Vargje të gërshetuara me dritën e ndjeshmërisë

Kultura

Vargje të gërshetuara me dritën e ndjeshmërisë

Nga: Baki Ymeri Më: 21 tetor 2018 Në ora: 19:29
Gjeografia e atdheut

Poezia e mirëfilltë është një formulë magjike. Ajo është zanë mali apo zana e ujërave, zana e zanave apo mbrojtësja e mrekullisë që mba në duart e saj krejt yjet e qiellit. Një poezi e mirë e mban në vete një univers. Kjo vlen edhe për autorin e këtij libri me konsiderata dhe vlerësime kritike për krijimtarinë e shkrimtarit të shquar shqiptar, Remzi Basha, autor i shtatë veprave dhe laureat i një numri të konsideruar mirënjohjesh për poezi dhe veprimtari kombëtare. Nga frymëzimet e tij lirike kuptojmë se një çast meditimi poetik është një ilaç i mirë që depërton në shpirt. Vargjet e Remziut janë të gërshetuara me dashuri dhe atdhedashuri, me ndjeshmëri dhe dritë, me sensibilitet dhe sinqeritet.

Remzi Basha është bashi poetik i mërgatës nordike. Sipas Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, bashi simbolizon pjesën e përparme të anijes ose barkës, apo pjesën më të mirë të diçkaje, pjesa më e zgjedhur, balli, ajka, lulja (Bashi i grurit, bashi i duhanit, bashi i leshit, bashi i  rakisë, bashi i djemve, bashi i vendit etj. Përmes komunikimit elektronik, bashi i shqiptarëve të Suedisë nuk është Remzi Basha, por Sadulla Zendeli Daja, por kur vjen fjala për poezi, Remzi Bashën e kemi bash, flamurtar dhe poetin më të mirë shqiptar në trojet e Skandinavisë. Autori shkruan me zjarrin e zemrës dhe shpirtin në buzë. Mendimet e tij janë të sinqerta, të thella dhe të mbrujtura me ilaç për shërimin e shpirtit. Meditimet, fluturimet dhe fjalët e tij, janë vërtetësia shqiptare e Kosovës që del në sipërfaqen shpirtërore të mërgatës shqiptare. Shpirti i Remziut rezaton mirësi, dashuri dhe atdhedashuri.

Autori i kësaj vepre është një shqiponjë që fluturon nga vendlindja në mërgim dhe nga mërgimi në vendlindje. Vargu i tij reflekton momentin që din ta ndalë kohën në vend, duke dëshmuar mençurinë që e zbukuron përjetë pranverën e fjalëve të tij, sepse, siç shkruan poeti: “Sot është e diel/ Dhe kam kohë/ Të vuaj më shumë”. Poetët kanë krijuar kohën dhe i janë përkuluar ritmit të saj. Në vargjet e Remzi Bashës, e shkuara, e tanishmja dhe ardhmëria gërshetojnë treshin e shenjtë të atyre që i pret përjetësia. Ai shëmbëllen me njerëzit e fortë që i bëjnë ballë dëborës, duke e prurë ngrohtësinë e zemrave shqiptare, duke e kërkuar kuptimin e stinëve të tjera, sepse sipas tij, vuajtja nuk është vetëm dhimbje, por ka edhe pak çmenduri.

Remzi Basha u lind më 1 Shtator 1960 në Sllapuzhan të Therandës (Kosovë). Shkollimin fillestar dhe gjimnazin i kreu në vndlindje, ndërsa studimet e larta i vazhdoi në Universitetin e Kosovës (Fakulteti i Historisë dhe Gjeografisë). Nga burimet prezente në veprat e tij, kuptojmë se që në rini të hershme merret me veprimtari atdhetare, duke qenë më vonë në ballë të demonstratave kosovare për liri dhe pavarësi, si pasojë e së cilës do të ndiqet, arrestohet dhe dënohet disa herë. Ishte kreator dhe udhëheqës i grevës së punëtorëve të “Ballkanit” në Suharekë (Therandë). Si pasojë e përndjekjes, pas shpërthimit të revolucionit antikomunsit do të shpërngulet së bashku me familjen në Suedi, për të vazhduar edhe atje veprimtarinë intenzive në favor të kauzës kulturore dhe kombëtare shqiptare, duke dhënë kontribut të pashoq në fushën e arsimit, si mësimdhënës i mësimit plotësues në shkollat shqiptare të Suedisë. Në ndërkohë (1991/1995) ka qenë kryetar i degës së LDK-së për Katrinaholm, duke dhënë kontribut për Qeverinë e Kosovës edhe në rrethin e Malmos.

Që nga viti 1995 deri më 2000 punoi në kryesinë e Shoqatës Kosova, duke qenë në ndërkohë revizor i kësaj shoqate. Së bashku me Vitore Stefa Lekën dhe njerëzit e saj, ishte iniciator për themelimin e degës së Lidhjes Shqiptare në Skandinavi, ku është sekretar i kësaj dege, duke qenë njëherit organizator i grevës së urisë që u mbajt në Malmo për të sensibilizuar opinionin suedez lidhur me diskriminimin e shqiptarëve të Kosovës nga pushteti serb. I nderuar para disa vitesh me Çmimin Njeriu i Vitit, Remzi Basha merret me krijimtari letrare në mënyrë aktive, duke botuar disa vëllime poetike, si dhe një roman me subjekte atdhetare.

(Di)Ademat, Merrmë me vete, (Ri)ngjallja e atdheut, Zëri i Kosovës, Në tokën amë, Nusja nga Çamëria, Zjarri në duart e mia, Fire in My Hands (në gjuhën angleze), Gëzimi i ëndrrave, Kongresi i Lidhjes Shqiptare në Botë, Gjeografia e atdheut dhe Alfabeti i atdhedashurisë, janë disa nga librat më të njohur të autorit kosovar me banim në Suedi, Remzi Basha, prezent në disa antologji poetike dhe i nderuar me disa numra të revistës „Shqiptari” në Bukuresht. Për veprat e tij që e kanë parë dritën e botimit në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë janë shkruar e botuar disa reçensione me konsiderata të përzemërta. Në veprat e tij ndjehet ndjenja shqiptare si bërthamë lirike dhe patriotike. Novalis thekson se „Njeriu është një diell. Planetet janë ndjenjat e tij.” Poeti mediton dhe shkruan me zërin e zemrës, me dhimbje, me ndjesi dhe brishtësi: „Sërish atdheu/ Shumëzohet në copa/ Ndahet në Toka. Atdheu/ Kur digejt përbrenda/ Hiri i eshtrave/ Ngjitet rreth zemre.”

Të flasish për poezinë dhe sentimentin, duket një subjekt i njohur dhe i pranuar, kurse simbioza e këtyre dy elementeve duket e kuptueshme. Në të vërtetë, nuk mund të mohohet raporti i poezisë pa prezencën e sentimentit. Poezia lirike nuk mund të krijohet pa emocione, ndërsa emocionet janë dhunti e lindur, e kultivuar dhe bekuar e poetit të mirëfilltë. Në çdo veprim njerëzor dhe në çdo aktivitet, shqiptari i Suedisë e afirmon sentimentin si një shprehje e angazhimit të tij personal. Ndjenjat e tij shndërrohen në një veprimtari të bujshme artistike, duke i dhënë prioritet meditimit dhe moralitetit. Mendimi dhe veprimi të japin shansin të krijosh dashurinë ndaj së bukurës dhe pasionin për art. Mendimi dhe moraliteti i artistit depërtojnë në art, siç depërton në art edhe ndjenja, respektivisht sentimenti. Kështusoj, bota shpirtërore e krijuesit, si mënyrë personale për të menduar, ndjerë dhe krijuar, krijon vlera letrare dhe njerëzore të denja për t’u mbajtur mend.

Vlera lirike me konotacione erotike dhe patriotike

Lirika e Remzi Bashës karakterizohet me një diskurs të ri që ndërlidhet me realitetin historik. Në të vërtetë, poezia është jo vetëm një ndjeshmëri personale, por edhe një fakt historik. Rezultati final i saj është hijeshia. Poeti din të depërtojë në shpirtin e lexuesit duke u bërë bashkëkohanik i tij për krijimin e një rilindjeje të përjetshme. Ai komunikon me realitetin për të qenë i kuptuar dhe për të ndriçuar mendjen dhe shpirtin e lexuesit me fuqinë dhe shpejtësinë e një vetëtime. Poezia e tij ka një qëllim fisnik, për të depërtuar në zemrën e lexuesit me zërin e zemrës. Jeta në plotëkuptimin e saj është një dokument historik, ndërsa poezia është vetëm një ndjenjë, ndjenja për përjetësimin e historisë me argumentet e dashurisë dhe atdhedashurisë. Ja pra, justifikimi i titullit të kësaj vepre: Gjeografia e atdheut dhe alfabeti i atdhedashurisë.

Poeti është një fotograf i universit njerëzor dhe kozmik që e rrethon. Zëri i tij është lava lirike që shpërthen në vargje. Në vargjet e Remziut defilon jeta shqiptare e gërshetuar me nostalgji dhe mallëngjim. Jeta vjen e shkon, njësoj si paratë, kurse librat mbeten, njësoj si fjalët e Lasgushit: Pas çdo gazi e hidhërimi, mbetet vetëm kujtimi, ah dhe i shkreti mallëngjimi. Autori ka një fantazi të veçantë krijuese. Fjala e tij poetike ka një bujshmëri semantike. Lirika patriotike dhe ajo erotike kanë vlerat e veta të denja për deshifrim dhe afirmim. Fjala është zotërimi i botës së fshehur të vetëvetes. Fjala e shprehur me elegancë, me mençuri dhe ndjeshmëri, ka një fuqi të jashtëzakonshme magjike. Poeti din të manipulojë me fjalët dhe t’i zotërojë ato. Portretin e parë për këtë sokol Kosove e ka qëndisur Drita Braho nga Berati. Vlen të citojmë dy vargjet e saj emblematike: Kur flet vëllai nga Dardania/ Dritë e jetë merr gjithë Shqipëria.                     

Sipas Namik Selamnit, Remzi Basha me krijimtarinë e tij poetike, në prozë, në publicistikë dhe në fushën dokumentare, i përket brezit të devotshëm të shkrimtarëve të diasporës. Është një përfaqësues i denjë i një brezi krijuesish që prej vitesh, edhe pse jetojnë larg vendlindjes, në jetën e Perëndimit kudo qoftë, në Itali,  Greqi, Gjermani, Zvicër, Angli, Amerikë, apo edhe në Suedi ku banon aktualisht  ai, vazhdojnë të ushqejnë me artin e tyre kroin e dashurisë për  vendlindjen.

Është një degëzim bukur i shëndetshëm që tregon njëkohosisht edhe forcën e fjalës shqipe, por edhe atë kontratë të përjetshme që ata e kanë bërë me vendlindjen, me detyrimin shkronjor dhe patriotik, që ata kanë ndaj saj. Dhe kur  është fjala për Kosovën, kjo gjë është shumë më tepër e spikatur se çdo komunitet tjetër në Europë. Një nga meritat më të dukshme të kësaj krijimtarie është edhe edukimi i një brezi të ri që ka lindur dhe është rritur në këto vende, e që ata të marrin përherë atë ushqim shpirtëror dhe kulturor që ndërlidhet me atdheun e tyre, kudo qofshin në trojet shqiptare, në Shqipëri në Kosovë, në Maqedoni e më gjerë.

Sipas Riza Lahit, Remzi Basha, poet dhe patriot, bën pjesë në atë grup kosovarësh që synon që të bashkojë shqiptarët me njëri-tjetrin, nën palët e flamurit kombëtar. Ky njeri me pamjen prej lufëtari, ka një zemër kaq të madhe sa të pranojë në zemrën  e tij të gjithë shqiptarët. Unë tund kokën i menduar kur lexoj poezitë  Remzi Bashës. Çka thot Drita Braho për këtë poet të talentuar? „Burri i Kosovës, edhe pse larg nga vendlindja, shkruan për tokën amë. Portat e krijimtarisë janë të hapura. Kosova e Çamëria zgjojnë tek ai pasionin për të shkuar më tej. Jo drejt një të panjohure, por drejt një të  njohure që kërkon zgjidhje, ndaj ai gërmon data, fakte për fatet e kombit të tij. Pena e Remziut shkruan për dhimbjen, dashurinë dhe shpresën e popullit të tij. Tani Kosova përjeton rilindjen e saj dhe kjo e bën poetin të rilindë në vargjet e tij, duke e ndjerë zërin dhe duke prekur me elegancë dhimbjet e vendit që ka përjetuar traumat e historisë.” Dhe më tej:

“Zëri i Kosovës” sjell pranë nesh zërat e trimave të patrembur, vajin e nënave që lindin heronj, afshin e vashave të etshme për dashuri, klithjen e fëmijëvë të lindur nën tingujt e një kënge. Krijimtaria  e poetit vjen gjithmonë duke u përsosur. Remzi Basha është shqiptari që ua mëson gjeografinë e atdheut dhe alfabetin e atdhedashurisë nxënësve të tij në një shtet që ka mbështetur fuqishëm Kosovën, siç është Suedia. Fjala e poetit lind nga një ëndërr ku shfaqet shpata e Skënderbeut që bie në duart e heronjve të Dardanisë ku malet prekin qiellin, zogjtë hedhin valle, ndërsa bimët mbijnë si një përrallë me vasha shamizeza që tokës ia shërojnë plagët.

Në kuadrin e kësaj parathënieje, vlen të përkujtojmë faktin se Remzi Basha jep një portret briliant për zanat e Kosovës: „Nuset tona janë përherë nuse. Ato nuk plaken kurrë dhe gjithmonë rrinë në pritje: me pajën flamur, me zjarrin në gji, të egra, të buta dhe ziliqare. Vetë Penelopa duket të ketë qenë shqiptare. Dasma shqiptare nuk i ngjiste pranverës së parë. Ajo solli shumë zogj, shumë këngë, shumë lumenj. Zogjtë ishin më të bardhë, këngët me daulle, lumenjtë me valë, e dielli me zjarr. Edhe dashuria shfaqet në formë zogu, bie në krahëror si një degë lisi, ikën prapë bashkë me gjethet pas vete, lë një rrugë të zbrazur, plot shi, dashuria ime për ty.”

Diploma, mirënjohje dhe falënderime

Për krijimtarinë letrare, Remzi Basha është nderuar me shumë diploma, mirënjohje e falënderime, nga të cilat po i veçojmë: Fletëfalenderimi nga LASH “Naim Frashëri” dega në Suedi, Poeti i vitit 2011, nga Redaksia SHQIP DK. (Drejtor, Luigj Shkodrani), Mirënjohje nga Shoqata e Shkrimtarëve Suedezë, i vetmi i pranuar si poet shqiptar, Mirënjohje nga Gazeta “Republika” për librin  “Në tokën amë”, Mirënjohje nga Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni” në Borås, për kontributin e dhënë në ruajtjen dhe kultivimin e kulturës dhe traditës shqiptare në Suedi, Mirënjohje nga Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë „për kultivimin e poezisë shqipe në Suedi”, Mirënjohje nga Shoqata e Shkrimtarëve në Tiranë, dhuruar nga prof Murat Gecaj në Borås të Suedisë, me rastin e Manifestimit të 5 vjetorit të Shoqatës “Migjeni” dhe 4 vjetorit të Radios “Dituria”, Dekoratë („Titulli i Migjenit”) nga Shoqëria Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, me motivacionin „Poet, publicist dhe intelektual i kalibrit të lartë, veprimtar i palodhur i çështjes kombëtare, i ruajtjes së gjuhës, kulturës e trashëgimisë kulturore të kombit” (Tiranë, 17 Tetor 2010).

 Remzi Basha nderohet në Suedi me çmimin Poet i Vitit. Pason një Mirënjohje nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë „Papa Klementi XI Albani” në Suedi, me motivacionin „Për kontributin e dhënë shumëvjeçar në shërbim të traditës, kulturës dhe krijimtarisë letrare e publicistike, autor i shumë veprave në fushën e poezisë dhe përkrahës i sinqertë në veprimtarinë e shoqatës sonë, si njëri ndër themeluesit e kësaj shoqate” (8 Prill 2017). Pas një viti, e njëjta shoqatë, në kuadrin e manifestimit „Malli Poetik”, e nderon edhe me një mirënjohje të re (20 janar 2018). Më 31 Mars 2018, shoqata „Papa Klementi XI Albani”, ia jep Shpërblimin e Parë në kuadrin e manifestimit „Sofra Poetike 2018”. Më 11 Janar 2018, Shoqata Kulturore Artistike „Jehona Shqiptare”, me nënshkrimin e Margarita Xhepës dhe Zamira Korançes, e nderojnë Remzi Bashën dhe Zonjën Afërdita Basha me Çertifikatë Individuale me motivacionin si bashkëautorrë të librit të I-rë „Antologji Poetike Kombëtare” 2018.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat