Salla koncertale, arkitektët akuzojnë Komunën e Prishtinës për mos gjetjen e lokacionit

Kultura

Salla koncertale, arkitektët akuzojnë Komunën e Prishtinës për mos gjetjen e lokacionit

Më: 23 tetor 2018 Në ora: 19:42
Pamje nga takimi i Asociacionit të Arkitektëve te Kosovës

Mos pajtimet për lokacionin e Sallës Koncertale dhe rrënimin e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia” po vazhdojnë edhe në mesin e arkitektëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Me qëllim të gjetjes së zgjidhjes më të mirë për këtë çështje, Asociacioni i Arkitektëve te Kosovës organizoi këtë pasdite diskutim profesional për Sallën Koncertale, ku u parashtruan ide se cili është lokacioni më i përshtatshëm për një sallë të tillë.

Kryetari i Shoqatës të Arkitektëve të Kosovës, Astrit Nixha tha se janë duke diskutuar për të gjetur një zgjidhje më të mirë për sallën koncertale.

Nixha: Komuna nuk po dëshiron të bëjë projekt -propozimin

“Kemi ardhur këtu për të diskutuar për një komunë, e cila nuk di ose nuk do për të kërkuar, ose për të paraqitur një projekt-propozim në fund”, tha ai.

E këtë nuk e mohoi drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova, i cili pranoi se ka pasur ‘çalime’ në këtë aspekt.

Rugova: Komuna e Prishtinës nuk ka ditur ndoshta të dërgojë përpara një projekt

“Po, pajtohem plotësisht me ty në lidhje me këtë idenë që s’jemi mësuar ende për të dërguar prej fillimit deri në fund një projekt, dhe kjo është ndoshta një prej arsyeve që na ka ndodhur që kemi aplikuar për një grand, e kemi fituar dhe pastaj rrugës diku e kemi humb kryet dhe ai grant na ka ikur. Në Prishtinë, shumë rrallë kemi arritur për të thithur fonde në këtë drejtim, bile komuna e Prishtinës kurrë s’ka bërë një gjë të tillë. Bile, u befasuan që komuna e Prishtinës ka kërkuar fonde për një sallë koncertale”, tha Rugova.

Ai u shpreh edhe lidhur me lokacionin që sipas tij duhet ta ketë salla koncertale. E sipas tij, “Gërmia” ka qenë lokacioni më i përshtatshëm sipas komunës së Prishtinës, ndërsa ai personalisht ka qenë kundër rrënimit të objektit në fjalë.

Ndërsa profesori i jashtëm në Departamentin e Filozofisë,  Astrit Salihu e quajti të vonuar debatin për ndërtimin e kësaj salle. Ai tha se nuk është as ‘kundër’ e as ‘për’ rrënimin e ish-objektit të Shtëpisë së Mallrave.

Salihu: Objekti i shtëpisë së mallrave nuk vlen për asgjë

“Unë mendoj se ai objekt nuk vlen për asgjë. Nuk i vlen askujt. E mira e së mirës është që të shfrytëzohen mjetet që i kemi në dispozicion, që po na i ofron bashkësia ndërkombëtare, në mënyrë që në atë lokacion të projektohet një sallë koncertale, e cila do të kapte disa momente asociative të atij objekti që ka qenë”, u shpreh ai.

Arkitekti Ilir Gjinolli tha se lokacioni më i mirë për sallën koncertale është Pallati i Shtypit, pasi është lokacion i hapur dhe nuk ka pengesa vizuale. Ai tha se Komunës së Prishtinës i mungojnë arkitektët, dhe kjo sipas tij është arsyeja se pse ka ardhur çështja deri në këtë fazë.

Gjinolli: Hapësira për 600 shikues vulos faktin se nuk do të ketë sallë tjetër

“Prej se ka shkuar Lulzim Nixha, drejtorët në Urbanizëm janë ndërruar dhe asnjëherë nuk ka pasur një arkitekt, përveç  Liburnit, i cili më shumë është marrë me ndërtimet pa leje që është një rezultat. Por, zhvillimi i qytetit nuk ka ndonjë rezultat. Unë nuk pajtohem me 600 shikues, se më së pari, nuk do të ndërtohet një sallë koncertale pas kësaj. Nuk mundet me atë strukturë, veç nëse rrënohet komplet”, tha ai.

Ndërsa muzikanti Ilir Bajri tha se ajo që mungon më së shumti është analiza, e cila do të përcaktojë më së miri se sa ulëse duhet t'i ketë salla. Sipas tij, një prej problemeve bazike është komunikimi shumë i dobët me komunitetin muzikor./N.Jakupi/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat