Përmes “pasqyrave filozofike”, kërkon reflektim mbi librin

Kultura

Përmes “pasqyrave filozofike”, kërkon reflektim mbi librin

Më: 15 nëntor 2018 Në ora: 19:53
Përmes “pasqyrave filozofike”, kërkon reflektim mbi librin

Dita Botërore e Filozofisë është shënuar edhe në Kosovë, përmes një instalacioni artistik me mbishkrimet “Lexo për me pa” dhe “A ishe kanë ti nëse kishe lexu”.

Me qëllim të reflektimit nga ana e qytetarëve, OJQ “ETEA” me përkrahje të Komunës së Prishtinës ka vendosur këto “pasqyra filozofike” në sheshin e Prishtinës.

Drejtori i ETEA-s, Agon Ahmeti, ka thënë se kanë vendosur ta shënojnë këtë ditë duke i bërë qytetarët të reflektojnë dhe ta nxisin mendimin mbi rëndësinë e librit.

“Instalacioni i vendosur sot në shesh, njëherësh shënon Ditën Botërore të Filozofisë, duke ngritur pyetje filozofike, pyetje që nxisin mendimin kritik dhe reflektimin e qytetarëve rreth librit dhe leximit si mjete apo mënyra kyçe përmes së cilave formësohet personaliteti dhe karakteri i njeriut jokonformist, njeriut ndryshimtar”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti tha se ky instalacion ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve të cilët janë ndalur në shesh për të deshifruar mesazhin që përcjellin këto pasqyra. Njëherësh, ai njoftoi se përmes këtij instalacioni synojnë edhe promovimin e kulturës së leximit.

“Instalacioni ka për qëllim promovimin e lexueshmërisë dhe ndërgjegjësimin social mbi rëndësinë e librit, përkatësisht ndikimin që ka libri në formësimin e personalitetit të njeriut”, ka thënë Ahmeti.

Ky instalacion është paraparë të qëndrojë në shesh deri në fund të muajit nëntor.

Përndryshe, ETEA si organizatë synon edukimin publik nëpërmjet kultivimit të kulturës së leximit te të rinjtë dhe përmirësimit të gjendjes së arsimit në Kosovë.

Edhe pse përmes kësaj forme pretendohet të nxitet kultura e leximit, ajo që bie në sy është se fjalia e shkruar në pasqyrë “A ishe kanë ti nëse kishe lexu”, nuk është e shkruar sipas standardeve të gjuhës shqipe.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat