Shtatorja e Nënë Terezës do të rrezatoi për jetë të jetëve

Kultura

Shtatorja e Nënë Terezës do të rrezatoi për jetë të jetëve

Nga: Maxhun Smajli Më: 16 tetor 2018 Në ora: 21:18
Në Qunito di Treviso

Shumë njerëz jetojnë për para  dhe për gjëra që mund të blihen me to. Disa jetojnë për të bërë emër. Por, ka edhe nga ata që nuk dinë se për çfarë jetojnë ose përse ekzistojnë. Andaj, po të mos ishin atdhetarët dhe humanistët shqiptarë, ata të cilët nuk kursyen asgjë për popull e atëdhe, vlerat e kombit do të ishin të pa dukshme. Të tillët, bënë që popullin shqiptarë ta njoh bota. Janë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe Nënë Tereza, para veprave të të cilëve po përkulet bota. 

Duke e ruajtur natyrën morale, mergata shqiptare nuk po lejon që komuniteti i tyre të rrëshqas në zhvlerësim vlerash kombëtare. Në muajin shtator, në muajin e Nënë Terezës, zemrat e mergimtarëve shqiptarë; Bajram Desku me bashkatdhetarë të tjerë, duke gjetur edhe mbështetjën e kryetarit të Komunës, Quinto di Treviso, Mauro dal Zilio, në këtë qytet vendosën shtatorën e Nënës Tereze.

I pushtuar nga paqja dhe i përtrirë në shëndet dhe në ndjenjën e qetësisë shpirtërore, në orën 05.30, bashkë me përfaqësuesit e SHKSH “Salih Çekaj”; Shemsi Hazirin dhe Hajzer Gashin, përfaqësuesit  e shoqatës “Bavarezo-Kosovare”; Milaim Krasniqin dhe Naim Gashin, si dhe me mësuesin e shoferëve, Ramadan Deskun, u nisëm për në Quinti di Treviso të Italisë.

Përmes Alpeve të Austrisë dhe Tirolit Jugor, pas katër orësh, arritëm në kryeqytetin e Krahinës së Tirolit Jugor, Bolzano. Krahinë kjo që, Anglia dhe Franca ia kishin dhënë Italisë si Trofe, pasiqë Italia, gjatë Luftës së Parë botërore, kishte kaluar në anën e Anglisë dhe Francës, duke prishur Paktin me Austro-Hungarinë. 

Pas një pushimi të shkurtër, vazhduam rrugën për në Quinto di Treviso. Për atje ku shtatorja e Nënë Terezës do të rrezatoi për jetë të jetëve. Edhe atëherë kur ne nuk do të jetojmë. Delegacioni nga Bayerni i Gjermanisë u mirëprit nga ideatori, Bajram Desku me bashkorganizatorët e tij.

Vendi ku ishte vendosur shtatorja e Nënë Terezës ishte përzgjedhur në mënyrë të përkryer. Në një kryqëzim rrugësh të qytetit, ku ngjit me to ishte edhe shetitorja. Me një ceremoni madheshtore dhe emocionuese, u bë zbulimi i shtatorës, që ishte rrethuar nga gjithëçka shqiptare; zbukuruar me kostume shqiptare të voglushëve dhe të të rriturve. 

Zbulimin e shtatorës e bënë; Don Lush Gjergji, Don Roberto, Mauro dal Zilio, Kryetar i Quento di Treviso dhe Bajram Desku. Në këtë akt madhor, ishin të pranishëm edhe Presidenti i Trevisos, Fulvio Petena, Fatmir Limaj dhe zv. ministrat; Anton Berisha, Gjergj Deda, Afrim Bekteshi dhe zv. Komandanti i FSK-s, Enver Cikaqi, Deputetja shqiptare në Kroaci, Ermira Përlaska, studiusi nga Sllovenija, arbëreshi, Peter Shtoka, Mr. Nikollë Shabani, nga Gjermania, Heset Ahmeti, kryetar i shoqatës “Iliria” nga Sllovenia, Fondacioni “Dukagjini”, nga Austria, shoqatat “Salih Çekaj” dhe  “Bavarezos-Kosovare”, nga Gjermania, si dhe BPSH “Akademik Mark Krasniqi”, poashtu nga Gjermania. Të pranishëm ishin edhe gazetari Ferdinand Samarxhiu dhe gazetarja e SNN-it, Anduena Llabani. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe shqiptaro-amerikani, Ekrem Bardhi, një patriot i madh, njeriu që ka takuar dhe ka lobuar me gjashtë presidentë amerikan. 

Pas zbulimit të shtatorës dhe një programi të pasur kulturoro-artistik, interpretuar nga fëmijët e shkollës shqipe në Treviso, grupet e valleve; “Drenica”, “Shqiponja”, Iliria”, “Kuq e Zi” dhe solisti i mirënjohur, Shkelqim Beshiri, në kishën e këtij qyteti u mbajtë mesha kushtuar Nënë Terezës.

Shqiptarët dhe të tjerët, duke shprehur dashurinë për Nënë Terezën, nën trarët e kësaj kishe, të gdhendura mes viteve 1495-1541, nga dy shqiptarë të shquar për gdhendjen e drurit, Paolo  Campsa (Kamza) dhe kunati i tij, Govani Malines, lutjet i bënë në gjuhën shqipe, ku Don Roberto, ipezhv i Katedralës në Treviso, tha: “Edhe unë, bashkë me mjerëzit e Nënë Terezës, do lutem në gjuhen shqipe”. 

Pas meshës, për gjithë mysafirët, u kthye një darkë, ku Bajram Desku, me atë bujarinë e tij, trashëgim nga të parët e tij, bëri që të pranishmit të ndjeheshin të lirë, si në gjirin familjar, që në ballë të sofrës kishin, Don Lush Gjergjin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat