri prej mijëra shqiptarëve të ardhur në Itali me eksodin në forma nga më të ndryshmet. Para disa vitesh u përkujtua 20 vjetori i kësaj ngjarjeje: Një skulpturë e artistit shqiptar qe vendosur përpara pallatit të Kinemasë me rastin e festivalit të Filmit, në kuadrin e ekspozitës me titullin Open.

Herën e parë që kam parë një ekspozitë të Alfred Mirashit e kam të ngulitur në kujtesë megjithëse kanë kaluar vite. Ishte një mbrëmje dhjetori me shi. Errësira dhe lagështia u shkrinë papritur duke u fshehur në ndonjë cep të humbur të hapësirës sapo hapa derën e sallës. Ngjyrat e telajove të Alfredit më mbështollën me një përqafim të ngrohtë e rrezatues. Ashtu si buzëqeshja e artistit që në vitet e mëpasshme do të gjeja në shumë ekspozita e aktivitete, në katalogë arti e nisma të komunitetit shqiptar në Itali.

Një mbërritje, po të bëhej fjalë për dikë tjetër. Vetëm një etapë, për Alfredin që nuk ndalet kurrë. Pas Liceut Artistik "Mujo Ulqinaku" në Durrës, ai ka mbaruar Akademinë e Brerës në Milano. Një përzierje shkollash dhe metodash që me sa duket ka pasuruar artistin Milot. Është ai që mbi shtatë vezë gjigante të vendosura nga vinçat në oborrin e Kështjellës Maschio Angioino në Napoli ka pikturuar ikonat e kohës sonë: nga Maradona tek Nënë Tereza, duke kaluar nga Skënderbeu e Dante. Është ai që ciklin "Cepat Mesdhetarë" e ka çuar në vende të ndryshme të botës, duke përcjellë diellin dhe dritën, gjelbërimin dhe kaltërsinë, Mesdheun, por mbi të gjitha Shqipërinë.

Alfredi e mbart në vetëvete, jo vetëm në emrin e artit që ka zgjedhur. E mbart në mënyrën se si ecën e si të sheh drejt në sy, si flet me pasion për folklorin apo zakonet, e përçon në telajo e skulptura. Kritikët shkruajnë se një prej elementëve më origjinalë të veprave të Alfred Mirashit është një përpunimi individual që ai i ka bërë motiveve shqiptare. Drita që përçojnë është ajo e atdheut, ngjyrat janë ato që ai ka thithur në fëmijërinë e tij e që kanë lënë shenjë të thellë tek artisti. Me entuziazmin që e karakterizon dhe që e transmeton menjëherë ai na dha këtë intervistë. Në lumin e shkumëzuar të ideve të tij, mbetet në mend shikimi i tij, gjithnjë drejt së nesërmes, gjithnjë përpara.

Bota Shqiptare: Ta nisim nga fundi. Si po shkon artisti Milot? Di që është ende e hapur ekspozita Open në Venecia. Me sa di nuk je ndalur!

Alfred Mirashi Milot: Kritiku italian Paolo De Grandis më ftoi në këtë ekspozitë ndërkombëtare pasi i dërgova projektin e skulpturës. Më pëlqeu shumë ideja e ekspozitës Open, sepse ishte shumë afër, bile mund të them që përputhej me frymën e veprave të mija të kohëve të fundit, të cilat kanë pothuajse të gjitha këtë temë: Open. Kam përdorur idenë e çelësit në si në pikturë ashtu dhe në skulpturë, një simbol të hapjes. Sot që bota po kalon një krizë pothuajse në çdo fushë, jo vetëm në ekonomi por edhe në edhe në fushat e tjera, them se duhet të jemi të hapur me njëri-tjetrin sepse në këtë mënyrë edhe shoqëria e sotme forcohet. Mendoj se kjo është rruga e vetme.

Skulpturën e punova në studion time në Firence dhe ndoqa idenë që kisha për ta bërë me përmasa të mëdha sepse kështu sikur doja ta forcoja e të nxirrja më bukur atë që kisha menduar. Problemi doli kur skulptura do nxirrej nga studioja. Mu desha të shemb muret anësore. Nuk kishte asnjë mundësi tjetër. Ishim dhjetë veta që për një orë e gjysmë mezi e nxorëm veprën nga studioja që tani u bë edhe ajo Open nga muret. Artisti qesh dhe thot: Nuk bëj shaka!

Kishe qenë dhe më parë në Lido të Venecias në kohën e festivalit të Filmit? Besoj se je ndier pak VIP, jo vetëm sepse ishe në Venecia mes yjeve të kinemasë, por edhe sepse nga e gjithë bota kishte vetëm 27 artistë që merrnin pjesë në ekspozitën Open

Në Venecia pothuajse jam abonuar për të vizituar Bienalet e artit, por ishte hera e parë që shkoja në periudhën e Festivalit të Filmit. Ishin vërtet një atmosferë shumë e veçantë, një ambjent fantastik; ndodheshin atje  pothuajse të gjithë aktorët e Hollivudit. Unë isha me familjen time dhe natyrisht që për mua ishte diçka e madhe, mbi të gjitha sepse po ekspozoja skulpturën time mes artistëve nga shumë vende të botës.

Jam shumë kureshtare të di si të ka lindur ideja e çelësave. Është vërtet banale të pyesësh një artist se "si i lind një ide", por mua vërtet më tërheqin çelësat e tu!

Pothuajse krejt rastësisht. Edhe unë kam pasionin e çelësave, koleksionoj çelësa të vjetër. Është një pasion që e njohin edhe shokët e të afërmit e kur shkojnë diku për pushime a punë, kujtohen të më sjellin ndonjë çelës të vjetër. Një ditë po rrihja një copë të vogël hekuri në studio se më duhej për një skulpturë. Djali im i vogël, Gerardi, për të më imituar, kishte marrë një nga çelësat e koleksionit tim e po i binte me çekiç. "Babi, jam duke e rregulluar çelësin e prishur" më tha. U habita; çelësi kishte marrë një formë më të bukur në këtë mënyrë. Kështu lindi ideja e skulpturës që çova në Venecia.

Nuk di pse por sa herë që shoh një pikturë tënden, më duket sikur ngjall një lloj nostalgjie, e gëzuar ama, pa aspak trishtim. Ngjyrat e tablove të tua nuk kanë kurrë hije, errësirë. Si shpjegohet një artist i tillë në një vend ballkanik si Shqipëria, ku nuk di a e mban mend thënien: "edhe toka është e ngopur me gjak".

Më vjen mirë që pikturat e mija të transmetojnë këtë ndjesi. Historia e popujve ballkanikë është pothuajse e ngjashme. Mendoj se ne shqiptarët jemi një  komb i çuditshëm: me gjenialitet në çdo fushë. Ja për shembull, në Itali, në çdo lloj profesioni, mjekësi, art, sport, muzikë, literaturë e ku di unë, gjen shqiptarë që ia kanë dalë. Them se njeriu sot duhet të shikojë përpara me optimizëm. Edhe ne duhet të marrim nga kultura jonë e mrekullueshme gjërat më të bukura. Kështu mund t'i tregojmë vetvetes në radhë të parë e të tjerëve më pas se vendi ynë është edhe konstruktiv. Mendoj se nga vuajtjet e mëdha të një kombi  lindin edhe gjërat pozitive. Ose e thënë ndryshe: ka në jetë dhe ditë me shi, por dielli është më i fortë dhe ai natyrën e bën plot me ngjyra.

Ka ndikuar në këtë fëmijëria jote? Nga ç'familje vjen Miloti, ai që një kritik e përcakton si "perëndimor, mesdhetar, shqiptar".

Unë, si shumë bashkatdhetarët  e mi që tani ndodhen jashtë Shqipërisë, ika nga sistemi totalitar. Familja ime është një familje e thjeshtë malësorësh, me tradita tipike e të ndershme shqiptare. Në kohën e komunizmit ishim të etiketuar si kulakë sepse gjyshi im kishte pasur tokë e bagëti. Fëmijërinë e kam kaluar në Milot, natyrisht vite të kaluara mes vështirësive. Por në mendjen time  kanë mbetur gjërat e bukura: ngjyrat që unë përdor në telajot e mia janë fryt i kësaj kujtese. Për shembull, mjafton të përmend fantazinë dhe ngjyrat, kompozimet e thjeshta të jelekëve e xhamadanëve të qëndisura nga nënat tona.

Identiteti ynë mesdhetar është shumë i fortë në historinë e artit botëror. E them se në radhë të parë artisti duhet ta gjejë personalitetin e tij në art, të besojë në idetë e tij dhe kur të prezantohet të mos i ngjaj askujt. Më pas kritikët dhe artdashësit krijojnë idetë e tyre duke vlerësuar individualitetin e stilin artistik.

Tanimë veprat e tua kanë arritur një kuotim të lartë, nëse tregu mund të jetë një tregues për artistin. E për këtë nuk kemi si të mos jemi të lumtur dhe krenarë të gjithë. Ke ndonjë plan për të ekspozuar në Shqipëri?

Pas shumë vitesh plot me sakrifica, dalëngadalë dhe pas ekspozimeve të shumta, një ditë dëshirat fillojnë e realizohen siç duket... Në Shqipëri do të vije dhe një ditë që të bëj ndonjë ekspozitë. Unë natyrisht jam i gatshëm. Por nuk mjafton vetëm gatishmëria ime. Për organizimin e një ekspozite janë të shumta elementet e nevojshme dhe duhen bashkuar të gjithë. 

Ke vuajtur shumë në fillim, kur ke ardhur në Itali. E di që nuk ke shumë dëshirë t'i përmendësh ato kohë sepse realisht tanimë janë larg si në vite ashtu dhe në jetën tënde besoj. Apo ato  fillime të kanë lënë shenjë?

Besoj se të gjithë shqiptarët kanë vuajtur shumë në fillim, por ato vuajtje nuk duhen harruar, janë ato që na kanë forcuar më shumë, na kanë shtyrë të  kërkojmë diçka pozitive në jetë. Të jetosh një jetë normale është e vështirë sot, imagjino të jetosh me art e sidomos në këtë periudhë ekonomike jo bindëse. Duhet të shikojmë përpara dhe me shumë guxim e vullnet të krijojmë një të ardhme të mirë.

Tani ke krijuar familjen tënde, ke një djalë të vogël. Cili do të ishte urimi yt për të? Çfarë çelësi do të deshe të kishte për të hapur dyert e jetës, ato dyer që ti besoj nuk i ke gjetur gjithnjë të hapura

Unë, bashkëshortja Albina Shkreli dhe djali 4 vjeçar,  Gerardi, kemi  vendosur të jetojmë  tani për tani në Firence, ndoshta qyteti më i bukur në botë, e jo vetëm  për një artist. Të jetosh në këtë qytet është  diçka e mahnitshme, s'ka rrugë ku të mos ketë një teatër, s'ka shesh pa skulptura e monumente, plot me muze të çdo lloji: arti, shkence. Këtu vijnë për studime njerëz nga gjithë bota. Është qyteti i Giotto, Caravaggio, Leonardo, Dante, Galilei, Arnolfo di Cambio, Brunelleschi. Gerardi po rritet këtu, mes  kësaj kulture të madhe. Por shpresojmë që  ai t'i hapë dyert që dëshiron vetë e të zgjedhë profesionin ku ai të mund të shprehet dhe të jetë i lumtur profesionalisht. Meqenëse ra fjala tek e ardhmja e Gerardit. Unë jam shumë tifoz i skuadrës Fiorentina. Bashkë me mikun tim Kodhel Rusta  marrim të dy djemtë e sa herë që luan Fiorentina këtu jemi në tribunë. Ndoshta Gerardi me djalin  e mikut tim do të luajnë një ditë në fushën e atij stadiumi. Shpresoj… Por shpresojmë gjithsesi që  ai t'i hapë dyert që dëshiron vetë e të zgjedhë profesionin ku të mund të shprehet dhe të jetë i lumtur profesionalisht.
 
Çelësat e kujtesës së Alfred Mirashit - Milot

Alfredi është shumë i drejtpërdrejtë, i qartë në sintezën formale të mendimit të vet. Veprat e tij të fundit janë në të vërtetë një hap themelor në hulumtimin e Milotit. Hulumtim që bën të përkojë projektin artistik me nevojën për ta bërë universal udhëtimin e vet personal në histori, gjë që e ka bërë ky që është: perëndimor, mesdhetar, shqiptar. (Massimo Sgroi, kritik arti)

MENDIMET E ARTISTIT PËR ÇELSAT

Çelsat s’e di a vuajnë,  por na bëjnë të vuajmë… Na mbrojnë dhe na mbyllin, ah, na ndajnë. Gjithë ato dyer, kur dashuria s’ka derë, sipas meje është hapësirë e pafundme. Edhe lirinë s’mund ta ndash nëpër qelira dhe t’i japësh Djallit çelsat e burgut. Një tufë me çelsa të së mirës, që janë bërë nga e keqja jonë dhe çelsat e së keqes që e kyçin të mirën… Por era që s’ka fare çelsa, do të më thoshte im bir, as dallgët, as kurioziteti, as qeni, as kali, as dëshirat, as malli…, as dhimbjet njerëzore, do të thosha unë, as… mbase të gjitha këto janë vetë çelsa për zbulimin e vetes dhe të botës. Po kur u shpik çelsi, para apo pasi kryqëzuan Krishtin?

Një miku im piktor mban penelin si një çelës arti dhe hakmerret ndaj të gjithë çelsave që na bëjnë të vuajmë, që na mbyllin dhe na ndajnë… i shtrembëron në vizatimet e tij, për të kuptuar se duhet drejtësi më shumë, i bën të shëmtuar si monstra, që të mos i duam… të kemi frikë, ngjajnë me prangat, me gozhdët e kryqit… çelës do të thotë të mos besosh në njerëz… çelsi nuk di të qajë… Ne lindim pa çelsa në duar, por me 10 gishta, aq sa janë dhe 10 porositë Qiellore. Hija e Njeriut ka formën e një çelsi të madh që të guxojë të kyçë portat e errësirës, kurse agimi s’ka çelsa fare, rrjedh si kataraktet e së ardhmes. Le të jenë çelës ngjyra dhe fjala! – mërmëris unë. Çelës le të jenë loti dhe gëzimet! Dashuria është i vetmi çelës prej drite. Amen!

Në erën e falsifikimit absolut, të transformimit të pandaluar të sistemit të njohjes dhe imagjinatës, ekziston ende hapësira e bashkëndarjes së ndjesive me hapësirën e thellë njerëzore ku ndodhet ajo që në quajnë kujtesë? A është e tamam e vërtetë që njerëzimi vrapon drejt vdekjes së historisë ose më mirë forma të re e një androidi njerëzor a është i fiksuar më shumë se kurrë në kërkim të kujtimeve të tij?

Alfred Mirashi, Milot, siç quhet vendi nga ai vjen dhe siç njihet në botën e artit, kujton një prej personazheve të Blade Runner. Jo engjëllin flokëverdhë e djallëzor Roy Batty dhe as Pris, kukullën që ngatërrohet me cyber-lodrat. Më shumë kujton Leonin, njeriun android që, edhe pse i ndërgjegjshëm për pavërtetësinë e  kujtimeve që i kanë futur artificialisht në tru, rrezikon jetën për të marrë fotografitë e një familjeje që, në të vërtetë, nuk ka qenë kurrë e tija. Çelësa pra për të hapur dhomat e një kujtise aq të rëndësishme sa vlen më shumë se dhe vetë jeta e tij e shkurtër.

Nga ana tjetër Alfredi ka pasur gjithmonë një marrëdhënie vërtetësie me gjërat e tokës së tij; nga ngjyrat e pëlhurave të ndritshme tipike të Ballkanit tek format e statujave klasike të vendosura në peizazhet nomade të historisë së vet. Shqiptar që, i detyruar nga rrethanat, ka braktisur tokën e tij, një tokë që e mbart me vete në emër, në zemër dhe, rrjedhimisht, në artin e tij.

Ka një lloj të caktuar arti që ndjek më mënyrë gati maniakale eliminimin e  përkatësisë në kërkim të një globaliteti që i shërben më shumë tregut se sa kërkimit të vërtetë artistik. E vërteta gjendet, pavarësisht rregullave të ngurta të sistemit të artit, në botën e të panjohurve dhe në mundësinë që ka artisti për të zbuluar herë pas here fytyrën e perëndeshës greke të kujtesës. Dhe, si Uliksi, Miloti  përpihet nga udhëtimi; një braktisje  e vetëdijshme e vizioneve në një zonë, Mesdheu, që për botën perëndimore është në vetvete sinonim i kujtesës.

Sinteza formale, përtej një shkëlqimi kromatik absolutisht në përputhje me projektin e Alfredit, është arkaik dhe jo-bashkëkohore njëherësh. Ai lexon vendet e kujtesës duke përdorur pamjet dhe ngjyrat që sedimentojnë, shekuj pas shekujsh, deri sa bëhen ekrane të  shndritshëm të kohës digjitale.(...)

Për vetë natyrën e tij, për historinë e tij personale dhe përkatësinë në një popull që ka si karakteristikë të qenit konkret, Alfredi është shumë i drejtpërdrejtë, i qartë në sintezën formale të mendimit të vet. Veprat e tij të fundit janë në të vërtetë një hap themelor në hulumtimin e Milotit. Hulumtim që bën të përkojë projektin artistik me nevojën për ta bërë universal udhëtimin e vet personal në histori, gjë që e ka bërë ky që është: perëndimor, mesdhetar, shqiptar.

Çelësat hapin dyert; kalimet që lidhin kujtimin dhe historinë me kohën tonë, fryt i një sedimentimi mijëravjeçar i cili, përtej teknologjive të ndryshme, mbetet i njëllojtë në  kuptimet filozofike me atë të dy mijë vjetëve më parë. Sokrati, Fidia, Platoni, Atena, Venusi, por edhe mitologjia dhe transferimi i saj në skulpturë. Maradona dhe Nënë Tereza e Kalkutës, Caravaggio, Aleksandri i Madh, Dante Alighieri, Giordano Bruno, e për të përfunduar me heroin kombëtar të vendit të tij Skënderbeun, janë të përfaqësuar në sipërfaqe kanavace, mbi tekstile që shoqërojnë traditën e Ballkanit për t'u kthyer secili në një aksiomë e servirë në tabakanë e ekzistencës dhe që një çelës i harruar mund të hapë.

Është shembulli absolut i idesë së Alfred Mirashit, më shumë se vezët-skulptura të mëdha të paraqitura në Maschio Angioino. Është mbledhja e mundësive të pafund për të hapur dyer sekrete të kujtesës; hapje që me kalimin e kohës, po bëhen gjithnjë e më të paarritshme për gjeneratat e reja. Miloti "tradhton", për një herë, hulumtimin e tij personal artistik që e çon në mbivendosjen e pikturës abstrakte me ikonologjinë figurative. Është kjo vepër, sinteza ekstreme e projektit të tij, kjo dëshmi identiteti, i një udhëtari të kohës dhe hapësirës që shpaloset nëpërmjet kërkimit gati kompulsiv të mundësisë për të ndarë një kujtim me të tjerët.

Alfredi, pikërisht ai, i ardhur nga një popull dhe një vend që kanë pasur një histori nga më të dhunshmet në Evropë, jep një mesazh paqeje. Çelësat që nuk përdoren më përfaqësojnë mundësinë e hapjes së gjërave, të realitetit, të hapësirave të ballafaqimit dhe mundësitë e marrëdhënieve që çdo ditë e më shumë ngushtohen e harrohen. Objektet, të mbledhura në të gjithë botën, gjatë udhëtimeve të Milotit (në Spanjë, Shqipëri, Itali, Kurdistan, Shtetet e Bashkuara, Turqi e shumë vende të tjera) nuk kanë një specifikë gjeografike, ato janë më tepër një konstante universale.

Në thjeshtësinë e tyre në dukje, janë simbolikisht dhe menjëherë një britmë alarmi e artistit shqiptar. Një mijë pjata të shtruara në një qilim të kuq, një mijë çelësa të  harruar, të kujtojnë se, siç thoshte Egon Schiele, përpara se të jemi  artistë, ose çdo gjë tjetër, jemi njerëz. "Mbetemi Njerëzorë", atëherë; t'i përdorim çelësat e vënë në tabakanë e ekzistencës sonë për të hapur dyert e asaj çka kemi harruar. "Revolucioni" nuk mund të shtyhet për nesër, sipas Alfred Mirashit, Revolucioni nuk pret më gjatë. Është për sot!
 
Çmim ndërkombëtar për Alfred Milot Mirashin

Çmimi ndërkombëtar Napoli Cultural Classic i edicionit XI për pikturën i shkon Alfred Milot Mirashit. Romë, 31 maj 2011 – Ditën e shtunë, më 28 maj në teatrin e mrekullueshëm Umberto në sheshin Giordano Bruno të qytetit të Nolës, u shpërndanë çmimet e edicionit të njëmbëdhjetë të çmimit ndërkombëtar Napoli Cultural Classic. U vlerësua edhe këtë vit aktiviteti i personaliteteve të shquara në fushën e artit, kulturës dhe shkencës. Në seksionin e pikturës u vlerësua me këtë çmim prestigjioz artisti shqiptar Alfred Mirashi, në art Milot. Tanimë ai po ekspozon gjithnjë e më shpesh përkrah emrave më të njohur të artit modern italian dhe të huaj. Cikli i pikturave të tij me titull “Këndi Mesdhetar” është tanimë i njohur dhe i vlerësuar nga artdashësit dhe kritikët. Veprat e tij janë ekspozuar në Romë e Berlin, në New York e Pragë e në shumë qytete italiane.

I ardhur në Itali me eksodin e marsit të vitit 1991, Alfred Mirashi ka mbaruar Akademinë e Arteve të Brerës në Milano. E nuk është ndalur më. Veprat e tij, si në ngjyra, në gjeometri apo subjekte, mbartin elementë të spikatur të kulturës, folklorit e një frymë të përgjithshme të traditës shqiptare. Siç shkruan një kritik: e shkuara dhe përvoja e artistit Milot është kristalizuar dhe ka zënë vend në tavolocën e tij.

Miloti i kampit kulak dhe një histori që s’harrohet

Valeria Dedaj

Alfred Mirashi - Milot fituesi i “Medaljes së Artë për Pikturë” në Olimpiadën e Arteve të Bukura në Londër. Çfarë ka për të treguar artisti që emrin e vendlindjes e mban në shpinë? Fëmijëria në qytezën socialiste, etiketimi “djalë kulaku” dhe përpjekja për t’u shkolluar në Akademinë e Brerës. “Qoshja mesdhetare” u vlerësua me “Medaljen e Artë për Pikturë” në Olimpiadën e Arteve të Bukura në Londër. Autori i saj është Alfred Mirashi, me emrin e artit Milot, që jeton dhe krijon në Itali. Iku 18-vjeçar nga Miloti. Na tregon në këtë bisedë se ai e ruan në kujtesë qytezën socialiste të viteve të fëmijërisë, shkollën, por dhe të dielat.

Nuk ka si të harrojë zërat që e thërrisnin bir kulaku, dhe për këtë shkak të diferencohej nga të tjerët. Jo se sot nuk ekzistojnë forma të tjera diferencimi, për shembull: indiferenca apo veshi shurdh ndaj atyre të rinjve që përpiqen të çajnë pa ndihmën e askujt. “Vendi ynë për artin modern nuk ndjek një sistem. Imagjinoj se çfarë bëhet në Tiranë. Hap faqen e Muzeut Kombëtar të Shqipërisë, shikon se para disa vitesh ka qenë drejtor i ati, sot i biri, ndërsa vëllai prezantohet me ekspozitë. Këto janë forma që nuk i japin kurajë artit në demokraci.”

Miloti lëvron pikturën, skulpturën, instilacionin. Në shenjat figurative dhe të ngjyrës gjen gjithmonë diçka nga Shqipëria. Në këto vite ka ekspozuar në Milano, Firence, Berlin, Katania, Brindizi, Nju Jork, Venecia. 

Urime Alfred për çmimin! Si ka lindur vepra fituese “Qoshja mesdhetare”?

“Angolo Mediterraneo” ky është titulli që unë përdor në veprat e mia pothuajse më shumë se 15 vjet. Ne jetojmë në një vend fantastik, plot histori dhe kulturë, ku kanë lindur personalitete në çdo lloj fushe, ku bota na ka zili për këtë harmoni të plotë, prandaj mendova që të prezantoj diçka mesdhetare në formën time personale dhe kontemporane. 

Përveç emrit të qytezës Milot, çfarë i ke dhënë tjetër nga vendlindja identitetit tënd artistik? 

Milot është emri im i artit. Ishte si një sfidë kur hyra student në Brera. Ato vite për ne shqiptarët ishin të vështira. Mass-media italiane na bombardonte me lajme negative. Prandaj vendosa t’i bashkoj emrit tim edhe emrin Milot. Ndihem krenar që e përdor këtë emër si artisti shqiptar që vjen nga Miloti. 
Më pëlqen shumë arti bizantin, por më shumë më pëlqejnë ngjyrat e pafundme që janë përdorur në traditën tonë folkloristike, në veshjet tona të çdo lloj krahine. 

Atëherë te “Qoshja mesdhetare” ke krijuar një çelës nga harmonia e ngjyrave?

Siç e keni parë dhe ju në veprat e mia spikat harmonia e ngjyrave dhe “çelësi” i përdorur simbolikisht si hapës i një rruge, apo i një porte jo më në kuptimin historik si mbyllës, ndoshta është kjo e veçanta e artit tim. Shoqëria e sotme nuk duhet të përdorë më çelësat për t’u mbyllur, por të ballafaqohet me shoqëri të tjera duke komunikuar pa paragjykime. 

Me çfarë teknike punon kryesisht?

Kam kryer Liceun në Durrës për skulpturë dhe në Milano jam diplomuar në pikturë, kështu që duke i zotëruar të dyja këto teknika, më pëlqen të eksperimentoj, megjithëse nga ana komerciale, është piktura ajo që funksionon më mirë. 
Si në çdo profesion, me kalimin e viteve fiton një lloj sigurie në punë. Asnjë s’ka lindur me përvojë artistike, por dalëngadalë duke besuar te diçka personale në pikturë, ajo të shtyn që të kërkosh dita-ditës. Gjëja më e bukur është që jetoj në Firence dhe kam një studio timen ku pikturoj përditë. Ambienti në qytet është fantastik, muze pa fund, galeri arti, librari. Këto janë ushqim për krijimin artistik.

Përmende artin bizantin si më pranë shijeve të tua, por çfarë epoke e artit ka influencuar tek ti?

Nëntëqinda është periudha e eksperimenteve të shumta. Habitesh se çfarë lloj demokracie ka pasur arti në këtë kohë. Mendoj që artisti i sotëm kur shikon këtë periudhë i lind pyetja: A mundem të krijoj diçka personale. Për mua artisti më i arrirë dhe kompleks, qoftë me veprën, qoftë me mendimin e tij teorik, është artisti gjerman Joseph Beuys. Emrin e tij ua këshilloj edhe studenteve të artit në Shqipëri. Me fjalë të shkurtra ai sugjeron të mendosh seriozisht për forcat e tua dhe të besosh se edhe ti je “artist”.

Kthehemi pak prapa në kohë. Si ka qenë fëmijëria jote?

Kam lindur në Milot, qyteza ime e vogël. Kam patur një fëmijëri të qetë, sepse me bashkëqytetarët e mi kishim raport të mrekullueshëm, pavarësisht se ishte një periudhë shumë e vështirë ekonomike. Unë nuk i harroj ato që ka vuajtur familja ime, sakrificat që kanë bërë prindërit e mi për të më rritur e shkolluar. E konsideroj veten me fat që linda në atë qytet paqësor ku vinin njerëz nga e gjithë Shqipëria, sidomos nga zonat veriore.

Miloti ishte një mrekulli të dielën që ishte ditë pazari. Shihja me kureshtje malësorët, mirditorë, zadrimorë dhe më habiste gërshetimi i ngjyrave, fantazia me të cilën ishin qëndisur veshjet e tyre të pastra, me format e thjeshta dhe shumë dekorative. Më tërhiqte komunikimi midis tyre. Mamaja ime qëndiste bukur, prandaj e shikoja me kureshtje tek bënte punët e saj plot fantazi duke përdorur kombinime ngjyrash me një harmoni fantastike. Babai im, megjithëse punonte në Laç, kur kthehej pasdite nga puna, punonte deri në darkë vonë duke lyer shtëpitë e qytetarëve. E shikoja se çfarë sakrificash bënin prindërit tanë për të na rritur. Ishim 5 fëmijë. Unë jam i madhi dhe rrobat e reja gjithmonë i blinin për mua, e pastaj kalonin për vëllezërit e tjerë. 

Çfarë kujton nga vitet e shkollës? 

Besoj se, si tek çdo person, vitet e para të shkollimit mbesin në kujtesë për atë ndërthurje të pafajësisë me ëndrrat fëminore. Me keqardhje them se veç mbresave të bukura, kujtoj që dikur nuk e kisha të drejtën e shkollës, sepse familja ime ishte familje kulakësh. Kjo etiketë absurde, sot duket diçka e rrallë. Në Liceun Artistik “Mujo Ulqinaku” në Durrës gjithmonë i druheshim faktit se rridhnim nga një familje kulakësh. Imagjino se sa keq ndihesh kur nuk mund ta shikosh të ardhmen, kur nuk kisha të drejtë të bëja universitetin. Por nga kjo anë më mirë, sepse pata fatin të vij në Itali më 1991 e të studioj në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës.

Si shkuat në Itali?

Erdha në Itali me eksodin tjetër të madh të shqiptarëve më 1991. Pas shumë vështirësive ekonomike, fillova studimet në Akademinë e Brerës, në Milano. Në vitin e katërt fitova një bursë studimi në Angli dhe më pas udhëtova për në Nju Jork ku qëndrova një periudhë. E sërish në Itali. Tani jetoj në Firence. Në Shqipëri vij pothuajse çdo vit për familjen dhe shokët e mi.

Pra në Shqipëri, nuk mund të ecnit vetëm pse ishit djalë kulaku?

Kur jam larguar nga Shqipëria ishte akoma periudha kur njerëzit i ndanin në kategori: kulakë, njerëz që nuk mbështesnin regjimin komunist apo komunistë. Nuk mund të shprehem se çfarë do të më kishte ofruar Shqipëria, por mua më pëlqen të mendoj që talenti vlerësohet në çdo vend të botës. As në Itali nuk ka qenë e lehtë dhe nuk është kurrë e lehtë.  Këtu kam gjetur një ambient krejt të ndryshëm nga ai shqiptar, por me shumë sakrificë, vullnet e këmbëngulje kam arritur në këtë pikë ku ndodhem. 

Në Londër fitova “Medalje të artë në pikturë” dhe turp të ketë Ministria e Kulturës s’më ka dërguar asnjë lloj falënderimi. Diçka që nuk kuptohet, sepse kanë qenë të ftuar në Olimpiadë. Atje unë jam prezantuar si shqiptar me ermin e artit Milot. Nuk kam kërkuar ndihmë asnjëherë nga institucionet shqiptare dhe këtë herë nuk prisja asgjë më shumë sesa një fjalë inkurajuese.

Meqë vini çdo vit në Shqipëri, e keni një opinion për ecurinë e vendit?

Për ku ishim dhe ku jemi, vendi ka ndryshuar, por ndërtimet e shumta dhe pa arkitekturë më duken banale e të frikshme, sepse janë bërë gjërat si në anarki. Habitem: shtëpi kudo dhe pyes: po sa milionë shqiptarë ka në botë?  Sot në Shqipëri nuk ka akoma një stabilitet kulturor. Çdo gjë është e lidhur me politikën ekonomike. Kjo është në nivele shumë të larta burokracia e cila mbylli hapësirat për lindjen e talenteve. Një shtet kur nuk mendon për kulturën, domethënë se njerëzit e artit nuk respektohen. Njeriu jeton një herë, duhet përveç që të jemi pozitiv vetë, ambienti duhet të ndihmojë artin e kulturën. Në çdo vend të botës sot ka krizë, por vendi ynë për artin modern nuk ndjek një sistem.

Imagjinoj se çfarë bëhet në Tiranë. Hap faqen e Muzeut Kombëtar të Shqipërisë, shikoj se para disa vitesh ka qenë drejtor i ati, sot i biri, ndërsa vëllai prezantohet me ekspozitë. Këto janë forma që nuk i japin kurajë artit në demokraci. Ka 20 vite që Ministria e Kulturës, duke e ditur se nëpër botë ka artistë të shkëlqyer shqiptarë, asnjëherë i ka ftuar për të bërë ekspozuar me dinjitet bashkë. Për këtë nuk besoj që s’kanë të ardhura, por mungon vullneti i organizimit. Me këto fjalë iku ekspozita ime në Tiranë, që ma kishin premtuar (qesh).

Me Londrën çfarë të lidh? Çfarë mundësish të jep Çmimi i Artë?

Në Londër kam studiuar fotografinë. Ekspozita e fundit dhe “Medalja e Artë në Pikturë” u bënë shkas që të jem i ftuar në disa ekspozita gjatë këtij viti. Në shtator marr pjesë në Bienalen e Torinos, pastaj në Katania për një ekspozitë e organizuar nga Francesco Gallo që i bën homazh Klimtit, ku do të ekspozoj bashkë me poetin nga Durrësi Ilir Paja. Dhe në tetor në Pekin në Muzeun e Artit Modern. (Këto shkrime dhe intervista të botuara paraprakisht, i zgjodhi për revistën Albanezul/Shqiptari: Alban Voka)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat