Shpirti shqiptar i një poeti të mirëfilltë

Kultura

Shpirti shqiptar i një poeti të mirëfilltë

Nga: Baki Ymeri Më: 5 nëntor 2018 Në ora: 00:45
Kopertina

Poeti vjen nga largësia apo nga tanishmëria prezente dhe shkon në ardhmëri nëpërmjet gëzimeve e shqetsimeve dilematike të fiksuara nga historia. Që të mos mbetet i vetmuar, atë e lexojnë, e inkurajojnë, e ndjekin dhe mbështesin njerëzit që gjatë kësaj rruge t’u bëjë ballë rreziqeve, duke i dhënë impuls për të vajtur nga drita në dritë. Poeti është prezent në destinet e atdheut dhe ai ndikon që jeta të përfitojë kuptim në hipostaza të ndryshme. Për çdo ditë, duke u ngjitur, ai afrohet pranë zhurritjeve të mëdha bashkëkohore, duke mbajtur shëmbëlltyrën e botës së ëndërruar përmes kohës së tij, duke qëndruar kështu në ballë të turmave, njësoj si dëshmorët e kombit. Pa poetë dhe pa heronj, historia duket e ftohtë.

I këtillë duket edhe autori që kemi zgjedhur për rikëndim në gjuhë të huaja, poeti Xhemajl Rudi, poeti i natyrës shqiptare, pronar i një imagjinate të bujshme dhe diskursi të përsosur poetik. Ja disa sintagma joshëse dhe interesante: Lumturia është vetëm një lot i çastit, Dëshirat e çmendura, Në kohën e fundit kemi filluar të qeshim pa dashje, Si mund të vdesë kënga e poetit, Lëvizjet rrjedhin në shtigjet e  fjalës, kurse në pikëllim është loja e jetës, Bregu i fjalës në bregun e shekujve, Lugina e harrimit, Pema e mbrëmjes kur hëna buzëqesh në dritaren tonë, Bregu i blerimeve, Stina e flijimeve kur nata fundosej te kandilat e dritareve, Tingujt e heshtur dhe heshtja e heshtur, Në pranverën e zemrës sime me peshën e rëndë të natës…

Xhemajl Rudi ka një stil të veçantë, të drejtëpërfrejtë, pa u fshehur në shpinë të fjalëve. Lirika e tij është shprehja konkrete e një realizmi të qartë, të kapshëm dhe të mirëseradhur. Një lirikë komplekse, e guximshme, pa paragjykime, e kuptueshme, mbresëlënëse dhe e ndjeshme. E injoron konzervatizmin dhe e përshkruan jetën në kuptimin  pozitiv, pa u ndarë nga vendlindja, pa i harruar të parët tanë, apo ëndërrimtarët e pavdekshëm (Lasgush Poradecin, Migjenin, Dritëro Agollin etj.). Ja një varg që meriton të mbahet mend: “Pranë Lasgushit janë ëndrrat magjike// E këngët e tij prej motesh shkrepin nën yje/ kur zgjohen gjithë bukuritë e tokës e të qiellit bashkë“ (Shtatorja e fjalës).

Image

Poeti ëndërron për një mot të madh e të mbarësuar me „Diellin që përsëritet mëngjeseve,/ luleborën duke e kërkuar,/ rrezet pastaj fillojnë e zbehen,/ pas tyre vërehet një pëllumb duke fluturuar.“ (Me syrin tim shikoj). Në vargjet e tij, të shkruara me zërin e zemrës, zotëron natyra, optimizmi, shpresa, ëndërrimi: „Pranë bukurive jemi gjithmonë/ nesë i shohim me syrin e zemrës/ me to flasim me to jetojmë/ si ëndërrime mes kopshtit me mollë“ (Nëse). Tek-tuk zotëron lirika meditative e gërshetuar me filozofinë e jetës. Hija e heshtjes është një nga vjershat më të bukura të autorit: “Ai hesht në heshtjen e tij/ hesht në hijen e heshtjes/ hesht në fjalën e pathënë/ hesht kur këndon si këngëtari i kohës nën tingujt e heshtjeve“. Apo: „Zgjohu o i përgjumur/ në paraagimet e shekujve të errësirave/ dashuro si dashurohet në hijen/ e një hëne që duket dhe fshihet matanë“ (Zgjohu).

Natyra, respektivisht ambienti dhe dashuria zënë vend elementar në lirikën e Xhemajl Rudit: „Në mëngjes shtrihej drita/ Në ftyrën e saj/ Dhe pas saj shtrihej hija e tij/ E gjatë sa dita e plotë e buzëmbrëmjes„ (Në agun e ri). Apo: „Ti këngët i këndoje si pasionet e jetës/ aty ku ishte dashuria e vjetër dhe sublime/ aty ku ndizej kandili në përmasën e shtegut të saj/ më pas dëbora të dëbonte në ngricat e fjalëve të zemrës“ (Ëndërrime). „Nga fjala mund të dalë një bekim/ Nga fjala mund të çelë një trëndafil/ Nga fjala mund të lindin yjet që shkëlqejnë më shumë se dielli“ (Flatrat e fjalës). Siç duket, për këtë krijues të talentuar të diasporës sonë, investimi më i madh vjen nga shpirti. Është shpirti shqiptar i një poeti të mirëfilltë që meriton të depërtojë në bibliotekën e zemrave tona.

Poezi nga Xhemajl Rudi

KOSOVA E KA NGJYRËN E GJAKUT TË DËSHMORËVE TË SAJ

Shqipëria e Bashkuar është fati ynë, apo ne jemi fati i Shqipërisë së Bashkuar! Para njeriut të gjitha udhët janë të hapura. Varet se cilën udhë ai e zgjedhë. Ai që është më pranë dritares e sheh natyrën më mirë. Shumë rrallë popujt janë udhëhequr nga të mençurit! Përpara fjalëve të mëdha unë e preferoj modestinë, sepse është më njerëzore! Ai brez rinor që nuk i le gjurmët e tij në kohën e vet, mund të quhet brez i humbur! Shqiptari, si burri ashtu edhe gruaja, janë të dinjitetshëm në jetë, me fisnikërinë e shpirtit që e patën, që e kanë dhe nuk përkulën. Edhe në çastin e vdekjes ata nuk e zbehin krenarinë e tyre.

KOMBI
Kombi është sofra jonë e përbashkët
Atdheu është oxhaku ynë i ngrohtë në çatin e diellit,
Me sy në dritare, me derën e kohërave
Me përpragun e jetës e përtërirjeve të pafund
Gjuha jonë e shejtë është kulturë e gjerë e pasur e thellë
Ku heronjtë e dëshmorët janë nën një flamur me shqiponjë.

(2013)

Niko Stylos

NJË POEZI SHQIPE

(3.600 vjet e vjetër)

Ægri ?lëqëgji, ælë e uisi,

æ shëγë krëthi piævëgëti,
a shë læi ægræi

e shæ ulëqëmi pæ vë jëti.
Æi grëji çëpëji, piævëgi këmëthësi,

glëγë thjeuii,
këgliji shë zëdhi, e fla aiji:
Kë du mi,

mbëvë brësi e mbaæi urrënxhëti.
Shë këçænji glëγë këçi,

bëshëlëdhi o fla glimuti,
cëlë nxhësi e Ægrëmi æ mbëtë Osi.

-

Të Egrit ujk, të drobitur e të uritur,
iu zgjidh kërthiza duke pyetur,
kur lihte egërsisht

dhe kur angullinte pa përfillur kohën.
Cjap i lartë, me lesh të rrallë,

gjuhën duke thyer,
me të kënduar si egërsirë i thirri atij:

ç’dashke tjetër,
ndale ulërimën dhe përmbaje zemërimin.
Si kërcimtar gjuhë kërce,
zgjidhu dhe thirr tingëllimat,

ato që zbuloi i Egri i bërë i Madh.

DJEPI I PËRJETËSIVE

Ti je Flamuri ynë
Ti je shkaba e krejt kohërave
Ti je simboli i krejt luftërave
Ti je flamuri i krejt agimeve
Ti je ëndrra, je dëshira, je vetë kenga
Ti je ngjyra e gjakut tonë, e lirisë sonë
Ti je dheu, je guri ynë, je qielli n`pamje hënore
Ti je i lashtë sa vetë toka, sa fryma, sa fjala e parë
Ti je dritë e shpirtit tonë, jehonë dhe male me kurorë
Ti je lum dhe det i vjetër, varkë kandilash përmbi valë
Ti je eshka e nëndheshme, ti je vrulli i çdo stine
Ti je krenare e tana moteve, je në fronin e Kastriotëve
Ti je djepi i përjetësive, i fitoreve, i shkëlqimeve, i ardhmërive
 

GJUHA SHQIPE
Gjuha shqipe gjuhë shqiponje
n`shpirt të saj është pishtar drite
n`mendje t`artë është këngë e dije
e latuar e lëmuar yje më yje n`shtat hyjnie

Gjuha shqipe si një mot që s`perëndon 
që s’ka fund që s’ka shuarje si vet gjaku arbëror 
e ndër shekuj ka qëndru pa u shu
n`duart t`arta të shtatë hyjnive është beku 

Gjuha shqipe ka piku në sytë e kaltër të një dite
si një dhimbje n`tinguj drite ajo ka nisë me këndue
si nën vallën e shqiponjës dheut të moteve u jetësue
e ka marrë ngjyrën e fjalës të gjithë shekujt i ka pagëzue....
 

NË HONET E THELLA TË NATËS

U bëre ujë në lum
Shkumë u bëre përjetësisht
Ëndërr drite dhe kurorë qielli
U bëre valëzë e tana moteve
Tu rrjedhë papushim në ritme të ndryshme
Si përjetësia si vdekja që kalon në amshim
Si stina e blertë 
Në tokën e mundimeve ku janë kopshtet më të mira
Ku qielli errësohet dhe ndritin yjet e shpresave të mëdha
Ku hëna hënëzohet në flijimin e kohës si nëpër retë e hirta
Në sytë e shkëlqimeve të saj u trete matanë në honet e thella të natës
U bëre hije në ujë hënëza
Dhe shkumë në lum si qielli njësoj i kaltër me ngjyrën e reve të bardha

MËNGJESI I NËNTORËVE
Erdhi mëngjesi një herë
kafenë e pimë të ngrohtë,
e zezë ishte si koha e shkuar
e hidhur si shekujt.
Një diell lindi në dritën tonë
dhe mëngjes i thamë,
e thirrëm si një rreze të re 
që përthyhej si vitet 
kodrave e lugjeve të ëndrrave,
ku e gjelbërta ishte në ngjyrën e kuqe
të pëlhurës së shekujve.
Ndriçimi e vuri në erën e re
sipër pemës së lirisë,
te shkëmbi i të gjitha kohëve 
ku gjethet binin në prehërin e vjeshtës 
e valëviteshin sipër reve të dendura 
mbi rrebeshe e trishtime motesh
në dritën e zjarrit të nëntorëve.

(Nëntor, 2007)
 

TRINITETI KOMBËTAR

I gjithë shqiptarëve, i gjithë brezave,
që kaluan dhe mbijetuan të gjitha shekujt.

Triniteti i shqiptarizmës ndër shekuj

Në emër të Atdheut tonë të shejtë
Të gjuhës sonë të artë e të bukur shqipe
Të flamurit të përjetshëm të Gjergj Kastriotit
Pastë Bekimin dhe Uratën Kombi ynë

I mirë dhe fisnik për gjithë jetën!

(Tetor, 2008)

TEHU I BRISKUT

Në tehun e briskut vije një natë
pa dritë, pa zhurmë, pa zë
si hije e errët e ndjerë e marrë
si tehut të hënës së re në qiell
brisku vezullonte si një kohë e egër
rrëshqiste ëndrrës si në shtratin e pasionit
dhe macja ishte strukur pas deres
dhe qeni ishte tu fjetë i përhumbur në qoshen e dhomës
Në xham shihej nje drapër i hollë atje ne qiell
i zbehtë ishte si dëshira e hijes së rëndë
në gjethet e pjergullës pikonte vesë
vesë në gotën e qelqit të artë si një përrallë
Dhe vije pa sy, pa gojë, pa veshë
krejt e shpërfillur nga ëndrrat e verdha
si një lëkurë e bardhë e ndjeshme e mirë
si një dritë që flakëron në xixat e farkëtarit
Sonte është një natë e vetme
e zhytur thellë në fundin e vetmisë
dhe ti vjen si prej kohës se lashtë ndër vite
nëpër tehun e briskut, të mjerimit e të skamnorit të ri
E unë sonte të ndjej se si dikurë ti ishe
por vetëm te qielli shoh diçka si harku që ndritë
dhe ne, dhe ti, dhe ai, jemi të gjithë në një faj përtacie
prej Perëndie që kurrë s’u flijue, as për një hiçgjë, as për fatin e tij.
Dhe ne jemi si hije të verbër në shtigjet e vegjëlisë
dhe ne shpresojmë te ëndrra jonë e së nesërmes
dhe arsyeja ka humbë në hijet e natës,
e ne e këndojmë këngën e shtigjeve të errëta e në duar

i bartim në tehun e humnerave, xixat e zbehta të farkëtarit.

(Tetor, 2007)

IKIM SI IKJET

Ikim si ikjet
Ikim nga mbrëmja
Ikim nga dita
Nga retë ikim nga shiu
Ikim
Përdite në ikje jemi
Përdite në përtokje mbesim
Ngrihemi dhe ikim si një ikje e pathënë
Ikim edhe nga dje edhe nga sot ikim
Edhe nga e nesërmja ikim përditë
Çast për çast ikim pa u menduar
Ndoshta nga ëndrrat e kota
Apo nga dëshirat e çmendura
Ikim nga retë
Nga shiu ikim
Nga vetëtimat
Nga murmurimat 
Ikim çuditërisht si koha që ik n`hije të së djeshmes
Të nesërmen e godasim çuditërisht tuj ikë
Ikim nga vetja për të qenë dikund

Pastaj për të mbetur askund
Ikim nga humnera

Për të ecur si zvarranikët nëpër sargofage
Ikim si ikjet e gjurmët e pluhurit të erës

I lëmë si një shenjë e një lamtumire të çalë.

(Shtator, 2014)

NË QERPIK T‘ZANAVE

Ju zanat
që shkrepni në hijet
e maleve të nemuna
dhe
ju pagëzuen vuajtjet
në dritën e hyjnive
si të prarueme në prag t`mëngjesit
ku rrjedhin të gjitha stinët
në ujin e kaltërt të krojeve,
thellë
te honet e shkambinjve
të ftofta si bora
tuj u shkri në erë,
tuj u rritë gjelbrimit
gjethet dhe bari i blertë,
e në hijet tueja hyjnore
lindin dhe fluturojnë
andrrat,
si shpirt i ndjeshëm në sytë e kohës,
dhe ju në emën
si pagëzim për bukurinë qiellore
ku ulen malet
dhe
brigjet deri në gjunjë.

KUJTOHEMI

Një ditë do të kujtohemi
si nëpër pluhurin e harresës
kur era frynë nga jugu
kur frynë nga veriu
si dielli kur ndriqon, e në udhën
e perëndimit bëhet flakë e ndezur.

Kujtohemi një ditë udhëve tona,
si ishim dikurë në rininë e blertë,
nëpër fushat dhe lugjet me bozhure
ecnim si në valle fluturash gazmore.

Do kujtohemi në shikimet e gjelbërta
në kurora lulesh të majit,
si në faqet e librave kur lexonim,
dashurinë tonë fisnike me virtytin.

E ne kujtohemi edhe në vazo trëndafilash
si në një laps të thjeshtë në fletore,
shenjat e ecjeve me petale luesh të kuqe,
shënonim emrat e ëndërrimeve tona.

Një ditë do të kemi kohë të ulemi e të mendojmë
se si një herë jetuam si të gjithë,
por sejcili nga ne ishim në botën tonë.

E si do thonë e të shkruajnë pastaj
se ishim të dështuar apo të vuajtur si të tjerët në jetë,
apo nga dashuria e tepërt u bëmë grimë-grimë
sa shumë dhuruam ëndrra, sa shumë gëzime pa fund.

Dhe tani nën gurin e bardhë tretemi të vetmuar,
dhe gotën me verë e pinë të tjerët deri në fund,
pluhurin kur ta shpërfaqë si kujtim era e jugut.

Sa herë lind dielli me dritë e shkëlqim,
e si zjarri i skuqur atje në mal ku perëndon
dhe natën me hënë kur e bekoni
me një laps të thjeshtë me pak fjalë në buzë
dhe pastaj thoni:
Të qofshim falë ty dashuri e jetës
që e pikon si hëna ngjyren e verës,

te zemra e ngrohtë e natës.
 

(2010)

FJALA MAGJIKE

Nga fjala mund të dalë një bekim

Nga fjala mund të mbushet një kupë verë
Mund të mbushet edhe një kupë vrerë nga fjala

Nga fjala mund të çelë një trëndafil
Mund të çelë edhe një ferrë nga fjala

Nga fjala mund te dalë edhe një mallkim në një kupë me helm
Mund të dalë edhe një hije humnere e thellë sa ferri nga fjala
Nga fjala mund të lindin yjet që shkëlqejnë më shumë se qielli
Mund të hapen edhe hone vdektare në flatra lakuriqësh nga fjala.

(Vjeshtë, 2013)

ÇAME MOJ!

Çame moj si fati ynë
në kërkim të udhëve tua
aty ku ishe ti gjithëherë
plagë dhe varrë e pa shuar
Çame moj si krejt Shqipëria
lindja, veriu e perëndimi,
plagë më plagë ashtu si ti Çamëri
veri jugu e gjitha është Arbëri
ti je shkaba me plagë të qiellit
Ti Dodonë kurorë e lashtë
gurë je dhimbje pa mbarim
bashkë me gjithë pjesët e tjera 
si morena
Çame je zogëzë Olimpi
dhimbje malli dhe trishtimi
ngjyra jote vesë e durimit
të ndritë ftyra prej shkëlqimit
je si hëna n`dritë të yllit
udhëve je n`borën e dimrit
Hyjneshë e Arbërit dhe e qiellit,

ti zogëzë prej Olimpit.

(2007)

NATA

Nata vjen bashkë me ty
edhe yjet për ty ndritin
në dritaret e kaltërta të vetmisë
dhe hëna e purpurtë vjen në kunorën e hijes tënde
vjen edhe mëngjësi dhe ti më nuk je as hija jote
por një kujtim
dhe një kthim i ri është si një ëndërr e re
që vjen si nata bashkë me ty
dhe yjet e hëna prap e purpurtë të ti ndritë

E KAM PARË

E kam parë fjalën në ngjyrën qiellore

në valët e mëdha e në honet e thella
ku binte dhe ngrihej barka e kaltër
dhe në dritën e zemrës peshonte hija e saj
dhe në ngjyrën e tokës te llava e vullkaneve
ishte fjala e zjarrtë si zemra e kaltër si barka
dhe në shenjat e ecjeve ishte në pamje të gurëvë të blertë
dhe në shtegun e tana gjelbrimeve ku nata pushtohet
nën yjet e natës
e kam parë fjalën dhe frymën e saj te shpirti i dimrit
në ngjyrën e pishave nëpër dëborën e bardhë
si erërat e maleve ku shkëmbijtë i prekin
dhe u qëndrojnë sipri si kurorë
ku fjala ndjehej te honi i zemrës
dhe të syni i parë i agut
ku nisë me dalë me dritën e ftohtë të mëngjesit

DHE TI SEÇ U DUKE

Dhe ti seç u duke
si hije më trembe e më lëkunde
si papritur moj u shfaqe e përhumbur
Natë e gjatë është udhë e errët
heshtje është honeve shumë
kur erdhe ti si një hënë
ndriçove si në mes reshë,
u duke dhe u trete
se si erdhe, si u trembe si u fshehe
si një e marrë e lashtë dikurë
që nuk vije as nuk dilje as si hije as si dritë
nuk shkëlqeje,
por si zjarr e prush ishe
heshtshe dhe treteshe si në malin e vetmisë
dhe aty ti qëndroje
si një hije si një ëndërr e një nate
si hyjneshë e një kohë si legjendë e një mesnate
por ti s’je tjetër veçse një e vërtetë
errësirës që i jep jetë,
e pasqyrës i jep hije, e dritares i jep buzëqeshje
si një xixë e natës thellë që dukesh si mes reshë
si shkëndijë e qiellit lartë që ndritë e fshehesh në një çast.

TI DHE BOTA

Ti dhe bota jeni binjak
me krejt stinët e erërave shkëmbinjëve
si valët e detrave të oqeaneve të pafund

Ti je kudo në frymën e jetës
në blerimet tua të pafund
në qiellin e zemrës

me ngjyrën e syve tu verbërimi

E verbër nata si koha në guvatën pa sy
e verbër era si fjalët e pathëna

e verbër ëndrra si hiçi pa fill e pa fund
e verbër hëna thellë reve të hirta

e verbër pamja e thatë e bregores
e verbër dritarja e mugët pa hënë

e verbër pjergulla e ngjitur errësirës
e verbër ngjyra e kopshteve me mollë

E VËRTËTA

E vërtetë është gjithmonë e vërteta
varet se si anojnë pastaj njerëzia
te interesi ku i verbon dhe zhyten te lakmia

E vërtetë është përherë mendimi e fjala
varet te cili anim shikon syri i pafund si etja
aty ku s`ngopet ëndja si detit të thellë lakmia

KA NJERËZ E NJERËZ

Ka njerëz që të prëmtojnë sot,
por nesër i varros ato në harrim
 

Ka njërëz që dinë të hanë
në çanakun e sejcilës qeveri që vjen

Ka njerëz që e ëndërrojnë një kohë më të mirë
por me një lëmoshë të vogël kënaqen duke qeshur

Ka njerëz e njerëz që gënjejnë në ditën me diell
në të nesërmet e tyre i varrosin fjalët e thëna në agim

FENERI I SAJ

Edhe lumi valë më valë,
sikur deti dallgë më dallgë,
si liqenit barkë e saj
nën qiell të kaltër të pafund,
sikur fjala që buron
në hone thellë barkës së saj
dhe barka e bartë mallin e saj
nga një valë në tjëtrën valë
duke e vënë bregut të saj
dhe pak gjethe si kurorë
te e gjelbërta pishë e saj,
i vënë valët rradhë me rradhë
si kujtim varur kunorës një fener
n`heshjte të saj,
dhe luhatet frymës së saj

dhe rri varur si këmbanë

AFRIM ZHITIA DHE FAHRI FAZLIU

Dy të rënë ngritën mijëra të tjerë
Dy dëshmorë dy pishtarë lirie

Dy vertikalë n`rreze dielli
Dy ëndrra të mëdha

Të skuqura në gjakun e tyre
Dy rrënjë në njëmijë zgjime,

Në njëmijë ngritje, n`zemër lirie

Dy yje nën një diell rrezatojnë përherë
Dy zëra të kohërave pambarim,

Te bregu i diellit n`shkëlqim
Dy zëra në prehërin e atdheut të ngrohtë

I këndojnë këngët e tyre të lirisë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat