Në Bibliotekën Kombëtare “ Pjetër Bogdani” në Prishtinë u promovuan tri libra

Kultura

Në Bibliotekën Kombëtare “ Pjetër Bogdani” në Prishtinë u promovuan tri libra

Nga: Hasan Hasanramaj Më: 4 nëntor 2018 Në ora: 09:31
Kryesia e promovimit të tre vëllimeve të poetit pejan Agim Deskut

Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës në lokalet e amfiteatrit të Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” ne Prishtine ku u mbajte një ngjarje e kulturës - ku në pranin e shumë dashamireve të librit dhe të tjerëve u bë përurimin e tre vëllimeve të poetit  pejan Agim Deskut me titujt “Anatemë e pathënë”,”Universi” dhe “Fishtiane”. Shkrimtari i ynë i mirënjohur Sejdi Berisha duke folur për vargun si provokim i mendimit të thellë njerëzor, poetik dhe filozofik në mes tjerash tha:” Promovimi i librit është një rrumbullakim i një pune e cila dëshmon për rrugëtimin e njeriut, për fuqinë e të shprehurit dhe për cilësinë e mendimit krijues, që bashkë reflektojnë edhe atë bagazhin krijues por edhe begatimin e vlerave, e që fisnikërojnë gjithçka që është njerëzore, gjithçka që njeriun e bën ose duhet ta bëjë edhe të vetëdijshëm. por edhe të lumtur për rrugëtimin e vetë por - edhe të njerëzimit dhe të njerëzores. Në qytetin e Pejës, por edhe kudo tjetër, pra, edhe këtu në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, kemi pasur rastin, por edhe do ta kemi mundësinë që të jemi dëshmitarë i të arriturave - jo vetëm letrare, të cilat për fat të mirë nuk janë të pakta, duke mos llogaritur gjithmonë peshën e cilësisë krijuese.

Kësaj radhe të gjithë ne që jemi tubua këtu në Biblioteka Kombëtar, për ti  promovua  këto tri vepra të poetit dhe mësuesit të gjuhës dhe letërsisë shqiptare, Agim Desku, i cili jeton dhe vepron në qytetin e Pejës, në qytetin e Haxhi Zekës i cili njihet me historinë, me traditën dhe begatinë krijuese, me vlerat shpirtërore dhe kulturore në të gjitha fushat. Ndërsa, Agimi, është njëri prej atyre krijuesve i cili përveç se ka dhënë dhe po jep kontribut që vlerat e gjuhës dhe të letërsisë shqiptare të janë pjesë e pandarë dhe cilësore tek gjeneratat e reja, ai deri me tash, opinionit lexues i ka sjellë dymbëdhjetë libra, kryesisht me poezi, që janë sublimë e ndijimit shpirtëror, i vlerave poetike, por edhe mesazh i qëndrueshëm, jo vetëm për të mësuar dhe për t’i dashur vlerat dhe madhështitë e krenaritë kombëtare nëpër periudha kohore e historike, por ka arritur edhe të jetë një pelegrin i veçantë i tërë asaj që quhet rrugëtim jetësor. E tërë kjo, nëse e ravijëzojmë krijimtarinë e tij me disa fjali, i ngjanë hallkave të florinjta të jetës, në të cilat, si këngë shkrihet krenaria, dhembja, lumturia, qëndresa, por edhe mos harresa dhe e kaluara historike, të cilat, ai dëshiron të ia ofrojë lexuesit si fanar diturie edhe përmes vargut.

Në këtë kontekst, ai, edhe vetë rri i mbërthyer brenda këndimit edhe si protestë, por edhe si këshillë, edhe si edukator. Po ashtu, ai, historinë sikur e bën lapidar, në të cilin gjënë vend dashuria, pesha dhe rëndësia e kujtesës por edhe dhembja, të cilat gjëra, njeriut tonë sikur asnjëherë nuk i janë ç’kapur nga jeta. Opusi krijues i Agim Deskut, është diçka që ligjëron me gjuhën dhe arsyen e kombit e të atdheut, me ngrohtësinë, mallin dhe dhembjen e njeriut.

Image
Pjesëmarrësit e promovimit të librit me interesim duke përcjell fjalët e recesionistit Sejdi Berishës dhe të tjerëve

“Aty ku është pema e diturisë dhe e krijimtarisë, aty gjithmonë mbretëron madhështia dhe lumturia”

Nëse e analizojmë tërë krijimtarinë e tij, ai, përmes vargjeve dhe poezisë sikur na prezanton një hartë historie të një toke me veçantinë e vetë nëpër kohëra, një komb, i cili gjithnjë ngeli duke e mbrojtur, forcuar, duke e ndritur dhe lulëzuar vendin e vetë. Në këtë formë, poeti, edhe vargun e poezinë i bënë udhëtarë të përhershëm, por edhe pjesë të pandarë të krenarisë, të betejave dhe të faqeve historike, që jo rrallë përshkohen me vuajtje e dhembje, e që, edhe sot e kësaj dite u ngjajnë plagëve të pashëruara, që përherë apo në çdo kohë mund të kullojnë jo vetëm gjak.

Një rrugëtim të tillë këndimi e hasim edhe tek vepra, “Këngë ilirishte”, libër ky i cili reflekton kryeneçësinë e autorit, se ai dot nuk e heqë mendje as qafet krenarinë, qëndresën mbase edhe fatin me të cilin njeriu i tij dhe as atdheu, nuk kanë qenë asnjëherë të rehatuar, por gjithnjë me specifikën e jetesës, që edhe i ka kalitur ndër shekuj. Pikërisht për këtë arsye, edhe në poezinë me të cilën autori i prinë librit, “Ilirishte”, ku reflekton tërë ndijimin e tij shpirtëror për çdo fletë historie, për çdo pëllëmbë toke, për çdo rrugëtim, rrëfim që e përjetëson dhe madhështon të kaluarën dhe të sotmen, që në fillim na imponon moton dhe motivin e veprës por edhe të përplasjeve të tij shpirtërore dhe poetike.

Krijimtaria e Agimit e diktojmë madhështinë e shpirtit, por edhe qasjen e veçantë ndaj jetës ...

Ai, gjithnjë, por edhe tash, ka kënduar e këndon me peshën e arsyes, me dellin e arkitektit të fjalës së qëndrueshme poetike, por edhe me bekimin e ëndrrave për trojet shqiptare, të cilat cep më cep frymojnë, flasin, veprojnë e këndojnë e ëndërrojnë shqip. Këtë formë të këndimit, Agim Desku, sikur e ka formulë të vetme për ta ngritur peshën e shkrimit dhe të këndimit, por edhe të arsyes dhe të ndërgjegjes për ta ditur, njohur e ruajtur shenjtërinë e kombit dhe të atdheut, gjë të cilën e kanë bërë edhe krijues të shumtë nëpër periudha kohore shumë më të rënda e të vështira.

Duke i bërë analizë fjalës, vargut por edhe poezisë, tek  ky poet, vërejmë se ai ka arritur atë stadin e të shprehurit poetik dhe të mendimit filozofik, që nganjëherë, duke lexuar poezinë e tij, sikur përjetimi dhe dhembja shpirtërore u ngjajnë fisnikërimit specifik të prangave të mendjes dhe të unit, që ngushtojnë e ngushtojnë e të sjellin gjer në pëlcitje, e cila pastaj na “detyron” mësimin e historisë, nëse atë nuk e kemi pasur pranë mendjes dhe zemrës, pikërisht si domosdo për ta njohur vetveten por edhe hartën e dhembjes, të asaj historie që quhet tokë e atdhe. Një mesazh, metaforë dhe hidhërim i tillë i stërholluar, sikur i ngjanë fjalës së urtë, e cila herë të mëson e herë të therë gjer në palcë, reflekton tërë atë peshën e ndërgjegjes së krijuesit, i cili gjithnjë dhe pa u lodhur ka ligjëruar e ligjëron për diçka që ka aromë dashurie, peshë të dheut e atdheut, frymë ta pathyeshmërisë, se asgjë nuk harrohet por as nuk ligështohet për përjetësimin e asaj që duhet të jetë e përjetshme, që dëshmon dashurinë dhe fanatizmin për lirinë.

Duke lexuar këtë gjerdan librash, vërejmë se ky autor, natyrisht se nuk lë pa theksuar dhe pa i vënë në varg vlerat e luftës, të secilit që dha jetën për liri, që kjo nuk nënkupton vetëm në luftën e fundit por gjithnjë e përherë gjatë periudhave kohore e historike. Dhe me krenari, jo vetëm se vargëzon, por edhe në shpirt e përjeton atë që ia ofron lexuesit si dëshmi e përjetime. Vlen theksuar se ky krijues, veçanti këndimi e ka të pikatur edhe dashurinë si temë të moçme, e cila ndër shekuj shprushet dhe kurrë nuk zbulohet dhe as nuk shijohet deri në fund. Për këtë, edhe kjo temë i ngjanë desertit, ëmbëlsirën e të cilit askush nuk di ta shpjegojë drejtë as saktë…

Dhe krejt në fund, mund të themi se ndijimi shpirtëror i shprehur përmes këndimit poetik nuk është vetëm këndim i thjeshtë apo vetëm varg poezie. Përkundrazi, tek krijimtaria e Agimit e diktojmë madhështinë e shpirtit por edhe qasjen e veçantë ndaj jetës, ndaj asaj që njeriun e bën në të njëjtën kohë edhe të lumtur edhe madhështor edhe atëherë kur ka mall e dhembje. Këta, nëse mund të thuhet faktorë, reflektojnë edhe nivelin e mendimit filozofik të zjarrmisë së shpirtit, dhe kështu vargu e poezia qëndrojnë gjithnjë vertikalisht dhe si përjetësi...

Friedrich Nietzsche, thotë: “Aty ku është pema e diturisë dhe e krijimtarisë, aty gjithmonë mbretëron madhështia dhe lumturia”. Rreth promovimit të tri librave të Agim Deskut do të beje fjalë edhe ne vazhdimin e dyte.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat