Usta Jorgoja

Kultura

Usta Jorgoja

Nga: Fatmir Lohja Më: 18 tetor 2018 Në ora: 08:45
Fatmir Lohja

Usta Jorgo është burrë zotëri dhe  mekanik duar artë. I erdhi dita të dalë në pension. Pse e duam, i  shtruam  një darkë për qejfë. E ndihmuam, me njohjen tona,për t’i dalë paga e  pensionit sa me parë.Donte  të shkonte në Greqi për të parë fëmijët e tij.E ka  këputur  malli më shumë  për nipërit edhe mbesat. Usta Jorgoja me kombësi është Grek, por ka lindur e  jetuar në Tiranë.

Nga meraku , për ta çuar direkt në duart e fëmijëve ,e sajuam një rrugë për në Athinë.  Plaka, Sanoja, do të qendronte në Shqipëri për të ruajtur shtëpinë. Para  pak kohe  u kthye nga Athina. Rruga na shkoi mirë.Kamioni nga “frika” e usta Jorgos, nuk na bëri asnjë defekt.Biu, ortaki im në atë udhëtim, shquhet për humor .Të gjithë rrugën  nuk pushoi.Tregonte  historitë e   udhëtimeve  të veta  enëkënd Europës. Për intermezo i fuste edhe ndonjë biobarcoletë.Usta Jorgo më shumë rrinte në sedilen e parë.Kur ndjente lodhje pushonte në krevatin  që është në gabinë.Kudo që  zinte vend , vëmendjen nuk e shkëpuste nga Biu.

Lamë trajlin me gjithë kontinjer të shkarkohej në magazinë.  Kokën e kamionit  e dërguam në servis, për të riparuar kondisionerin.Usta Jorgoja nuk na u nda pa mbaruar ne punë. Na ndihmoi shumë në përkthime ,se kush e di se si do të ishim marrë vesh   me grekërit.Kur mbaruam punë,i dhamë adresën një taksije,e cila na çoi te dera e shtëpisë të djalit  madh,të usta Jorgos.

 Të katra familjet e fëmijëve u grumbulluan, për të pritur gjyshin e mrekullueshëm. Atë natë nuk na lanë të iknim.I njohëm edhe ne  rrapatushat e gjyshit.Të nesermën në mëngjez,me autoveturë,na çoi djali i madh i Jorgos, Mondi, te servisi ku kishim lënë makinën.Përpara se të ikte,seç bisedoi me  grekët . Për çdo shqetësimin tonin, na la një numër kontakti telefonik.

E patëm  parashikuar që defekti do të riparohej për dy -tre ditë,sa të shkarkohej e të ngarkohej kontinjeri.Nuk e gjenin një pjesë kembimi .Nga ky shkak nuk e përcaktonin kohën se kur do të mbaronin riparimin. Meqë pronari nuk na paguan hotel, sepse është krevati dopio në kamion,ishim të detyruar të flinim aty. Grekët na lejuan të flinim  në makinë, ndonëse jashtë rregullave të tyre. Na dhanë edhe një çelës tualeti, që na ndihmoi shumë .Pse kishim para në limit, silleshim rreth kokës së kamionit. Zakonisht marrim ushqime në udhëtimet tona,  për të ruajtur ndonjë para , për të mos e prekur djetën e vogël.Kur na mbet ngonje cent, pa u nisur, e zbrasim  valutën nga xhepat, për të blerë rrokotele  vogëlushëve.

Në ditën e gjashtë, na thonë grekërit , se dikush na kërkon te dera hyrëse e ofiçinës. Gjatë rrugës i bënim pyetje njëri-tjetrit:”Kush dreqin na njeh në Athinë?” Për çudinë tonë, në një stol ,shohim  të ulur usta Jorgon duke na pritur me merak shumë. Na u çil syri kur e pamë. Me Biun, në ato ditë, edhe përrallat na kishin mbaruar. Nga mërzija ishim gati t’i mbesnim në dorë të njëri-tjetrit,për një;fjalë ; shikim; tonalitet; ….,të padëshiruar.Një ditë u zumë,për rreth dy orë,nëse ishte e bukur,apo e shemtuar, një grua,që kaloi , për hesap të saj,në trotuarin përballë.Ju betohem! Zonja nuk na hodhi  një shikim ,sado  indiferent,ndërsa ne na hipën kacabujt. E kuptoni gjendjen tonë!? Dy shofera, në mes të Athinës,diskutonim për konceptet e estetikës,se ku qendron e bukura dhe e shemtuarave e grave që shëtisin  rrugëve!? Merzija e fut trurin e njeriut në honet e absurditetit.

Na pyeti me imtësi se si i kishim punët. Ustai e pa mirë gjendjen ku qemë katandisur. Na tha ta prisnim në stol. Vete u fut në zyrat e ofiçinës.Pas njëgjysëm ore doli i shoqëruar nga dy burra.Po konstatonin defektet e makinave të prishura, të parkuara jashtë servisit, për shkak të grumbullimit të punëve. Shkoi rreth një orë kur u rikthyen në zyrë. Kaloi bajagi kohë, kur ustai erdhi pranë nesh me tre palë rroba punë. Për të mos ndenjur kot ,dhe për të përballuar shpenzimet  e pritjes,u  kërkoi punë pronarëve të servisit.

Edhe pse nuk e kam me vete ndihmësin, kam besim te ju dy shoferë të mrekullueshëm, se do të më ndihmoni të bëjmë punën që mora përsipër,- na tha në gabinë gjatë kohës që po vishnim uniformat e punës.- Pazari është  më lart se te ne. Paratë do t’i marr unë.Do t’I shpenzojmë për qejfë,se tërë jetën kemi kursyer.Në fund, nëse na tepron ndonjë euro,do ta ndajmë për  tre.O burra në punë!

Ditën e parë u harruam në punë deri në orën njëzetedy.Të nesërmen,kur pronarët  kolauduan  autoveturën e riparuar nga ne ,e pelqyen punën tonë. Me  tërë ato paisje moderne në servis , ne na hanin duart për t’i provuar.Ditën e dytë e lamë punën me ustallarët vendas. Një nga punëtorët,pas pune ,u shkëput me usta Jorgon. Ne po ndërronim uniformat në gabinë  , kur zbarkoi  usta Jorgoja.

Merrni plaçkat! Do të flemë në motel, që të na bie shtati në qetësi! –  urdhëroi ustai.

Ne e shikonim të habitur.Biu fërkonte dy gishtat e dorës se djathtë, për t’i treguar se nuk kemi para, për të tilla salltanete.

Rrini të qetë! Ua thashë edhe një herë tjetër.Sa të jeni në Greqi ,nuk do ta futni më dorën në xhep!- u mundua të na qetësonte ustai.

Në një motel, aty pranë,  prenotoi për secilin nga një dhomë. Atë natë nuk dolëm të gjesdisnim jo nga lodhja, por sepse  shumë kohë na hëngri higjena përsonale. Hëngrëm diçka në këmbë dhe ramë top në gjumë.Ndërruam çere tërësisht. Të nesermen në mëngjez, me veshtirësi na njohu roja  , kur hymë në servis për punë.

Një rinush grek u lidh shumë pas usta Jorgos. Ata flisnin greqisht, ndërsa unë e Biu nuk merrnin vesh asnjë fjalë,por ishim shumë të kenaqur me urdhërat që na jepte ustai në shqip. Ai nuk na u nda me autoveturen e tij,  deri sa u larguam nga Athina. Nga dy mjeranë u bëmë skuadër me katër pjestar. Jani, rinushi grek, sipas porosive të ustai, në fillim na dërgoi te një butik.Të katërt blemë nga një kostum në ngjyrë blu, me tre këmisha të bardha, dhe tre kollare me kolor të ndryshëm .Gjatë rrugës, në një dyqan të madh, blemë nga dy palë këpucë, për merak të secilit.  Pa ardhur në motel i futëm një darkë vendshe në një buzuk, me muzikë direkt .Në motel provuam veshjet e sapo blera.Nuk thonë kot:”Veshja kopileshja.”Nuk e njohem veten kur u pamë në pasqyrë.

Historitë ,  që  tregoi  Biu gjatë udhëtimit, usta Jorgos i kishin mbetur në mëndje. Donte t’i shihte domosdoshmërisht  ato vende. Jani nuk shkonte më të flinte në shtëpi. Edhe ai zuri vend në motel sëbashku me ne. Kur ecnim  rrugëve, apo hynim në lokale të ndryshëm,binim në sy si katër burra shik .As  burrat, e  as  gratë e   nënave,  nuk mund të na dallonin   se cili ishte grek ,e cili  shqiptar.

Ne punonim shtatë ditët e javës  me orar  tetë me katërmbëdhjetë.Deri në orën shtatëmbëdhjetë, që kthehej Jani nga puna, hanim vendshe  dhe pushonim për shtatë palë qefe  në drekë, si në Tiranë . Sa bëhej gati Jani gazmori ,hipnin në autovetur dhe shetisnim në Athinë.I dinte të gjitha rrugët qerratai, pa pasur nevojën  e navigatorit.Nga kënaqësia nuk ndjenim lodhje.Atë gjesdisje në Athinë,nuk do ta harroj sa të jemë në këtë botë,prandaj e hodha në letër.Ata që njohin pensionistë energjikë,pavarësisht nga profesioni i tyre,do të gjejnë shumë pika të përbashkëta  me ustain tonë.

I vizituam muzetë me sira, nga antikiteti e deri te më të ritë.U futëm në lagjet e vjetra edhe të reja.Sipas karakteristikave te veta, secila  është më e bukur se tjetra.Një  të djelë shkuam edhe në stadium.Bëmë tifo për AEK-un,sepse Jani ishte tifoz i tij. Edhe tifozët grekë, sipas përkthimeve të ustait,i shanin në kor me nënë e motra,si në Tiranë,futbollistët për gabimet e tyre në fushë.

Ato ditë koha i humbi përmasat e saja. Në vetmi,mua dhe   Biut, ora na  zvarritej ngadalë-ngadalë. Enigma  e ditës se kur do të mbaronim punë,e stërzgjaste kohën deri në mërzitje. Me ardhjen e ustai, ajo mori ritëm.Natyrisht lodheshim më shumë,por koha dukej se fluturonte.Nuk e zinim dot as punën,e as qejfin,me satkësinë e orës,e bërë shprehi te ne. Zemrekun e kurdisi usta Jorgoja, në një kohë që shoqërija kërkon ta mbyllë në shtëpi, të gjithë atë eksperiencë e energji, qe mban fiziku i tij. Më duket  se nuk është praktikë me mend.Në një anë ankohemi për mungesë  specialistësh ,në anën tjetër eksperiencen kërkojmë ta mbyllim në apsana, me shtatë dryna. Luks i madh për një shoqëri të varfër si e jona.

Ku doni t’u çoj sonte?- na pyeti Jani me dashamirësi.
Ti e di? - ia kthen ustai.
Çfarë më pelqen mua, nuk u kam lënë vend pa ju gjesdisur në Athinë. Keni ndonjë dëshirë të veçantë, që unë mund ta kem harruar?
Nuk na ke çuar ende te pjatat- ia kujtoi Biu.
Dëshironi të bleni pjata? Pranë motelit është një shitore për këtë punë.
Nuk duam të blejmë, por duam të shkojmë atje ,ku ju  grekërit thyeni pjata çdo natë,-  ju drejtua  Biu me seriozitet maksimal ustait.

Jani hodhi shikimin pyetes nga ustai.Me tundjen e lehtë të kokës, i dha mesazhin se është qejfë, por  me kosto.

Po. Ju kam thënë të mos shqetësoheni për para , se kemi mjaft!- dhe usta Jorgo zuri vendin e parë në autoveturë.

Nuk po e përshkruaj lokalin, se sytë më mbeten duke kundruar  usta Jorgo kur thyente pjatat. Në mimikën e tij shihja gëzim feminor  kur i hithte pjatat në dysheme dhe dëgjonte zhurmën e tyre të porcelantë. Pas zallamahisë, prishej në fytyrë. Brënda pak çasteve kalonte në dy ekstreme psiqike, sa edhe i madhi  Toni Kuin nuk mund ta imitonte.

Nuk po të kuptoj! Edhe gëzohesh, edhe hidhërohesh?- e gërgas në një moment qetësije.
Nuk e kupton që sonte nuk jam më Jorgoja? Që kur kam lindur, e deri sot, që jam gjashtëdhjetëepesë vjeç ,o më kanë bërtitur,ose u kam bërtitur fëmijëve,kur është thyer padashje një pjatë. Sonte , me mend në kokë, pensionist,t hyej me dëshirë  pesë pjata me një dorë!?
Pse mërzitesh më  pas?
Ai është Jorgoja i vertetë. Më dhimbsen pjatat kur thyhen. Kur na tregonte Biu, për të tilla lokale, unë mendoja gabim për patriotët. Me të dëgjuar, më dukej çmenduri. Tani që po e përjetoj , po konstatoj se është një çmenduri,por  me gëzim maksimal. Besoj se nuk kam lajthitur i tëri?

Në një lokal pranë shtëpsisë se tyre,  ftuam  familjarisht për darkë,  katër fëmijët  e ustait. Kaluam një natë të mrekullueshme.U kenaqëm më vogëlushët , prandaj nuk e vumë re debatin e Jorgos me dy djemtë e tij. Ata i ërkonin llogari  babait,se pse shpenzonte para për të fjetur në hotel,dhe nuk shkonte  të flinte ,me shokët  në shtëpinë e tyre të bollshme. Nuk e kuptonin djemtë babanë, që ai ato ditë nuk ishte më Jorgoja që ka qënë.

Një pasdite  e patëm të veshtirë për të vendosur se ku do të shkonim të englentiseshim. Edhe Biu, më i shetituri ndër ne , nuk po jepte ndonjë ide të artë. Jep e merr, në fund e ndau ustai.

Do të shkojmë të tubi. Je dakort ti Dane?- më drejtohet mua. – Edhe ne burra, si ai jemi.Nuk ka asnjë të keqe që do të shohim kërcimtaret e veshura fare  lehtë .
Nuk e shpreha këtë deshirë, sepse usta Jorgon, e  njohim  burrë më namuzë,- e thumboi Biu.
Ke mëse të drejtë në fjalët që thua.Ju a thashë edhe të pjatat, se Jorgon e këtyre ditëve, nuk po e njoh as vetë,- ju përgjigj ustai menjëherë.
Po të erdhi rëndë, na thuaj, se dalim menjëherë, - e tjerrte Biu.
Zinxhirët e moralit, më mbërthejnë aq fort,sa nuk kam qënë në gjendje t’i  këpus në rini.Për një natë,nuk ka asnjë mundësi t’u lë ndonjë shënje, o birameli , zoti Biu!
Të mos ma lësh mua fajin, më pas, - e qukte Biu ustain.
“Faji u bë qyrk e nuk e veshi kush.”Si ta merr mendja se do ta vesh unë me deshirë e sinqeritet? E vërteta është,se për  veprimin e sotëm, ti e ke fajin kryesor. Gjatë udhëtimit e përshkruajte aq bukur, sa mua më ka mbetur muzika  ,vetëm te ajo brimë kavalli , - qeshte me të madhe ustai.

 Kur i  dha Janit adresën ,se ku do ta kalonin atë natë, ai gati sa nuk fluturoi nga gëzimi. Hëngrëm diçka në këmbë, përpara se të hynim në lokalin me drita të kuqe. Meqë  ishim herët,ende nuk kishte filluar dyndja e meraklive për femra. Rreth një tubi, kërcimtaret me bikini sa më të hollë e transparent,sillleshin dhe përdrilleshin sipas ritmit të muzikës. Usta Jorgoja në filim i pa me neveri, ndërsa Biu me kënaqësi. Kur filloi të zbresë  mosha e damave, entuziazmi i ustait ngrihej  ngadalë- ngadalë, sa në fund te dy u  barazuan  në çakërqejfë. Me dëshira të ethshme, nxirrte euro nga xhepat, dhe i fuste me dorë të vet, ,në sytjenat e breçkat e kërcimtarëve.Argetimi ynë i kaloi përfytyrimet e krijuara nga rrëfimet e Biut. Në orën pesë të mëngjezit u kthyem në motel.

Ustai erdhi  pak i mërzitur, kur u kthye nga magazina.Na tregoi se kondisioneri i kamionit  prej  tre ditësh qe  riparuar. Punëtorët, kur e morën vesh se ne nuk dinim gjë, u qetësuan disi. Pronari nuk na ka lajmëruar, sepse ka menduar që kur të riparonim   makinat e planifikuara  për ne, atëherë të merrnim rrugën për atdhe. Disa specialistë në servis, e kanë marrë vesh mesazhin krejtë ndryshe. Kanë menduar se ishim punësuar njëherë e përgjithmonë.Nga frika se mos u zinim vendin e punës, qenë zemëruar padrejtësisht me ne.

Me gjithë qejfet që bëmë, ne nuk na rrihej më në Greqi.Na këputi malli për grua e fëmijë. Sa të   mbaronim  së riparuari ,autoveturën që e zbërhyem për riparim,mendja na u përqendrua:”  O burra sa më shpejt për në Tiranë” .Nuk donin ta bënin si lopa e “mirë”,pasi e mbush kusinë me qumësht, i fut një shqelm dhe e derdh të gjithë. Propozimin tonë edhe pronari i servisit e pranoi me mirësi.E lamë punën si zakonisht, se e pamë që nuk e përfundomin riparimin e autovetures luksoze  atë natë.  Nuk ka asnjë kuptim të punosh me nxitim në një makinë luksi.

Ne motel  u muarëm më përgatitjen e plaçkave  për kthim. Padurimi i nisjes për në shtëpi dukej qartazi në fytyrat tona.Jani i mirë buzëqeshte me sforcim.Në një moment pushimi i drejtohem usta Jorgos:

Pse nuk i ndave paratë, me raportet si me ndihmësin?
Po t’i ndaja paratë, si zakonisht,jam mëse i bindur,se do të na aktivizohej në çast  virusi i kursimit,-  nisi të më sqarojë.- Ti e di se raportet me ndihmësin janë   gjashtë për mua e   katër për atë.
Ju na dhatë me shumë se na takonin. Ky është shqetësimi im dhe I Biut. Çfarë ka tepruar, ndonëse ma do mendja se kanë mbetur fare pak, mos i ndaj treshë,se ju duhen edhe para kur të  shkojmë në Shqipëri.
O Dane?- më drejtohet duke buzëqeshur. -Sa më shumë qendrojmë bashkë, aq më shumë me çudit!?

Në fillimet e njohjes më ka vlerësuar për kapadai, sepse më gjente  libra në makinë. Nuk e imagjinon dot  një shofer mik të librit.Ka gjetur në automjete gazeta , edhe revista pornografike. Bënte be e rrufe ,se  një libërz nuk ia ka zënë syri kurrë,në asnjë makinë si të re,apo edhe të vjetër.Kur i tregova se kam lënë gjimnazin në maturë, për t’u bërë shofer, u bind disi për miqësinë time me librin. Me këtë rast u sqarua edhe enigma e tij, sepse më vinte aq shumë për duar mekanika.

- O Dane!- ma ndërpreu rrefimin.- Ta them me shpirtë.Kam punuar një jetë dhe nuk jam englentisur  si keto ditë. Kurseva gjithe jetën dhe vrimat e shtëpisë nuk i mbylla asnjëherë. Nuk është paraja gjithçka.Nuk jam për shpërdorime, por edhe për ta lëshuar dorën ndonjëherë, me miqtë mirë, ka lezet për këtë jetë.

-Pse ndënje vetëm pesë ditë me fëmijët, ndërkohë që më përpara ke deklaruar ndryshe.?

-Meqë i kërkon të gjitha edhe unë po të tregoj me sinqeritet.

I permendi  premtimet e vjetra, se sa të dilte në pension do të zhvendosej në Greqi ,pranë fëmijëve dhe trashigimtarëve të tyre.Ato pesë ditë, në darkë, i mbushej zemra me gëzim kur shtëpija mbushej plot,ndërsa të nesërmen në mëngjez, kur ata shkonin në punë ,apo në shkolla,në vetminë e ditës ,tinëzisht,në  gjoks, i futej  trishtimimi i pensionistit.Kur djali i ka treguar, se ne ende nuk ishim nisur,deri sa erdhi e na takoi,nuk i ka ndenjur më bytha në një vend.

Jam  edukuar me punën, që në fëmijëri, - dhe më tregoi duart tërë kallo.- Sa të jem mirë me shëndet nuk do ta pranoj  pensionimin si koncept. Jam i bindur , që nuk kam për të rrojtuar sa kam jetuar, dhe koha që më ka mbetur, nuk e ka bukurinë e të kaluarës.Tani, nuk e di ,nëse më jep të drejtë që këto ditë kërkova të dal nga Jorgoja  i vërtetë? Fitova ca para, të pa parashikura, me shokët, që me shoqëruan deri te shtëpija e fëmijëve. Ti më thua na dhe shumë. A ke mend të tjera, more burrë?
Veprimet tuaja na erdhen mbarë. Ne ishim dy qyqe, që prisnim riparimin e kondisionerit, me xhepa të zbrazur, sepse po zgjatej koha e riparimit. Nga ai mjerim na nxorrët ju. Me energjitë tuaja krijuat një skuadër me katër veta,me slloganin:”Punë e qejfe sa të kemi takat”.Usta Jorgo mos u plaksh kurrë, sepse për ju ka nevojë  familja ,por edhe  shoqëria!- dhe tokëm duart me sy të vesuar.

Të nesërmen, në orën trembëdhjete ,i mbaruam punimet në autoveturën luksoze. Unë me Biun, shkuan në motel,per të bërë dorëzimet,ndërsa ustai,me Janin,u drejtuan te zyret, për të bërë adetet  e fundit. Ora kaloi dhe ata dy nuk po dukeshin.Filluam edhe të shqetësohemi për vonesën e pa justifikueshme. Biu, për të më qetësuar,ia fuste ndonjë rromuze. Mëse fundi erdhën.Të  dy qenë të gëzuar.

Nuk na lënë te ikim sonte, - filloi të tregojë me zë të ulët ustai.- Ju thashë edhe atyre, se jeni ju që i vini vulën kësaj pune.
Pse?- nuk ju durua Biut.
Pronari na ka ftuar të katërve për darkë sonte. Mendoj, të mos ia prishim këtë dëshirë, - rekomandoi ustai i mirë.
Thuaji nga ana e jonë, se të tilla dëshira, sa të jemi gjallë,unë e Biu, i respektojmë në maksimum.

Me ta përkthyer Jorgoja në Greqisht, Jani gazmori, fluturoi për të derguar fjalën tonë te pronari. Erdhën na morën që në orën nëntëmbëdhjetë me një mikrobus, i cili u mbush edhe  me  përsonel  të servisit.

Lokali luksoz ndodhej në breg të detit. Në atë fund shtatori, deti qe si liqen. Aroma e kripës dhe e jodit vinte deri te veranda ku u ulem ne.Rreth tavolinës nuk bëheshim më shumë se pesëmbedhjetë veta.

Bisedën e hapi pronari i servisit, që ishte në moshë me mua, tek të pesëdhjetat. E nisi mirë sepse e lavderoi punën tonë. E zgjati pak, kur filloi të krekosej  për arritjet tija në bisnes. Nga ana e jonë përshendetjet ia  dha usta Jorgoja. Doli gjatë bisedave,se atë darkë, pronari e shtronte për të mbyllur keqkuptimet me punëtorët e tij.Pas ceremonisë biseda u bë më  e lirshme. Një nga vendasit e nisi një anektodë,për marëdhenjet e grekëve me shqiptaret,por pronari nuk e la ta vazhdoj.Mirë beri, sepse po të niste Biu të rrefente,vetëm ato që na tregoi rrugës,kush e di se si do vinte puna.

Me Biun qemë më pak aktiv, sepse  mosnjohaja e gjuhës greke na pengonte . U zgjidhëm , kur pronari dhe dy punonjës  filluan të komunikojnë në anglisht me ne. Biu nuk mbahej më. Për ta kuptuar tavolina anglishten e Biut ,me theks tirans ,e përkthja  në shqip,me pas   usta Jorgoja e kthente   në greqisht.Më  vonë doli se edhe dy nga mekanikët e flisnin bukurmirë shqipen.Se çfarë u tha atë natë, në tre gjuhë,të jeni të sigurtë, se mesazhi shkoi të gjithësecili.

Peshku është i shijshëm, sepse është i egër,- e lëshoi një Biu, si ekspert i detit.
Ku e more vesh ti tirons se peshku është i egër?- i ndenji gati ustai.
Më kanë thënë peshkatarët durrsakë, për të cilët kam respekt shumë , kur peshku është në madhësi të ndryshme, haje pa frikë  se është i egër. Në rastet, kur ata janë të barabartë dhe të fryrë,si ishstudentët e shkollës së partisë, mos e fut në gojë,se të vjen si kashte, meqë janë peshq rezervati, - dhe Biu shihte usta Jorgon direkt në sy.

Kur sqaroi ustai se kush ishin studentat e shkollës së partisë, tavolina  gazmore u çlirua nga emocionet.  Biu, qe fiksuar atë natë në idenë, se puna nuk i njeh konceptet e kombësisë, nacionalizmit. Ajo kërkon pasion, profesionalizëm, ndershmëri dhe shendet,  për t’u bërë e cilësishme dhe e konkretizonte me jetën e usta Jorgos. Edhe ustai i mbante ison.E  deklaronte se është e vertetë që është grek ,por aq sa është e vertetë që   vëllezërit  i ka shqipëtar.U pranua nga të gjithë, se ka  shëmbuj të shumtë në Shqipëri    si usta Jogoja,dhe anasjelltas ka  shqiptar në Greqi . Në mesin  tyre ka edhe ndonjë te keq:”Pyllë pa derra nuk ka”,- themi ne shqiptarët.”Nuk është aspak e mirë që e keqja të përgjithësohet. Dashuria në mes dy kombëve, mitikisht komshi, duhet të përgjithësohet. Minoritetet, me ekperiencën e tyre dashamirëse, të përdoren si    ura lidhëse midis dy popujve .

Nuk mund të rrinte Biu më gjatë në seriozitet. Filloi të tregojë veprimet e ustait, te tubi, në raport  me femrat çakpkënë. Jani,  imitonte veprimet e Biut, kur ai mbushej me frymë. Imituesit ishin lart në interpretim.Edhe detajet e vegjël  sillnin të qeshura të pa frenueshme.Usta Jorgoja përkthente nga shqipja në greqisht,edhe anasjelltas,duke qeshur me sinqeritet maksimal. Në mesnatë, kur i erdhi ora e mbylljes së lokalit, dolëm buzagaz të tërë jashtë.

Në mëngjez u çuam si zakonisht.I gjithë kolektivi i servisit  doli të na përcillte. Na vesuan sytë të katërve ,kur u ndamë me Janin e mirë.Kur shkuam të takonim  trajlin me makinën , na prisnin dy djemtë e ustait.I kishim lajmëruar më përpara se atë ditë do të niseshim. U ndanë me mua edhe Biun me shumë respekt. U habiten kur i jati mori t’i qafojë si babai djemtë e rritur.Më përpara e kishin lënë qe babi do të rrinte për shumë kohë në  Greqi. Ustai justifikohej te ata,se ka lënë vetëm Sanon në Shqipëri dhe meqë ka dalë në pension, shkuarjet e ardhjet do t’i ketë më të shpeshta.

Pse nuk ndënje në Greqi?- e pyes ustain, kur po udhëtonim   për Shqipëri.
Sepse do të ndërhyj te Presidenti i Republikës, për të dekoruar zotni Biu, - më përgjigjet me seriozitet.
Me çfarë motivacioni kërkon të ma japesh dekoratën, - u fut Biu menjëherë, ndonëse  ishte në timon.
Për veprime  të shquara në argëtimin e pensionistëve. Në lokalin  te tubi, u binda, që për Sanon time ,nuk kam dalë ende në pension.Kjo qe arsyeja kryesore ,që nuk pat burrë nënë të më mbante më në Greqi, - bënte shaka gjatë rrugës usta Jorgo.

Nga hoteli në Korçë, dolëm  shumë herët në mëngjez.Nuk donin të takonim ndonjë mik korçar.Do të turpëroheshim. Asnjëri nga ne ,në xhepa nuk i gjendej ,edhe për be, një lek,apo një cent.

Sa të ketë shëndet,  Usta Jorgoja, pensionimin  nuk e  pranon  as si koncpet. Do ta gjeni duke punuar në servise si në Tiranë , apo në Athinë,sepse ai nuk i bën naze punës asnjëherë. Në vendet e qejfit shkon  me Biun. Eshtë i bindur, që nuk ia ka tregëur te gjitha vendet e qejfit, që ka parë ai  gjatë gjesdisjeve  në Europë. Dhe mbi të gjitha ,  ka besim ,se me humorin e tij brilant, nuk e lë të shkelë në dërrasë të ”kalbur”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat