Në Preshevë debatohet për kulturën si mjet për emancipimin shoqëror

Kultura

Në Preshevë debatohet për kulturën si mjet për emancipimin shoqëror

Më: 17 nëntor 2018 Në ora: 19:19
Debati “Kultura si emancipim shoqëror”

Në debatin me temën “Kultura si emancipim shoqëror” që u zhvillua sot në Preshevë, folësit dhe të pranishmit potencuan rëndësinë e kulturës dhe institucioneve kulturore si mjet për emancipimin e shoqërive.

Kjo tryezë diskutimi, që u mbajt në kuadër të edicionit të tetë të Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë Artistike “Pre Foto” mblodhi artistë të vendeve të ndryshme në Preshevë, që patën mundësi të debatojnë me drejtorin e DokuFest-it Eroll Bibanin, si dhe fotografin Luka Knezevic.

Drejtori ekzekutiv i DokuFest-it, Eroll Bibani foli për DokuFest-in si institucion dhe festival, për të cilin tha se ka ndikuar në formimin e qytetarisë aktive dhe emancipimin e tyre. Ai përmendi se në kuadër të DokuFest-it e kanë edhe programin DokuLab, përmes së cilit mundohen ta nxisin mendimin kritik dhe ta përmirësojnë sistemin arsimor.  

Bibani po ashtu tha se filmat kanë zgjuar kureshtjen e fëmijëve, e në këtë mënyrë i kanë shtyrë ata drejt leximit, që sipas tij, ka ndikuar në rritjen e cilësisë në arsim.

Bibani: DokuFest-i ka ndikuar në emancipimin e qytetarëve

“DokuFest-i ka filluar si një inciativë për ta mbrojtur dhe funksionalizuar kinemanë Lumbardhi, e cila në një moment u bë, të themi ‘mollë sherri’ e emancipimit qytetar. Lumbardhi ishte arsyeja e një lufte të madhe e qytetarisë aktive dhe u bë një simbol i rezistencës në qytet kundër shfrytëzimit të hapësirave publike (nga institucionet private) dhe për rifunksionalizimin e ndërtesave të braktisura, qoftë të fabrikave të vjetra”, ka thënë Bibani.

Po ashtu, Bibani tha se DokuFest-i ka ndikuar që edhe qytetet tjera të marrin inciativa për rifunksionalizimin e hapësirave publike, dhe përmendi rastin e krijimit të qendrës Termokiss në Prishtinë dhe Kinemasë “Jusuf Gërvalla” në Pejë.

I pranishëm në panel ishte edhe fotografi Luka Knezeviç nga “Belgrade Raw”, i cili tha se ky grup mëton të eksplorojë aspektet sociale dhe urbane të jetës në këtë qytet dhe t’i shfaqë ato përmes fotografisë. Knezeviç tregoi se grupi ka mbajtur 13 punëtori në vende të ndryshme të botës për fotografët lokalë, me qëllim të promovimit, fuqizimit dhe krijimit të hapësirave të punës së tyre.

Knezeviç: Përmes aktiviteteve tona dokumentojmë jetën e shoqërisë sonë

“Përmes aktiviteteve tona kemi shfaqur interesimin tonë kulturo-artistik përmes fotografive, dokumentarëve, duke dokumentuar ato që ndodhin në shoqërinë tonë. Fillimisht kemi qenë të pranishëm në skenën beogradase të fotografisë, mirëpo, interesimi nga regjionet e tjera ka bërë që ne të jemi pjesëmarrës edhe në manifestime në  skena ndërkombëtare. Fokusi ynë është që ta hulumtojmë atë aspekt dhe atë hapësirë të pazbuluar të fotografisë”, ka thënë Knezeviç.

Kjo tryezë diskutimi ishte paraparë të mbahej në bibliotekën “Mehmet Jusufi”, por pas mbylljes së Shtëpisë së Kulturës, në të cilën ndodhej edhe biblioteka, aktiviteti u zhvendos në një kafiteri të Preshevës. Lidhur me këtë rast, moderatori i debatit, Belgzim Kamberi, tha se pavarësisht vështirësive që u krijuan, ata arritën ta mbajnë debatin, e sipas tij, kjo dëshmon se asgjë nuk mund ta ndalë kulturën. Gjatë ditës së sotme do të hapet ekspozita e garës së fotografisë në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë “Pre Foto”, gjatë së cilës do të shpallen edhe fituesit e kësaj gare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat